Shqipe Hasani - Cikël poetik -II-

Shqipe Hasani - Cikël poetik -II-
SHQIPE HASANI
 
PERGAMENË
 
Në të sjelltë ndonjëherë udha tek unë
Kasollja ime i shëmbëllen labirintit prej mjegulle
Në melodinë e fyellit prej kallami
Derdh shpirtin e akordeve të hershme
 
Kjo natë pa fund e fillim
Le ta zërë dashurinë në zanafillën e saj
Ndoshta s’do të më gjykojnë
Pse vura në mugë vellon e bardhë
Pse ëndrrën vara në vend të lirës në qafë
Pse dogja pergamenën arkaike
 
Atëherë le të nisemi në udhëtim
Majë gishtërinjve
S’e di askush ku fillon fillon loja
S’e di askush ku vlon gjaku i dashurisë
Në kafkën e madhe të qiellit
Këndoma jetën në pemë balade
Thuaja emrin lotit pambarim
Derisa të rigojë shiu i natës
Dielli i ringjalljes të vezulloje gjirit tim.
 
NUK HESHT ZËRI IM
 
Derisa m’i more mirësitë e kësaj bote
Mbeta me iluzione shpresash
Duke pritur premtimet e dikurshme
M’i shtrydhe ndjenjat nëpër mugëtira
Derisa deheshe në hapje plagësh
Vetëm pse heshti zëri im
 
Nuk u frikësova as për hënën
Që tinëzisht ma more
Dhe mbrëmjeve më shikonte
Me yje që mbanin në duar
Dritën e thikave
 
Derisa pina ujin e turbullt
Pashë fundin e gotës
Pluhurin që m’ngjitej për zemre
Vetëm pse heshti zëri im.
 
Dikur më lodhën ëndrrat
Që vinin çdo natë
Nëpër udhëkryqet e gjakut
Derisa më mbeti vetëm hija
Dhe një çik fuqie që ma shpërbleu zoti
U zgjova, bërtita deri në qiell
Kurrë më nuk do hesht zëri im.
 
HARTË E PËRTHYER ATDHEU
 
Në mur
Midis gurëve të moçëm
End zemrën
Jo larg,lumi qeton
Etjen
 
Si ta shmang
Këtë trazim të ndezur
O atdheu im
 
Kush mund t’I numëroj
Shtatë million krerë
Pas vijave të përthyera
Etshëm skaj hartës
 
As sy i lodhur,as nisje
As braktisje
As mall
Vetëm një atdhe në gji
Dhe një premtim
I lënë peng.
 
DIMRI I DASHURISË
 
Nëse të takoj nesër
A do të të duroj për zemrën që e dua
E të mos digjem në përqafimin tënd
E të mos kënaqem para prushit të dashurisë
 
Ç’të bëj me ty
Që njëqind vjet e gjysmë shekulli më shumë
Pres të mbulohem me batanije
Të mos ftohem dimrit Siberian
Nga qyteti i dshurisë të të dua
Deri në ishullin e çmendjes
Të rrëfehemi veç unë dhe ti
Derisa të plakeshim për zotin e madh.
 
MËRGIMTARI BUZË DRINIT
 
Shko mërgimtar i dheut
Mbështetu këndit të murit Ilir
Aty kujto historinë që nuk hesht
 
Kalo përballë brigjeve të Drinit
Shiko nusen me foshnjën e shekullit
Murosur në themelin Arbëror
 
Ulu mbi urë dëgjoje dhembjen pa ritëm
Zbulo epokën që matej me fjalë-besë
Njëzet e katër orë shpalose shaminë e mallit
Nxirre Rozafën metaforë para diellit
 
Hyr në thellësinë kaltëroshe
Mbush një bucelë me ujë të ftohtë
Kur të vjen rrugës së mëmëdheut
Jepi fëmijëve nga një grusht të pine
Ta shuajnë etjen me ujët e bardhë të Drinit.
 
SHAMIA E PRITJES
 
A do të shihemi atje
Deti I ndarjes gjëmon mes nesh
Shaminë e pritjes
Mbështjellim në hark kujtimi
 
Më lësho një zë
Përballë thepave të shkëmbinjëve
Zërin tënd ma sjell era
Vetminë ta përmbytim
Kufijve të thyer
 
Sa qenka I madh malli
Diellin e puthjes ledhatoj
Nëzgjuarje valësh mbushur plot epshe
Të dashurisë
Larg më duket ajo varkë
Pres të vijsh apo te vij.