BIOGRAFI DHE POEZI NGA AUTORI GËZIM AJGERAJ
Gëzim Ajgeraj lindi më 1967 në Malësinë e Vërrinit - (Kosovë). Shkollimin e mbaroi në vendlindje, kurse të mesmen e të lartën në Prizren. Gjithashtu studimet për elektronikë i mbaroi në Zvicër nga viti 1990 - 1995. Gëzim është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë. Që nga 23 marsi 2002 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës (SSV) si dhe anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë po në Zvicër. Prej vitesh Gëzim bashkëpunon me gazeta dhe revista të ndryshme. Aktualisht Argeraj jeton dhe krijon në Zvicër mbi 35 vite. Deri tanimë është autor i 213 librave si dhe pjesëmarrës i 40 revistave. Ajgeraj është fitues i çmimit si Shkrimtari më mirë i vitit 2014, dhënë nga Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, komuna e Prizrenit, (2014), çmimin e 1-rë “Abdullah Thaçi”, dhënë nga Biblioteka Mdërkomunale Prizren, (2020), etjer... Gëzim Ajgeraj është Ambasador i Paqes në botë që nga maji i vitit 2024.
ASGJË POS UDHËVE
Shekullit kërkoi myhyrin
Gjeografinë e botës shkel me pëllëmbë
Por s’gjeta asgjë këtij udhëtimi
Plaga e djeshme më mbeti lëvjerrë mbi shpinë
Si një këmbanë që thërret në harrim
E dekadat na i përpinë
Pipave të së shkuarës ua kërkoi degët
Askund s’i gjej as trungun
I ka tharë shekulli i harrimit nëpër udhë
Dhe sërish gjithçka nis si në ëndërr
Nga e para nisin udhët e ecin
Prapë në rikërkim të myhyrit të botës
Askund s’ka për t’u gjetur,
Askush nuk do ta gjejë
Pos mallkimit të harrimit
Dhe ikjeve e udhëve që vend nuk zënë
LARGËSIA HESHTJEN
E KA PLANDOSUR
Ëndrrat stepën përpara kujtimit
Se largësia u ka hyrë në mes
E malli digjet
Pas shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve
Gjithçka është lëvjerrë kujtimeve
Motet i shkruajnë nostalgjisë
As fijet e barit më s’ka kush t’i lëvizë
Në pyllin e flladeve ka rënë heshtja
Kënga e zogjve bie mbi lëndinë pa frikë
S’ka kush t’i trazojë krahët e tyre
Publiku i këtij teatri moti ka ikur
I kanë përpirë udhët e largësive
Mbi barishtet e pashkelura
Është plandosur heshtja
TY ENDE PO TA NXIJNË DRITËN
Ti ende po ecën nëpër teh shpate
Mbi gjemba lubish
Përbirohet rrezja e diellit tënd
Korbat e së djeshmes që iku
E kanë lënë pjellën e ligë
Të të verbojë ende qiellit tënd
Me njëmijë plagë të nxorëm
Nga korbat e veriut të zi
Ende s’po mund të ta shërojmë shtatin
Ende krrokasin mbetjet e liga shtatit tënd
Hapësirave të tua të dritës
Kërkojnë të ta nxijnë shkëlqimin e saj
Medet ti plaga ime që kullon
Sa herë rebelohem kësaj ligësie
Sa edhe fjala në varg pëlcet nga mllefi
PRITJE
Mbetëm vendnumëro me orën e ndalë
Moti na është prishur ritmi i orës sonë
E në fytin e atdheut shtrëngojmë litarin e pritjes
Loja e tërheqjes së litarit të etjeve klanore
Haptazi po stërzgjatet te sheshi
Publikun e mbyti gjumi përpara këtij akti
Kush ma i pari bani e tha
Përralla e kopalla për mizat e sokakut
I përbaltën monitorët me llafe e analiza
Pritja ka zënë myk mbi etjen e prishur
Zgjidhja është thartuar përmbi shpresën
E s’bën as edhe për farë
E publiku heshtjes e ka marrë arratinë
Gjeografitë e botës e udhët i pushtuam
Orë e çast kullat shteren
Mallkim i thonë kësaj përzgjedhjeje
Njerëzit e mi
Medet ç’ligësi të ka rënë për hise
E ta mallkojnë të ardhmen, vendi im!
………………………………………….
Përgatiti Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese