Rifat Ismaili - Për poezitë e Elmaz Qerretit

Rifat Ismaili - Për poezitë e Elmaz Qerretit
ELMAZ QERRETI DHE FUQIA E HAIKUT SHQIPTAR
 
-Një shpërthim i brendshëm dhe i heshtur emocional përmes vargjeve  
 
Poezia e Elmaz Qerretit nuk është vetëm ajo për fëmijë,apo poezia klasike e tradicionale për të rritur, por ai lëvron me mjeshtëri edhe poezitë e shkurtra e sidomos ato haiku. Para pak kohësh, në vitin 2023, ai do botojë edhe vëllimin poetik të titulluar " Kujtesa e lotit" që do të jetë dëshmia më e mirë e këtij arti delikat. Çdo poezi është dêshmi e një çasti sublim, që ka shkuar përgjithmonë , por jehona ka mbetur e pashuar. Vetëm poezia e ka këtë forcë, dhe në poezinë haiku kjo vjen edhe më sunduese kur vetëm në tre rreshta mund të ndërtosh me marifet gjithë botën.
 Elmaz Qerreti, në kovaçhanën e tij poetike farkëton shpata e thika vezulluese fjalësh,  ku bie menjëherë në sy kërkimi ndaj të bukurës, ku me shije dhe estetikë ai thur elemente shprehjeje tepër me finesë dhe art. Ai s'ka frikë të depërtojë me rreshtat e tij të vargjeve edhe në kufijtë e pashkelur të mendjes njerëzore, brenda pavetëdijes së tij, që si një portë me çelës të ndryshkët kërcet duke tronditur shpirtin dhe gjithçka përreth.
Por sado që poezitë haiku origjinën e tyre e kanë nga krijimtaria japoneze, Elmazi di të shkruajë thjesht dhe bukur duke i dhënë ketij lloji tē veçantë origjinalitet dhe shije tradicionale shqiptare. Në vargjet e tij ndërthuren mjaft elemente të jetës së përditshme, por edhe të qenurit mistik dhe ëndërrimtar. Ai përzien bashkë erotiken, me gjendjet sociale apo shpirtërore, ironinë e lehtë me vëzhgimet e guximshme ndaj çdo gjëje që i kalon para syve apo i shfaqet në mendje.

Ja njëra prej poezive që më tërhoqi vëmendjen gjatë leximit të librit;
Retë e bardha 
reçipetat e kodrës 
i zbërthen era.
Ndjehet dhe përfytyrohet me ëndje një imazh sensual, kodra e butë merr trajtën e një grua të bukur e të kolme, dhe era që loz me reçipetat e saj me gishtërinjtë e dëshirës. Elementet natyrorë ( kodra), përzihen me ato njerëzorë ( recipetat, krijim njerezor) për të nxjerrë në pah sa më mirë erotizmin e ndjerë të natyrës që i përafrohet dëshirave njerëzore. Çdo gjë paraqitet butë, por fsheh tensionin brenda.
Por ka edhe plot poezi të tjera që të rrëmbejnë e të fusin në grackën e meditimit. Ja si thuhet tek njëra prej tyre;
Dallgët e detit 
futen midis kofshëve 
 bëhen dallgë shpirti.
Çfarë krahasimi dhe për rrjedhojë çfarë nuancash merr i gjithë veprimi. Përsëri ndërthurje elementesh natyrore dhe njerëzore. Duket si një marrëdhënie intime e dashurore midis dallgëve e kofshëve, që bëhen dallgët e shpirtit të trazuar. Dhe shpirti i ngjan një anijeje që hepohet sa andej këndej në kërkim të një porti shpëtimtar. Erotizmi më i thellë me shpirtëroren ngjizen së bashku për të krijuar melodinë e jetës.
Por metaforat nuk mungojnë për të na dhënë sa më qartë ndjenjat dhe përjetimet e poetit. Ai edhe kur sheh shpërfytyrim, kur gjithçka vuan përreth, kur zhelet apo diçka tjetër( plehrat mbase) sundojnë çdo gjë përreth, e thotë me fjalë të matura dhe me forcë të madhe shprehëse.
Pellgjet e ujit 
zhele oqeani 
fusha nën ethe.
 
