Recension nga Angela Kosta

Recension nga Angela Kosta
RECENSION NGA ANGELA KOSTA:
LOTI I AUTORES NEZI PLAKU VELAJ NË ZGAVRAT E TEMPUJVE

Vetëm ata që e kanë përjetuar nën lëkurën e vet shtypjen e diktaturës komuniste, e dinë çfarë do të thotë të fundosesh dhe zhytesh në terrin e ferrit që ajo imponon. 
Që në vargjet e para, teksa e lexojmë, mbetemi disi pa frymë, e loti ynë ndalet e bashkohet me atë të autores Nezi Plaku Velaj. Sëbashku me të, presim atë përgjigje që ndoshta askush nuk do të mund të na e japë, në hapësirën, në horizontin gri, rrethuar nga zinxhirët e diktaturës.
“I gjetët lotët e mi?” shfaqet si një klithmë e dhimbshme dhe e ngarkuar me përvuajtje, ku autorja shqiptare, përmes alegorive të fuqishme dhe metaforave të spikatura, na rikujton një përvojë personale e cila bëhet kolektive: atë të tmerrit, dhunës dhe çnjerëzimit të përjetuar, gjatë diktaturës së egër të regjimit komunist në vendin tonë. 
Poezia nis me pyetjen retorike: 
“I gjetët lotët e mi?” 

E këtu nuk bëhet fjalë për një: kërkesë - pyetje - hetim, të zakonshëm, por për një ndjenjë poetike të brendshme e të fuqishme.
Lotët shndërrohen në një portret të madhërishëm dhimbjeje, dërrmues, i harruar, i varrosur gjallë apo i fshehur në zgavrat e thella të atyre tempujve që kanë shumë për të folur.
Ata lotë, nuk janë thjesht pikla të derdhura, por janë “perla” që shkëlqejnë në sytë e një vajzeje të mitur, të brishtë dhe të vyer, të cilën regjimi arriti ta shkatërrojë deri në palcën e shpirtit.
Kjo qasje e shndërron ndjeshmërinë e saj në një stoli - xhevahir respekti, krenarie dhe dinjiteti.
Këtë e dëshmon më së miri vargu i dytë:
"ato perla që shkëlqenin në bebe të syrit”, i cili e përforcon shenjtërimin e kësaj dhimbjeje.
Si një kuti thesari që ruan dhe respekton vuajtjen njerëzore, bebja e syrit, i jep lotit një dimension pamor dhe shpirtëror. 
"Atë ditë... lotët e nxehtë u derdhën nëpër shkallët e gurta, si krua...", nxjerr në pah, (me forcë), kujtesën konkrete dhe autentike: dhimbja nuk është abstrakte, por e gdhendur në epoka dhe hapësira pa fund. 
“Shkallët e gurta”, na sjellin ndër mend jo vetëm objektet institucionale apo burgjet e vendit tonë gjatë diktaturës, por simbolizojnë gjithashtu ftohtësinë e represionit të asaj periudhe mizore. 
Poezia ndërmerr tone të ashpra, akuzuese dhe dëshmie:
"ngarkuar ishin me mllefe e mallkime, 
me ah e oh, dhe… o sa shumë psherëtima"...
"jetonin në vorbullën e një bote të rreme,”
e gjithashtu, është një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj sistemit. “Vorbulla” shpall mashtrimin ideologjik, propagandën, hipokrizinë e një pushteti që predikonte barazi, por prodhonte terror dhe zhdukje të identitetit të çdo individi që shikonte përtej kafazit të praruar diktatorial.

Më pas, me një hov liriko-tragjik, poetja Velaj rrëfen:
"Nuk e përqafova dot dashurinë e madhe,
atë më të shenjtën, më hyjnoren”.
Këtu fokusohet me shumë dhimbje, mungesa e të jatit, figura e tij gjigante e hyjnore.
Nuk është nevoja të themi që figura e babait nuk është vetëm ajo e prindit; ai paraqet sigurinë mbrojtjen, bazën psikologjike dhe shpirtërore të familjes. Por, në këtë poezi, mungesa e theksuar e tij shndërrohet gjithashtu si metaforë e mungesës së shtetit, e sigurisë njerëzore dhe e drejtësisë së një populli memec përballë represionit.
“Ia shkallmuan themelet ngrohtësisë që i dhuron babai një fëmije", dhe fikja e shpresës “Ia thanë shkëndijat e zjarrta qiellore", janë shprehia e një asgjesimi sistematik të dimensionit human, emocional dhe social.
