Poezi nga Panajot Boli

Poezi nga Panajot  Boli
Ç’NGJYRË KA MALLI?
 
Në rrugicat e shpirtit brodha gjatë
Ç’ngjyrë kanë ndjenjat?
Pashë të kuqen, të bardhën, jeshilen, gri
I pashë të gjitha
Veçse të mallit s’e gjeta
Ç’ngjyrë ka ai?
 
Pyeta lisin e malit tim në vjeshtë
Ç’ngjyrë ka malli?
-Si gjethet e mi, i kuqërremtë, që përloten në erë
E unë mes acarit dridhem
Si qyqe i vetmuar
I pres në pranverë-
 
Doja të pyesja edhe hënën time të mirë
Ajo ndofta e di
Kalërova dritën e diellit në qiellin kaltërim
Ku je e mira ime?
U lodha, lotova
Dielli më la në perëndim
 
Dhe perëndimi ishte i kuqërremtë, i kuqërremtë
Pluhurosur me gri
Në heshtje përtypte pak dhimbje e nostalgji
Lisi ngulte këmbë
Ngjyrë të kuqeremtë
Si e fëmijeve të mi
 
Ngjyrën time ka malli, më thotë plisi i arës sime
Timen thotë shkembi gri
E zvedhur, si fytyra ime, hidhet porta në oborr
E turbullt,si imja, pohon lumi
Kur përlotet qielli
E më sëmbon në kraharor
 
Ngjyrën e myshqeve të gurëve të  mi
Rrugica e fshatit, ngulmon
Më përgjerohet me sy  terë naze mikja ime
Ngjyrën e buzëve të mi
Por,me tepër më ngjan
Me lotin e nënës sime
 
Ç’ngjyrë ka malli, sa herë pyes.. e pyes
Dhe prapë nuk e di
Ndofta e kuqeremtë, si ajo në përendim
Pluhurosur me mugëtirë
E kuqja që djeg
Grija ..trishtim
 
ÇAST ARRATIE...
 
Kur më buzëqeshin ca sy lakmitarë
E nata në gjumë më bezdis si gjinkallë
Kur poterja e djajve më cigris nervat
E  hipokrizia si kotele më sillet vërdallë,
I them agut të hap derën, e marr aratinë
Ta qetësoj pak shpirtin, aty  në lendinë
 
Nxiton të më shoqëroj puhiza më ledhe
Zgjohet lëndina e lan sytë me pak vesë
Më shtrëngon në bluzën jeshile me lule
Në vesh i pëshpërit ëmbël: Mirëmëngjes
Me orkestrën zbresin thellëzat tatëpjetë
Vals mbi ngjyrat e vesës, flutura e bletë
 
DILEMË..
 
Dita u lodh shumë sot
Me një shami të kuqe fshin djersët
Pas detit, fshehur aty
Plazhi u qetësua nga ethet e zharrmisë
Me erashka valët tani
I bëjnë freski
 
E valët voziten shumë sot
Përshëndetën diellin e i shkelen syrin hënës
E ftuan për pak shoqëri
U turren edhe pulëbardhat të dashuruar
Mbi krahët e detit
Të pinë kaltërsi,
 
Mbi rërë ca këmbë të shqetësuar
Nervozohen me të qeshurat e valëve me yjet
Ankthi, një siluetë kërkon
Si princeshë terë hire zbret edhe hëna
Po kjo, vajza ime e valëve
Prapë më mundon?