Mbase është edhe shpirti i lodhur i kombit shqiptar që s' gjen kurrë paqe.
Lumi drejt detit 
vrapon për të vdekur 
si demi spanjoll.
Një gjetje e mrekullueshme: lumi që vrapon drejt vdekjes – një krahasim me demin që vrapon në arenë drejt fatit të tij. Por ne te dyja rastet nuk ka vdekje totale. Lumi futet ne trupin e detit per t'u përzier me ujera të tjerë, për tu rritur në forcë dhe dimension. Demi do vetëflijohet për të ushqyer e rivitalizuar jetë e frymëmarrje të tjera. Nisur nga kjo, kemi përqasjen  me një ndjesi iluzive e tragjike që shoqëron jetën tonë, për fatin e paracaktuar të zhbërjes, të shuarjes, të tretjes, të kohës që firon si qiriri,  të jetës që ndërpritet në mes si një cicërimë zogu.
Por Elmaz Qerreti shpesh herë nëpër vargjet e tij ndalet edhe në një ndjenjë të veçantë si dashuria, ska si të jetë indiferent ndaj ndjesive dhe emocioneve që ajo përcjell duke na e mbushur trupin gjithë plagë ëndrrash e plumbash të argjendte pasioni.
Pa ty, me ty 
 me ty, pa ty 
 loti në sy.
Poezi në vockël në dukje, tejet minimaliste, por me një ngarkesë të madhe emocionale. Dashuria është një lojë me ty e pa ty, që shpesh kthehet në një fole e lotit dhe e dhimbjes.
Dashuria dhe të qenurit i vetmuar, dy gjendje që mbizotërojnë të gjitha qeniet njerëzore. 
Por Elmaz Qerreti di të jetë edhe mistik dhe të hulumtojë gjithçka përreth për ti vjelê kuptimin;
Yjet në qiell 
alfabet i kozmosit 
ende pa abetare.
Ai i rrëfen yjet si një alfabet i një gjuhe universale, por që njeriu akoma se ka kuptuar këtë gjuhe. Mbase me kalimin e shekujve do ta perceptojë, mbase s'do arrijë kurrë. Kozmosi është abetarja ku yjet jane qëndisur e pikturuar. Dhe Elmazi mistik, me këtë abetare të pakufijshme ndër duar, mediton mbi gjuhën dhe ligjet e përjetësisë. Ai e ndjen pafuqinë njerëzore përballë kêsaj abetareje të gjallë, por gjithnjë me shpresa dhe vetkërkues si një perëndi, përpiet të sundojë mbi natyrën.
Pena mjeshtërore e poetit nuk ndalet për asnjë çast duke ngjizur imazhe poetike të rralla me një bukuri dërrmuese;
Dimri 
si një grua pa burrë,
këmbët akull.
Këtu jepet një atmosferë e nderë ftohtësie e moskuptimi, që nëpërmjet imazhit të këmbëve të akullta, përjetojmë vetminë dhe zbrazëtinë fatkeqe të dimrit. Mungesa e njerëzve dhe e marrëdhënieve , kontaktet e munguara, janë si njē poezi e pa shkruar si një përqafim i premtuar por i munguar.
Dhe përsëri kemi vargjet;
Burri pa grua  
gozhdë e ndryshkur 
vdes për pak vaj.
Dhe çfarë do ishte burri pa gruan? Një kopësht i shkretë e pa zogj. Një arë djerrë ku mungojnë lulkuqet. Apolineri i këndonte dashurisë së gruas dhe organit të saj gjenital nën oshëtimat e topave të luftës. Dhe i krahasonte organet e tyre intime me pushkët e vajisura. Dhe Elmazi atë parafytyron, burri është si gozhdë e ndryshkur, i tharë shpirtërisht pa vitalitetin dhe shperthimin joshës dhe emocional të femrës. Femra është gjithçka për burrin. Ndaj Pushkini apo Dante u kënduan të dashurave të tyre plot pasion duke i kthyer në qenie e dashuri sublime.
Prostituta
pastron shpirtin 
në krevatin e priftit.