Vargu:“zemrën e kryqëzuan, i ngulën një bajonetë”, përcjell tone të evidencuara kristologjike: dhimbja personale shndërrohet në sakrificë e martirizim.
Kryqëzimi është pasqyrimi i padrejtësisë së pakufishme.
Bajoneta përfaqëson dhunën brutale, fizike dhe morale, e shkaktuar jo vetëm mbi trupin e një individi, por edhe mbi trupin e atdheut dhe vetë shpirtit të tij.
Në të gjithë poezinë - narrativën - dëshminë e poetes Velaj, del qartë denoncimi ndaj një sistemi totalitar që ka dhunuar fëmijërinë, dashurinë, familjen dhe kujtimet e çmuara.
Përdorimi i metaforave të fuqishme e alegorive
"lotët si perla, zemrat e kryqëzuara", dëshmojnë jo vetëm dhimbjen e madhe vetjake të autores, por edhe dhimbjen e situatës politike të atdheut të saj.
Timbri është tragjik, por mëse i kthjellët, ndaj vargu i saj poetik, bëhet instrumenti i duhur, i goditur i memorialit historik dhe drejtësisë humane.
Në vazhdim e sipër të vargjeve, poetja Velaj e intensifikon këtë timbër thumbues, po aq sa zhurmues dhe tragjik, sepse kështu shpalos me forcë gjithnjë e më të madhe, traumën personale dhe kolektive që ajo vë në skenë: një tragjedi e cila edhe pse me rrënjë autobiografike, përfaqëson torturat e panumërta të regjimit komunist në Shqipëri.
Vargu:“Atë më të shenjtën /sa shumë e kërkova... /Sikur ta dini? /Por s'e gjeta /asnjëherë dhe asgjëkund"... është pranimi i dhimbshëm i një kërkimi të kotë, një pelegrinazh ekzistence drejt diçkaje të pakthyeshme: dashurinë atërore, vetëmbrojten e mbi të gjitha drejtësinë ndaj padrejtësive.
Këtu, autorja nuk qëndron thjesht në një vajtim pasiv: zëri i saj është ai i një shpirti që ka luftuar me dëshpërim gjatë gjithë kohës për të gjetur kuptimin dhe ngushëllimin, por që ka ndeshur vetëm në boshllëk dhe indiferencë.
Më tej, poezia merr një kthesë pamore dhe dramatike, me një këndvështrim të fuqishëm:
“Dhe loti i vogël u bë klithmë shkrepëtimash”.
Loti, i cili më parë ishte simbol i vuajtjes së heshtur, tani shndërrohet në shkrepëtima, një revoltë kjo e vetëdijshme shpirtërore.
Ai nuk është më i padukshëm sepse tani ulërin, proteston dhe shpërthen.
Kjo është mënyra që poetja përdor për të zgjuar ndërgjegjen e një vendi të verbër, ashtu sikurse për t'i dhënë zë traumave të pashmangshme.
Dashuria e ëndërruar përshkruhet si
“e madhe sa deti/ e kthjellët si qielli”, por kjo pafundësi dhe pastërti shkatërrohet mizorisht:
"e goditën me gurë stralli, ia nxorrën të dy sytë”.
Ky varg mizor përfaqëson shkatërrimin e pafajësisë, shpresës dhe vizionit të një botë të bukur e të lirë nga prangat.
Këtu dhuna nuk është vetëm fizike, por edhe shpirtërore dhe psikologjike, është vetë verbërimi dhe errësira e diktaturës.
Mizoria që poetja paraqet në të gjitha vargjet është e pakufishme.
Dashuria cënohet, copëtohet, përdhunohet.
Humbja e të atit, ose ajo e figurës atërore, kthehet si mohimi i çdo referimi emocional dhe moral.
Fëmija“pa baba… me krahët hapur”, përfaqëson kulmin e pafajësisë së pambrojtur, një qenie e braktisur përballë një bote armiqësore pa asnjë mbështetje.
Vargu:"E vranë ca demonë me lëkurë të kuqe djalli”,
përmban përplot vlera alegorike: demonët, të përshkruar me “lëkurë të kuqe”, (ngjyra e komunizmit), përfaqësojnë pushtetin shtypës që maskohet si ideologji, por vepron si forcë shkatërruese dhe denigruese.
Lëkura e kuqe dëshmon gjakun, zjarrin - shkrumbimin, por edhe përmasën e ideologjisë, i cili bëhet vrasës përbindësh i racës humane. 
