Cikël poetik nga Drita Haxhillari

Cikël poetik nga Drita Haxhillari
ZGJATMA DORËN
 
Nëse sërish
eci në errësirë, kuturu,
lërmë ta gjej vetë shtegdaljen.
 
Mund të më çjerrin
gjemba kryeneçë,
herë të bërë lëmsh
e herë veç e veç.
 
Mund të rrëzohem
në duelin e heshtur të mbijetesës.
 
Zgjatma dorën kur të kem sfiduar
dhimbjen në kaos,
të ngjitemi në kepin e shpresës.
 
(Poezi e shkëputur nga libri im i parë, "Lulja çeli përsëri" redaktuar nga Rexhep Shahu)
 
SI DIELLI TOKËS
 
Si dielli tokës,
si hëna natës,
si yjet qiellit,
si syri shpirtit.
 
Si zemra zemrës,
si buza puthjes,
jepmë dritë
të buzëqesh.
 
Kthema buzëqeshjen,
të çelë lulja përsëri,
të vazhdojë toka rrotullimin,
të mbështillem me ty.
 
Poezi e shkëputur nga libri "Kthema buzëqeshjen", redaktuar nga botuesi Rexhep Shahu)

 
MENDOJ...
 
Mendoj... për këdo,
për ty dhe për ata,
enigmë, diçka më gërmo:
çfarë jam e çfarë u tha...
 
Mendoj... vetëm për ju,
për gjithçka në këtë botë,
absurditet, nuk jeni këtu,
heshtja bart det me lot...
 
Mendoj... për këdo,
për veten, pa diskutim,
diçka ende më mundon:
a mundesh të jesh në vendin tim?
 
Mendoj e mendoj përsëri...
varg idesh mbështjellë në gri.
 
(Poezi e shkëputur nga libri "Pafajsi"
redaktuar nga botuesi Rexhep Shahu)
 
Përgatiti: Angela Kosta