Romani "Rruga pa kthim" (recensione)

Romani "Rruga pa kthim" (recensione)
Romani i parë në historinë e letërsisë sonë për LPK dhe demonstratat e vitit 1981
 
METAFORA E LIRISË
 
Romani "Rruga pa kthim" i autorit Reshat Sahitaj, (botim SHB "Iliria" 1983)
 
AGIM VINCA:
Një fshat kosovar i viteve ’80 është skena ku zhvillohen ngjarjet e romanit “Rruga pa kthim” të Reshat Sahitajt. Nëpërmjet personazheve të tij, të krijuara kryesisht mbi bazë reale, autori ka dashur të tregojë, zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në Kosovë, veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, si dhe kalimin e lëvizjes ilegale për çlirim në një fazë më të lartë, më të organizuar.
Edhe me këtë prozë, sikurse me veprën “Mali i ndaluar”, autori konfirmon prirjen e tij për të rrëfyer për raportet e përditshme të njerëzve tanë të shtrënguar në dorën e dhunës së pushtuesit dhe të luftës për liri e ekzistencë.
 
ABDYL KADOLLI
Romani “Rruga pa kthim” i autorit Reshat Sahitaj është ndër veprat e pakëta të letërsisë sonë, që kanë trajtuar temën e Lëvizjes kombëtare në vitet ’80. Ky është ribotim i tretë i romanit, me disa plotësime artistike. Dy botimet e para janë bërë në Bruksel, më 1983 e 1986.
Romani është një metaforë e rrugës së lirisë. Në këtë rrugë të përgjakshme jeta merr kuptimin e ekzistencës. Këtu thyhet miti totalitar i pushtimit dhe lind miti i qëndresës. Drama e personazheve motivohet ndërmjet reales e ideales dhe tragjikes e magjikes.
Prologu i romanit është një ese në kërkim të rrugës së lirisë.
Hapësirë e romanit është vendlindja e shkrimtarit, Sopia, një fshat tipik kosovar i fillimit të viteve ’80 me një tregtore dhe një rrojtore. Tegtorja bëhet mejhane e intrigave të mjerimit, shpifjeve e fatkeqësive. Aty mësohej çdo lajm i ri për fshatin dhe fillonin zënkat e kurvërisë e vëllavrasjeve.
“ Ajo ishte bërë si një amfiteatër, ku njerëzit shkonin për të treguar mençurinë e tyre…Ngjante që një llaf i mëngjesit të nisej nga dikush, duke lënë pas të tjerët ta vazhdonin deri në mbrëmje.”
Në rrojtore njerëzit ende rruheshin e qetheshin me grurë e vezë. Tupani i Brahës dhe postieri ishin të vetmit kasnecë që përkundnin fshatin e harruar.
“Për rastet e vdekjes dhe njeriun e shtetit, që do të mbante fjalim, fshatarët njoftoheshin me bubullimën e tupanit të Brahës.”
Rruga e hapur e mërgimit kishte sjellë plagët dhe viktimat e para në fshat.
Fshatarët prisnin ndryshime nga qielli, edhe pse kishin harruar Zotin. Ata shihnin vetëm të tashmen e kohës.
Vetëm plaka Libade jetonte me arketipat e së kaluarës: gjurmët e qytetit antik, kullën, rrugën e detit, figurat historike, rapsodin, bollën e zezë e legjendat e tjera.
Miti totalitar
Miti i shtetit në këtë roman tejkalon vizionin ourelian totalitar. Ai është
edhe mit i pushtimit, i dhunës e shfarosjes etnike. Ai krijohej nga propaganda e triadës politike: gjëma-gënjeshtra-krimi, që fillonte me leçitje dhe përfundonte me linçim.
Mekanizma të shtetit janë xhipi i tmerrit, kamioni i përgjimit, policët e hafijet. Ky mekanizëm misterioz kurdis çnderime, vëllavrasje, burgosje, tortura për armë, çmend e shpërngul njerëzit.
Xhipi është makinë e krimit: Në këtë xhip sketërrë hynin njerëzit shëndoshë e ktheheshin pa këmbë, pa dorë, pa sy, madje edhe të çmendur. Kishte të atillë që ktheheshin pas dhjetë a pesëmbëdhjetë vjetëve, por edhe të tjerë që nuk ktheheshin kurrë gjallë.
Miqa i zi është sinonim i totalitarizmit: “Jam ai që tërë Kosova ma ka frikën…Aty ku hyj unë ose derdhet gjaku, ose bie paqja.”
Shitësi dhe mësuesi janë pushteti dhe hafijet e fshatit, magnetofonë të këtij mekanizmi misterioz. Mësuesi Fadil Saranxha me kravatë dhe erë livande dhe shitësi Maliq kishin mësuar alfabetin e shpifjeve në një kurs partie. Ata janë karrieristë, dinakë të dresuar me besnikëri qeni, që shisnin edhe nënën e vrisnin vëllanë e vet për shtetin e huaj.
Politikanët tanë vasalë janë kukulla të këtij mekanizmi misterioz. Politikën e shndërrojnë në gënjeshtër, mashtrim e dhunë. Ata kapitullojnë para tij dhe bëhen horr, sepse nuk përfaqësojnë popullin, por sistemin e dhunës.
Viktima tragjike të këtij miti janë Shaban Mazrreku, i cili dënohet me 101 vjet burg, dhe lirohet i verbuar pas 18 vjetësh.
Shpendi i ri çmendet nga torturat policore, që ia kishin vrarë edhe babanë. Gjestet e tij shprehin atë që ndrynin njerëzit në ndërdije: “Unë jam zot i këtyre maleve, i këtij vendi…E vrava vrasësin e babait tim! “
Luani ndjek rrugën e babait hafije, bëhet polic dhe punëtor i sigurimit, duke u arratisur jashtë pas padronëve.