Me frazat:“grabitës zemrash”, “e shqyen me thonj”, “e shkeli një thundër çizme e pamëshirshme”, autorja u jep persekutorëve të pamëshirshëm, epitete të egra, shtazore, gati mitologjike, sepse ata nuk shihen më si njerëz, por si qenie të zhveshura nga çdo ndjenjë humane. Dhuna e tyre nuk është vetëm fizike, por prek edhe ndjenjat në skutat më të thella të shpirtit; ata shkatërrojnë mundësinë për të dashur dhe për të qenë të tillë.
Mjaft domethënës është edhe vargu:“yllin, ia zhvatën qiellit”.
Në këtë metaforë - alegori, nuk bëhet fjalë për një yll, por për një udhërrëfyes drejt udhës së fatit. Zhvatja e yllit, qiellit që i përket, do të thotë të ndërpritet rruga e fatit, të shuhet mundësia njëherë e përgjithmonë për të qenë në krahët e babait.
"I vendosën cepa, vetëm pesë…" është aludimi i hidhur e zhgënjyes për yllin me pesë cepa, simboli i komunizmit.
Ylli që në qiell duhej vetëm të shndriste, nën propagandën e regjimit, shndërrohet si damka e diktaturës.
Vërtet tronditës dhe jashtëzakonisht i fuqishëm vargu:
"Me të pestin cep, e verbuan zhgabën në flamur me dy krena".
Këtu poetja jo vetëm prek, por madje sulmon drejtpërdrejt zemrën e identitetit shqiptar: pikërisht shqiponja dykrenare, simboli historik dhe patriotik, verbohet.
Mesazhi është i prerë: atdheu është verbuar pasi është i paaftë për të parë të vërtetën dhe prangat e robërisë. Për fat të keq, ideologjia komuniste në fjalë, i rrëmbeu shikimin një populli të tërë për afro gjysmë shekulli. Por, autorja na përcjell edhe humbjen e forcës jetësore: 
"Ia vodhën forcën / ia zunë frymën / Ia grabitën lirinë"...
Këtu, me penën - penelin e saj, autorja Velaj na portretizon qenien njerëzore të zhveshur krejtësisht nga esenca vetjake, jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht dhe shpirtërisht.
Vargjet që e prekin lexuesin më tepër janë:
"Dhe fjala "baba", ngriu në buzën si ortek"...
Ngrirja nga frika, nga trauma, nga mungesa e përjetshme, vulosi mundësinë për të shqiptuar atë çka ishte më e shtrenjtë për autoren: nuk ishte thjesht humbja e babait biologjik, por padrejtësia ndaj tij, si një referencë etike, emocionale dhe prindërore.
“s'u bëlbëzua më kurrë", shënon ndarjen e dhimbshme dhe të mundimshe përfundimtare: atë çka ia rrëmbyen, nuk mund t'ia rikthejnë më.
"E lotin e lanë të rrjedhë si qumështi i gjirit të Rozafës" prezanton një pjesë gjigante historike.
Rozafa është figurë mitologjike dhe arketipike, jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipërinë tonë. Ajo simbolizon gruan martire, e cila u flijua për themelimin dhe ndërtimin e kalasë.
Të krahasosh lotin me qumështin e saj që vazhdon të rrjedhë ndër shekuj, është një metaforë dhe gjest poetik jashtëzakonisht i fuqishëm e gati hyjnor do të shtoja.
Me këtë, Velaj na paraqet mundimet e gruas, nënës, bijës, motrës, dhimbjen e cila nuk shuhet kurrë, por transformohet në materie të gjallë, kujtim i rrjedhshëm, çurgim i përhershëm.
Duke pikuar si krua që nuk ndalet kurrë, ai lot shndërrohet në përjetësi, dhe si i tillë, kthehet në akt dinjiteti dhe shpagimi.
Tek këto vargje, Velaj thur vokalitete epike dhe mitike, duke gërshetuar jo vetëm kujtimet e saj, por edhe atë të kobit së kombit të saj.
Poetja përdor një gjuhë të atillë, ku lexuesi  shkrihet në ndodhitë me metaforën, duke e kthyer dhimbjen në vetëmohim dhe poezinë si një mjet drejtësie ndaj atyre që kanë vuajtur pasojat e regjimit të tmerrshëm komunist.
