Dr. ANNA MARIA LOMBARDI (ITALI)
Anna Maria Lombardi, Doktoreshë në Filozofi, është psikologe, psikoterapiste, poete, eseiste. Ka lindur në qytetin artistik San Severo Foggia në Itali dhe aktualisht jeton në provincën e qytetit të Bergamos. Dr. Lombardi ka marrë shumë çmime të rëndësishme për karrierën e saj, si dhe merita të tjera kulturore dhe letrare: Çmime të Para, Trofe, Çmime Speciale, Çmime të Kritikës si dhe shumë vlerësime të tjera të rëndësishme, si poetike dhe po ashtu edhe letrare. Më 25 tetor 2024, së bashku me personalitete të tjera të shquara të skenës ndërkombëtare, në PIME të Milanos Dr. Lombardi u nderua për Ekselencë në Karrierë në kategorinë Letërsi me motivimin e mëposhtëm: "Për përdorimin e pozitës dhe aftësive të saj për të përmirësuar shoqërinë përmes iniciativave sociale të rëndësishme."
Libri i poezive dhe përmbledhjet poetike e artistiko-letrare të krijuara dhe të kuruara nga vetë ajo, të përhapura në fusha të ndryshme dhe të destinuara për bamirësi, janë karakterizuar nga një thellësi e dukshme letrare, poetike dhe sociale. Poezitë e saj, të përkthyera në gjuhë të tjera dhe 19 vëllimet e botuara, janë të pranishme në antologji të shumta italiane dhe të huaja, revista kombëtare dhe ndërkombëtare në letër dhe faqe interneti. Mund të themi me sinqeritet se veprat e saj kanë marrë një vlerësim të veçantë dhe shumë të lavdërueshëm nga publiku dhe kritika. Autorja, e cila është gjithashtu aktive si krijuese dhe organizatore e ngjarjeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, ka shkruar shumë artikuj, ese, recensione dhe parathënie. Për më tepër, është anëtare e jurisë dhe Presidente, madje edhe nderi, e disa konkurseve letrare të njohura me prestigj. Vetë poetja, ka krijuar dhe bashkë-krijuar Shoqatën Kulturore “Movimento Internazionale Artistico Letterario - Gruppo”, e cila është gjithashtu prezente edhe në platformën Facebook, që nga viti 2017, me qëllimin për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin, shkëmbimin dhe përhapjen e kulturës, poezisë, letërsisë dhe artit. Në këtë kuadër, është organizuar konkurs
ndërkombëtar i letërsisë dhe poezisë, të cilën e ka mbështetur si Presidente, rol që e mban edhe në nivelin bashkë shoqëror në: La Magia Delle Parole - Magjia e Fjalëve që ka arritur një sukses të madh gjatë viteve, dhe është përfshirë, me krenari të madhe nga e gjithë Lëvizja, në kalendarin e qyteteve të Kulturës Bergamo-Brescia (2023)
Autorja, e cila së shpejti do të botojë një libër të ri poezish me titull “Versi spettinati in itinere - Vargje të pakrehura gjatë rrugëtimit”, më 2 qershor 2024 u nderua me Dekret nga Presidenti i Republikës Italiane me Çmimin e Lartë të Kalorësit të Urdhrit të "Meritës së Republikës Italiane".
BUKURI NOSTALGJIKE
Kur perëndon dielli
thellësisht shfaqet bukuria që kemi pasur
jetuar dhe vështruar në botë.
Me pamje melankolike
sërish vizitojmë lojërat e zemrës
duke dëshiruar të gjejmë
ekuilibër të ri dhe dritë të brendshme.
Kërkojmë mes brigjesh,
ndonjëherë mbase edhe të paarritshëm,
zjarre të qetë ose gjallërueshëm, të zbehtë
për agimin e nesërm.
Një agim që shtyn
të thurë kanavaca me fije ari
dhe të shkëpusë nga përqafimi obsesiv
vetminë.
NEVOJITEN URA
Nevojiten ura të ndërtuara me duar
të aftë të zbërthejnë nyje
të kancerizuara nga neglizhenca e kohës,
nga lakmia e pafund
dhe nga pazotësia të shohim
përtej mureve të gjatë.
Në vend të ndryshqeve të dhimbshme
të shtrira me tela gjembash,
të dukshme ose të padukshme,
varrosen farat e luleve
rezistuese shumëngjyrëshe:
korridore krahësh që dinë të dashurojnë,
zemrash që dinë të këndojnë,
litarë që të mbështesin dhe t'i mbajnë
të lira rrugët nga një breg në tjetrin,
nga një agim në tjetrin.
Gërshetime udhësh të shndritshme që lejojnë
të shihemi në sy me njëri-tjetrin pa frikë.
Nevojitet ta nderojmë deri në fund jetën
dhe ta festojmë çast pas çasti, përgjithmonë!
METAMORFOZË
Në fytyrën time me dantella rrudhash,
rreshta shkruar nga historitë,
buzëqeshje, përvuajtje:
roman emocionesh dhe ndjenja të përjetuara.
Mbaje shikimin tënd kur të më takosh
por mos e shiko lëkurën time,
bastunin që mbaj,
duart që dridhen,
trupin e vjetër të kërrusur.
Shikomë në thellësinë e shpirtit
ku fëmijë luaj dhe jetoj rininë
dhe më përqafo, qiellin duke bekuar
që arrite të shohësh timen,
por edhe tënden, metamorfozë.
Përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese