PËRURIM LIBRI NË VUSHTRRI
PËRURIM LIBRI NË VUSHTRRI
“Halit (Azem) Çuka-simbol i qëndresës shqiptare”, Monografi, Qazim Azemi
Bedri Tahiri
MONOGRAFI FAMILJARE DHE KOMBËTARE
I nderuari kryetar Ferit Idrizi dhe stafi qeverisës komunal!
Profesori ynë i nderuar, Anton Çetta përherë kishte një porosi: Studentë të dashur, nëse asgjë nuk krijoni, së paku shkruani biografitë e familjeve tuaja!
Figura e Halit Çukës (1879-1945), me trimëritë dhe të bëmat e tij, moti kishte zënë vend në kujtesën e popullit, por, mjerisht, qe injoruar e anatemuar nga pushtetet e kohës zezonë. Ky veprimtar e atdhetar i madh i çështjes kombëtare, bëri emër, jo vetëm në vendlindjen e tij, në Dumnicën e Poshtme e në Vushtrri, por gjithandej nëpër trojet shqiptare. Veprimtaria e tij atdhetaria e tij shtrihet që nga viti 1912, e derisa u likuidua me pushkatim, bashkë me të birin, Mustafën, nga forcat serbo-çetnike, në vitin 1945, në Vushtrri.
Kullat e Halit Çukës, ishin bërë sinonim i një qëndrese heroike kundër barbarisë serbe. Në to qëndronin e kuvendonin burra të motit, me nam e me kanun, ku merreshin vendime me peshë kombëtare. Trimi sypatrembur përherë ishte në krye të detyrës që kërkonte atdheu i gjymtuar. Ishte angazhuar në grumbullimin e vullnetarëve për ushtrinë e Hasan Prishtinës, mori pjesë në luftën e Merdarit e në ngritjen e Falmurit Kombëtar në Majën e Vesekovcit (sot Kodërflamur), u shqua në luftë kundër shpërnguljeve për në Turqi, u dallua gjatë votimeve të përgjakshme të vitit 1939, në mbrojtjen e Tregut të Ri e Sanxhakut nga çetnikët, në pajtimin e gjaqeve (në Islihat) dhe ishte shumë aktiv në organizatat e ndryshme ilegale, që luftonin për Shqipërinë Etnike, të cilat patën fushë veprimtari të bujshme në rrethin e Vushtrrisë.
Pleqtë tanë thoshin se botën e mbajnë tri shtylla: mençuria, trimëria dhe pasuria! Për fat të mirë, që të tria këto i kishte atdhetari Halit Çuka.
Autori i monografisë “Halit (Azem) Çuka-simbol i qëndresës shqiptare”, ka punuar me zell e me përkushtim të pashoq dhe materialin e mbledhur, si bleta nektarin, e ka konceptuar në kapituj, tituj e nëntituj, të cilët kanë një rrjedhë logjike dhe plotësojnë njëri-tjetrin, në mënyrë të harmonishme, duke na dhënë një mozaik të shkëlqyer rrëfimtar për ngjarjet e atyre viteve të stuhishme për etninë tonë.
Personalitetin e Halit Çukës e përplotësojnë dhe veprës i japin karakter shumëdimensional, duke kapërcyer atë familjar, jetëshkrimet për bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët e tij të shumtë, të cilat autori asnjëherë nuk i lë anash dhe u jep vendin e merituar. Të gjithë ata: vëllezër, miq, kushërinj, bashkëveprimtarë, dashamirë e atdhetarë të njohur, përherë janë krahë përkrahë me të, në beteja e në kuvende, në organizime e në veprime.
Në fund, lirisht mund të konstatojmë se libri “Halit (Azem) Çuka- simbol i qëndresës shqiptare”, i Qazim Azemit, është një realizim i bukur publicistik- historik, një monografi që na ka munguar, për Halit Çukën, për familjen e tij, me vëllezër, djem, nipa e stërnipa, që sot kalojnë mbi treqind anëtarë si dhe për bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë, për çka autori meriton një falënderim të veçantë!
Vushtrri, më 5 gusht 2022