Bujari infiltrohet në Lëvizje për zbulimin e saj, por përhumbet diku në fund të botës.
Hasan Gjoni me pritjet e tij enigmatike bëhet i çuditshëm, duke vrarë nga presioni Agronin e ri dhe përfundon i çmendur ose i zhdukur.
Miti i lirisë
Miti i lirisë lind nga fryma e idealizmit të brezit të ri, si entropi e vetëdijes historike për pozitën e njeriut në kohë e hapësirë.
Liria merr përmasat mitike të idealit dhe dritës magjike hyjnore.
Miti i shtetit fillon të thyhet nga vetë dhuna e falsiteti i tij. Absurdi lind disidencën, revoltën e kundërshtinë e natyrshme. Sokoli kërcënon me thikë hafijet, ndërsa Nënë Shqipja me sëpatë policët.
Bardh Bjeshka është një figurë e malësorit tipik me përvojën e tmerreve, burgjeve e arratisjeve, por që nuk përkulet si rrapi para stuhisë. Të këtillë janë edhe dy bijtë e tij, Skënderi e Agroni, që bashkë me Sokolin përbënin treshen e Lëvizjes në fshat. Ata përjashtohen nga puna e mësimi, sepse nuk pranojnë diferencimin nga demonstratat e studentore.
Skënderi hyn me vetëdije në rrugën e rrezikshme të lirisë, ku mund të burgosej e vritej.
Ai bredh me radion ilegale, si zëri i së vërtetës, duke thyer paragjykimet dhe drojën.
Miti i lirisë lind nga dëshira, besimi në vetvete dhe lëvizja e ngjarjeve të reja. Fshati zgjohet nga letargjia dhe merr mbarësinë edhe me hapjen e qiellit.
Djali i librave një ditë do të bëhet legjendar, me përmasa të mbinatyrshme. Atij do t’i atribuohen të gjitha ngjarjet e reja. Edhe pse Agroni e Sokoli kishin vrarë policët, bëma do t’i mbetej Skënderit. Ai do të bëhet figurë e adhuruar e besimit dhe e shpresës, që ngjall dinjitetin, rrit guximin e humb frikën. Nuset ëndërronin burrat trima si ai, ndërsa ata krekoseshin si ishin shokë të Skënderit.
Skënderi është ndër personazhet e realizuara me motivime psikolgjike. Drama e tij është njerëzore, me veprime e dilema të natyrshme.
Iliri është një personazh i veprimtarit ilegal, që dënohet me 8 vjet burg.
Poetika e romanit
Poetika e romanit “Rruga pa kthim” ndërtohet nga ngjarje të përjetuara në vizionin e fëmijërisë dhe fiksionin artistik. Autori zotëron një intuitë artistike dhe imagjinatë krijuese në fiksimin e figurave dhe të situatave.
Ligjërimi tregimtar i autorit është i natyrshëm, me detale e motivime artistike .
Imazhet artistike shpalosin një bote magjike plot fshehtësi, paradokse e mrekulli, që mahnisin estetikisht me magjinë e shprehjes metaforike.
Hapja e qiellit natën nga një meteor krijon mrekullinë, ku shkëlqejnë ëndrrat dhe shpresat e njerëzve, që kishin humbur besimin në vetveten dhe në Zotin. Çudia kishte ndodhur kur atë e kishin parë shumë veta, madje edhe hafije, hajna e fajdexhinj. Nga magjia e dritave njerëzit kishin harruar të shqiptonin dëshirat e tyre. Destan Qorri nuk iu kishte lutur zotit për dritën e syrit, por si ta fuste në dorë ëndrrën e dashurisë.
Vetëm Fazliu i varfër kishte kërkuar të bëhej pasunar i vendit. Ai kishte pranuar ta ndante thesarin me bashkëfshatarët. Thesari i gjetur i floririt ishte një endërr e kamjes, por edhe ai ishte rrëmbyer nga shteti.
Disponimet e personazheve shprehen me paralelizma metaforikë e alegorikë : dielli ndër re krijon pikturën moderne, rrufeja godet në vendi e merituar, era afron kurorat e lisave, zhgani i qenve ndjek bushtrën, ndërsa macja harabelin. Lojërat e fëmijëve krijojnë imazhin e gjallërisë së jetës.
Dashuria e Sokolit dhe e Fluturës është idilike, ndërsa dashuria e Skënderit dhe e Norës një dashuri e fshehtë e rinisë.
Autori funksionalizon në roman edhe figura fantastike të mitologjisë folklorike: zanat, si vashat më të bukura, ngjallin të vdekurin, por edhe shitojnë të gjallin me magjinë tyre, dragoi me fuqi të mbinatyrshme vdes kur zbulohet, bolla e zezë është orë e shtëpisë, lugetërit hije e së keqes etj.
Autori krijon në fiksionin artistik personazhe në situata reale.
Dialogu dinamik karakterizon veprimet e personazheve, duke u shoqëruar edhe me një ironi të hollë.
Monologu i brendshëm shpreh meditimin e personazheve për botën:
Bardh Bjeshka: “Kështu gjithnjë ka ndodhur me ne. Kur dikush luftonte, të tjerët bënin dasma me lodra. Kur thyheshin të parët, pushtoheshin të dytët. Binin në kthetra njësoj edhe ata që luftonin, edhe ata që lodronin.”
Skënderi: “Dikush duhej të vdiste për këtë vend, të sakrifikonte veten dhe fëmijët e tij për fëmijët e brezave të ardhshëm.”
Epilogu i romanit është një shthurje e fatit të personazheve, që përfundon si martirizim, lavdi, mallkim ose çmenduri e tyre, varësisht nga rruga që kishin marrë në jetë.