Në këto vargje ironike, autori qesëndis fatin e grave prostituta, që në rangun e qenieve të përbuzura, prapëseprapë kurojnë dhimbjen dhe vetminë atje ku dashuria njerëzore êshtë dëbuar. Ne këtë mënyrë ato fitojnë dinjitetin e mohuar dhe i shërbejnë njerëzores po aq sa dhe gratë e tjera. Ato të pavirtytshmet, ato të përbuzurat, shërojnë lot e dhimbje në shtretër murgjish e priftërinjsh.
Dhe në një farë mënyre demaskohet edhe hipokrizia e kishës. Njeriu êshtë qenie sociale, e destinuar të çiftëzohet dhe të rigjenerojë. Gjithçka tjetër është farsë.
Sa keq kjo shegë 
që po çahet nga malli, 
s’e preku njeri.
Një metaforë rrënqethëse e tronditëse për fatin e trishtë të femrës. Jo të gjitha femrave,po te disa prej tyre që piqen e maturohen, ëmbëlsohen e bëhen si fruta të shijshme, po s' i prek askush. Të gjithë kalojnë pa i vëne re, mbase bukuria e tyre i çorodit, mbase ata që kanë pranë nuk janë aq sa duhet burra. Ka plot gra që e jetojnë jetën në vetmi, sepse ndoshta diçka u ka shkuar keq në fillim dhe s' kanë mundur më të ndërtojnë asgjë. 
Në përmbyllje të shkrimit analizuam disa prej poezive haiku, por të gjitha marrë së bashku janë si një buqetë trëndafilash të porsa këputur e të freskët që do i dhurohen njeriut që dashuron. Kjo buqetë me haiku i dhurohet lexuesit sqimatar me shumë dashuri, ku Elmazi ka kuruar me  durim e vetēmohim çdo varg.
Haikut eElmazit nuk janë vetëm copëra imazhesh apo fotografi çasti por shumë e më shumë, me ato pak rreshta mund të ndërtohen dhjetëra poezi të tjera duke i hulumtuar. Ato bien si këmbana alarmi mbi ndërgjegjet dhe vetëdijet njerëzore dhe shërbejnë për të dritësuar dhe emancipuar shoqërinë njerëzore.
Poezia haiku është një formë poetike e shkurtër dhe e përqendruar, por kërkon spontanitet, gjetje artistike dhe duhet të jetë konçize. Elmaz Qerreti, një zë i veçantë i poezisë shqipe për fëmijë dhe për të rritur, e përdor këtë formë me mjeshtëri sepse ai e njeh më së miri teknikën e të bërit poezi. Sepse nuk mjafton vetëm të qenurit dashamirës apo i frymëzuar, por duhet edhe  mbrujtja e duhur. Ai ka tagrin të përziejë ngjyrat dhe sendet, të paqenësishmen ta kthejë të qenësishme,të pamundshmen ta bëjë të mundur. 
Me ndikim gjithmonë nga elementet e natyrës ai di të bashkojë së bashku edhe ironinë, motivet erotike, filozofinë dhe misticizmin. Nëpërmjet vizionit të tij të gjerë na shpalosen përpara syve botë të pafundme që na thërrasin t'i eksplorojmë.
Vargjet e Elmazit janë të thjeshta në dukje, por pas një farë analizimi i gjer të ngarkuara me aq shumë kuptim brenda dhe me mesazhe që përcjellin filozofinë e jetës. Autori Elmas Qerreti është natyrë e qetë meditative, ndaj dhe poezia e tij e gjen burimin tek forca e qetësisë dhe meditimit.Kjo ndjenjë s' te lë të gabosh kurrë, përkundrazi të rrit e të forcon,të pregatit edhe shpirtërisht dhe realisht për të kapërcyer sfidat e jetës.
Poezia haiku në penën e Elmaz Qerretit bëhet një armë e fortë për të shprehur jo vetëm ndjeshmërinë individuale të poetit, që ai e din dhe e ndjen prej kohësh , por edhe një mjet i fuqishëm  për të pasqyruar shoqërinë, erotikën, vetminë dhe thelbin e ekzistencës. 
Elmaz Qerretit jepi një shkak ai të jep njē varg , të jep vetë poezinë. 

 
Rifat Ismaili
Savona  8- 7- 2025