Skënder Karaçica - Recension

Skënder Karaçica - Recension
Recension
 
KRUSHA E MADHE U BË GJEOGRAFIA E VDEKJES PËR LIRINË E KOSOVËS
 
Besnik F. Hoti: Doktori që i dha jetë Lirisë: Dr.Fahredin Hoti, dëshmor i Kombit, botues Emira 2024,Rahovec.
 
Krusha e Madhe e Bajram Currit, Ukshin Hotit dhe dr. Fahredin Hotit u bë gjeografia e vdekjes  për lirinë e Kosovës. Doktori dhe poeti dr. Fahredin Hoti kishte ndjenjë vdekjeje për përgjakje të Kosovës. E kishin përcjellë ata të veshur në të zeza, që erdhën nga larg (Serbia) të çartur e të përjargur për të vrarë doktorin  dhe krushjanët në kasaphanën(1998-1999) në Krushën e Madhe të Rahovecit.
 
Skënder KARAÇICA
 
Këto ditë doli nga shtypi libri (monografi) ,,Doktori që i dha jetë Lirisë (Dr. Fahredin Hoti, Dëshmor i kombit, shkruar nga i biri i tij Besnik F. Hoti, ish zëvendësministër  i punëve të jashtme në qeverinë e Kosovës dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare. Në fjalën e autorit  faqe(13-19)thuhet se ishte një zë i brendshëm i ndërgjegjes historike  për dëshmorin e kombit dr. Fahredin Hoti, që u bë pjesë e epokës së historisë më të re kombëtare dhe lufta për çlirimin e trojeve të pushtuara në zjarret e pushkëve të djelmenisë së UÇK-së.
Dr. Fahredin Hoti, thuhet në faqet e kësaj monografie, u bë krah i luftës së drejtë, jo me pushkë në dorë, por me stetoskop, të ilaçeve dhe të pajisjeve të mjekësisë së doktrinës së luftës. Në dritën e këtyre ngjarjeve, doktori i luftës, u ndihmoi njerëzit me ilaçe e mjekim, por ishte në krah të djelmenisë të luftëtarëve të UÇK-së deri në çastet e rënies në fushë të nderit më 26 mars 1999,bashkë me të birin e tij Kreshnik Hoti.

Në Krushë të Madhe, tërë makineria luftarake e logjistikës fashiste e me skenar të gjenocidit  të Serbisë u  zbrazën në mesin e krushjanëve të pa mbrojtur, ku, siç thotë autori Besnik F. Hoti, u shkrua historia  me shkronja të gjakut. Në kronikat e kohës dhe të shkrimeve, të dëshmitarëve të gjallë ,përmendet nata e 25-26 të marsit 1999,ku makineria  serbe përmes logjistikës vrastare deri në shfarosje të substancës kombëtare ,,Patkoi,, nisi kasaphanën e përgjakur të pushkatimit të mëshkujve karushjanë, të rinj e pleq para syve të familjarëve. Në këtë fshat të përgjakur me pamjen  ,,Krusha e madhe si Srebrenica,, u vranë 241 krushjanë të pushkatuar e të djegur për së gjalli në mesin e tyre 7 fëmijë e 5 gra dhe të tjerët të dëbuar nga shtëpitë e veta nën masën e terrorit  e të persekutimit më të egër antishqiptar, thuhet në faqen 15 të monografisë, ku, më të drejtë për Krushën e Madhe dhe për krushjanët nuk pati verdikt të drejtësisë ndërkombëtare, thuhet në monografinë e autorit Besnik F. Hoti.
Për monografinë ,,Doktori që i dha jetë lirisë,, prof. Nusret Pllana, Universiteti ,,Hasan Prishtina,, në Prishtinë ,thekson se në këtë monografi të historisë më të re të Kosovës, në vete paraqet një shumësi rrëfimesh, secili më i vyer se tjetri, që, flasin për luftën e përgjakur për liri në rrugëtimin nga fëmijëria  e deri të rënia e Dëshmorit të Kombit dr. Fahredin Hoti në mesin e popullit të tij në Krushë të Madhe të Rahoveci. Duke hedhur dritë për monografinë, prof. Nusret Pllana, i mbushur me frymë me kujtesën e luftës së djelmenisë së UÇK-së e thekson zëshëm  se, historikisht  dihet se atdheu i tij është i përgjysmuar nga grabitjet e fqinjëve nën ambrellën e pansllavizmit  Serbo-Rusi-Greqi-Mali i Zi dhe fati i dhimbjes për Kosovën. Po në këtë dritë, prof. N.Pllana,e përmend kohën dhe faktin e historisë, duke cituar kryeministrin anglez Grei (1913), që pati thënë se duke flijuar tokat shqiptare, ishte krijuar ,,qetësia evropiane,, (sic!). Por, kjo e dhënë antishqiptare u shemb përmes frymës së lavdisë së djelmenisë së UÇK-së  kur më 28 nëntor 1997 doli publikisht para popullit të vet të Kosovës.
Në këtë monografi, janë botuar edhe disa të dhëna që për lexuesit të brezit të Republikës së Kosovës, do të sjellin orën e historisë për të parë nga afër se cila është Krusha e Madhe e Rahovecit. Po në këtë fshat heroik, afër shtëpisë së dr. Fahredin Hoti, pati lindur Plaku i Maleve, Bajram Curri dhe intelektuali  e politologu i kombit Mr. Ukshin Hoti Në rrugëtimin e tij dr. Fahredin Hoti me mantelin e bardhë shërbeu me dinjitet në fushën e mjekësisë në Rahovec, Malishevë, Prizren dhe Prishtinë. Në familjen Hoti, thuhet në kronikat e kohës, ora e dhimbje dhe tragjikja nuk përfundoi vetëm me kaq. Ende pa u varrosur trupat e dr. Fahredin dhe Kreshnik Hoti, makineria e Serbisë vrastare vazhduan skenarët e orëve të shfarosjes e të gjenocidit kundër krushjanëve. Në vijat e këtyre skenave nuk shpëtoi as babai i tij Shemsedini, i cili nga frakturat e shumta  të gjakderdhjes  së brendshme, vdiq  afër Zhurit, pranë kufirit shqiptaro-shqiptar  në moshën 67 vjeçare.
Në fund të monografisë ,,Doktori që i dha jetë lirisë,, dr. Fahredin Hoti-Dëshmor i Kombit,, janë botuar pesëdhjetë e dy paraqitje të kujtimeve të personaliteteve  të fushës së mjeksësisë, të eprorëve ushtarakë të djelmenisë së UÇK-së, të veprimtarëve, të intelektualëve nga vendet e ndryshme të Kosovës dhe Amerika, që e përmbushin porosinë me kronikat e historisë të jetës e të shërbimit pranë popullit të tij  si doktor e si njeri me shpirt luftarak për kombin, atdheun dhe lirinë e Kosovës.