Asllan Qyqalla - Recension DITAR QË DUHET FUTUR NË LEKTURËN SHKOLLORE

Asllan Qyqalla - Recension DITAR QË DUHET FUTUR NË LEKTURËN SHKOLLORE
DITAR QË DUHET FUTUR NË LEKTURËN SHKOLLORE
 
Asllan Qyqalla
 
Ditari i shkruar në kujtesën e thellësisë mendore, nxjerrë si margaritar kombëtar sot, është një Ditar që është shkruar me vuajtjet, torturat, rrahjet, maltretimet, thyerjet e gjymtyrëve të atdhetarëve shqiptarë nga pushtuesi serb, Ditar që është shkruar në dorën e pushkës e idealin e Lirisë. Ky ditar, duhet ruajtur në memorien tonë historike, letrare, artistike e kombëtare. Asllan Selimin, nuk e njihja si shkrimtar, por për atdhetarizmin e tij e patriotizmin kisha dëgjuar edhe më parë. Andaj pa e tepruar, por i nxitur nga një mendje e prauar, i cytyr nga kjo dorë e penë e art, i brymosur me fjalët e bukura estetike, me fjalorin e pasur leksikor dhe me saktësinë komjuterike, propozoj Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë e Kosovës, të Preshevë e Medvegjës, të Plavës e Gucisë, të Maqedonisë shqiptare, që ta fusin në lekturën e obligueshme shkollore për të lexuar, mësuar e studiuar këtë Ditar të Asllan Selimit.
Ne deri më sot mësonim dhe e kishim obligative ta lexonim Ditarin e Ana Frankut, që ishte një ditar i shkruar në kohën e luftës së dytë botërore, pse ne sot të mos mësojmë fëmijët, nxënësit e studentët tanë për Ditarin e një të burgosuri shqiptar, që është simbol i të gjithë të burgosurve shqiptarë, pse ky Ditar të mbetet vetëm me një përurim libri dhe të futet e të arkivohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pse ky Ditar i shkruar me shkronja gjaku, i shkrirë me dhimbjen shpirtërore, i ngritur me idealin e forte e të pathueshëm kombëtar , i hapur me bebzat e zmadhuara të akcilit të burgosur, andaj pse ky ditar të mos ketë vend në sirtarët e bibliotekave e familjeve shqiptare. Ky Ditar është libër Biblik, është libër i shenjtë, është strehë e muze e fiksionit kombëtar. Ditari ka rrjedhën e ngjarjeve në burgjet sllave, sikurse një lumë që nuk ndalon, ashtu dhe Ditari i shkrimtarit Asllan Selimi, të rrëmben mendjen për ta lexuar me një frymë, të rrënqeth trupin nga përshkrimi real e i saktë, të mbush me lotë torturat që pësuan të burgosurit shqiptarë, të mallëngjejnë letrat e shkruara, por ky ditar asnjëherë nuk e ligështon as autorin e as lexuesin, nuk e përshkruan ngjarjen në mënyrën e zymtësisë, në formën e pesimizmit, siç ndodh kur ishin atdhetarët tanë në burgjet më torturuese e më çnjerëzore në fund të shekullit 20 e në fillim të shekullit 21. Ky Ditar ka motivimin e qëndresës së atdhetarëve, edhe kur trupi nuk qëndron as në këmbë, ka idealin e shenjtë të Lirisë edhe kur shpresat na kishin ikur neve që ishim jashta grilave. Ditari ka një kod, kodin e realitetit, kodin e ligjërimit patriotik, normën e qëndrueshmërisë, përdorimin e gjuhës letrare, vështrimin e lëvizjes sonë historike dhe rregullësia që vendos autori.
Ky Ditar duhet të bëhet edhe synopsis i një filmi artistik, skenaristët e filmit kanë materialin e begatë, regjisorët kanë temën e zbërthyer, artistët le të përgatiten për një sfidë që ua ka përshkruar Asllan Selimi në këtë Ditar.
Autorin më shenjtëri e përgëzojmë dhe e falënderojmë që na e ka shtruar këtë Ditar për ta mësuar në mënyrë obligative nëpër shkollat tona e në studimet e fakulteteve.
Autorin e Ditarit e përgëzojmë me dëshirën që të vazhdojë e të na begatojë historiografinë tonë, të na e begatojë letërsinë tonë me veprat e ardhshme.
Paç shëndetin e jetëgjatësinë sa kreshtat shqiptare.
 
Prishtinë, 2023