Pikërisht për këtë arsye, (duke e përsëritur disa herë në vargjet e saj), Velaj e përkufizon lotin në mënyrë eksplicite si “kristal” dhe “perlë e çmuar”, përkufizime këto të cilat i japin një aureolë dlirësie dhe shenjtërie.
“Zgavra e murit” ku është fshehur loti, deklaron vendin sekret, një strehë nëntokësore, ku dhimbja ruhet dhe fshihet nga syri i botës, si të ishte një thesar i brishtë, por jetik.
Gjithashtu, loti që shndërrohet“i njëjtë me piklën e qumështit të gjirit”, na përcjell ndjeshmërinë e thellë e cila bashkon delikatesën e jetës fëminore me gjakun, duke finalizuar kështu ndërthurjen e dhimbjes me ekzistencën.
Vargu: “Rrëshqiste, jargavitjej nga buzët e njoma të bebes” , është jashtëzakonisht origjinal dhe  unik. Loti jargavitet si vetë pafajësia dhe brishtësia e foshnjës së pambrojtur, copëz e vetë jetës së kulluar si qumështi.

Buzëqeshjet e qelqta” dhe "shpërndarja e dritës në yjëzim” e bëjnë poezinë akoma më magjike, duke e ngritur dhe shndërruar lotin në një lloj energjie të theksuar jetësore. 
“Qerpikët e djegur nga dielli” dhe “telat e qerpikëve”, janë metafora të fuqishme kundrejt kulmit të mundimeve, dhimbjes që përzhitet dhe lë shenjë, ashtu sikurse vuajtja që mbetet pezull dhe e padukshme për të tjerët, e fshehur pas një pamjeje të ngurtë e të vështirë për t’u përballuar. Loti përshkruhet si "qelibar”, ashtu sikurse kthjelltësia e kujtimeve të rezisueshme nëpër kohëra dhe dekada. 
Në këtë poezi, Velaj evokon edhe Perëndinë:
“Ju përgjërohem në Perëndi?”, duke i dhënë dhimbjes së saj një karakter të shenjtë, gati si kërkesë për drejtësi apo përgjigje nga një rend hyjnor, më i lartë se ai human. Por lotët,
zhytur llucrave, kanalesh e kallamishtesh,
duket sikur janë harruar dhe shkelur: 
"e shkeli një thunder çizmje e pamëshirshme"...
Në këtë egërsi, shfaqet dukshëm mizoria e pushtetit diktatorial, i cili shtypte dhe nënçmonte viktimat e pafajshme.
Lodhja deri në rraskapitje e kërkimit, dëshpërimi i kujtimeve, trupi që ecte "mes gëmushash, mes kallamishtesh të dendura"
është një udhëtim real në jetë, onirik, midis reve të dhimbjeve, aty ku kanë humbur bukuria, rinia dhe shpresa për të ardhmen.
"gjembat e pikëllimit dhe dhimbjes”, përfaqësojnë torturën jo vetëm fizike, por edhe atë të thellë psikologjike dhe morale.
“loti i viteve të pamëshirshme”, i jep zë pafajësisë së shkelur, veçanërisht asaj të një vajze 7 - vjeçareje me “sy të jeshilta” dhe “qerpikë të zinj”, përshkrim, i cili edhe pse vetjak, bëhet i përgjithshëm për çdo krijesë të pafajshme që ka përjetuar të njëjtën tragjedi. 
“Loti i ngrirë në buzën e njomë të bebes, i përzier me gjak dhe qumësht të nxehtë sise” , është trauma - dramë, e cila përfaqëson vuajtjen që lind tek një bebe e sapolindur, e veç kësaj edhe humbjen e ushqimit fizik dhe atij moral.
Vargu:“nga nxitimi /gjysmën e thithte / gjysma rrokullisej në të poshtë nga goja si kuti",
prezanton shkatërrimin, ndarjen mes jetës që humbet dhe asaj që ende reziston dhe vazhdon. 
Velaj përpiqet të shmangë “zërat e korbave”, dhe
kjo idealizon frikën nga parashikimet e vdekjes ose fatkeqësisë së pashmangshme të asaj periudhe. Shpesh, korbat simbolizojnë zi dhe terr, ndaj autorja mundohet t'i evitoj me vendosmëri.
Loti i saj, edhe pse i fshehur në zgavrat e mureve të epokave, vazhdon të rrjedhë ende sot, si lot i përjetshëm, si flakëz kandili, për të shndritur edhe në skutat më të thella në tempujt e kujtimeve.
................................................................................