Mirela Leka Xhava (Biografi & Poezi)

Mirela Leka Xhava (Biografi & Poezi)
Mirela Leka Xhava
 
 Ajo ka lindur në qytetin e Elbasanit, Shqipëri.E apasionuar pas letërsisë që në fëmijëri, është botuar herë pas here në revista dhe gazeta të ndryshme.  Është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin « Aleksander Xhuvani » Elbasan.  Deri në vitin 2002, para se të emigronte në Francë, ajo punoi si bibliotekare në Bibliotekën Universitare të qytetit, ku ishte edhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Elbasanit.Vitet e fundit, poezitë e saj janë botuar në revista dhe gazeta prestigjioze në Shqipëri, Kosovë, Angli, Kanada, SHBA, Belgjikë, Bangladesh, Indi, Tunizi, Rumani, Bullgari, Itali, Republikën Domenikane, Hollandë si dhe në Francë, në faqet letrare online franceze, etj.  Ajo është aktive në panairet letrare në Francë, si dhe në letërsinë bashkëkohore, ku fitoi « Diplôme d’Honneur në 24th Printemps des Poètes -Sartrouville Francë ».
Është botuar periodikisht në revistën letrare Poètes Sans Frontières « Florilège » - Dijon, në Antologjinë Kanadeze të Poezisë Letrare në mbrojtje të fëmijëve « Etika dhe Edukimi Global », Antologjia Ndërkombëtare e Poetëve për Paqe – Tunizi, në Antologji «   Dritarja e Parisit » vëllimi 2  Poezi, në Antologjinë « Rrëfimet » Indi, në Antologjinë e Atunis Galaxy Poetry-Belgjikë dhe ishte finaliste e Festivalit Mesdhetar të Poezisë-Romë 2022 dhe vazhdimisht merr pjesë në konkurse letrare.
 Vepra letrare :
 «S’e dua dimrin në sy» (poezi) 1999
«Les fleurs de la rue Montesquieu» (Lulet e rrugës Montesquieu) – (Shqip-Frëngjisht).Shtëpia botuese «ADA» Tiranë 2022
 Së shpejti do të dalë me një libër të ri me poezi bashkëkohore.
 Aktualisht jeton me familjen në Bordo, Francë.
 
DITA E FUNDIT E VITIT
 
Ti do të bëhesh e shkuara ime
Jo një minutë, një orë, një muaj,
Por dymbëdhjetë në të njëjtën kohë
Dhe në orën dymbëdhjetë sonte ;
Unë do të të them lamtumirë !
Hej, mos mendo se do të harroj
Ti më njeh tashmë
Unë kam këtë mënyrë
Për të qenë e vërtetë kalendarit ngjyrë.
Për momentet e lumturisë që kam shijuar
Për dashurinë e pafund të atyre që dua
Dhe momentet e trishtuara që do mbaj,
Jo në kujtesë
Por në forcën që më jep krah çdo ditë.
Do të bëhesh e kaluara ime,
Jo një minutë, një orë, një muaj
Por dymbëdhjetë në të njëjtën kohë,
Dhe në orën dymbëdhjetë sonte ;
Unë do të të them lamtumirë !
 
MILANO AEROPORT
 
Më parë ikjet , mbërritjet më pas,më pas…
Si një eko përsëriten pritjet, përcjelljet
 
Ditëve e netëve u humbasin akrepët
Ç’orientuar koha humb veten e vrapin s’e ndal
E m’i kthen në sekonda ditët.
 
Akoma pa ardhur, po iki të dashurit e mi
Nga ty po iki e shtrenjta Nënë
Mallin qielli mbi krahë po e mban
Lotët e ndarjes ende s’janë tharë
Por avionët zemrën prej hekuri e kanë.
 
ATDHEU ËSHTË BRENDA MEJE
 
Brenda meje harta e vendit tim
Gjaku,
Fisi,
ADN-ja,
Eshtra,
Toka,
Varri.
Tek unë flejnë e zgjohen të gjitha.
Mpiksur në amalgamin e mbijetesës, kujtesës,
Gjurmët e të parëve të mi shpellarë. Pellazgët,
Ilirët,
Arbërit,
Dardanët.
Lindur ,
Vdekur e ringjallur
 
Epokë me epokë,
Thikë me thikë shpuar,
Coptuar prej barbarësh
E lëpirë plagët.
 
E nëse trevat, kapitullimet i kam falur
Për të vazhduar marshimin
Në tokën ku lulëkuqet mbinë prej gjakut.
Nuk fal absurdin ; ata që ia vrasin yjet qiellit,
E kaosin ia kthejnë natës.,
Vetëvritet atdheu im brenda farës.
E mundohem përherë të ripërtërihem jashtë të lë helmin që ngjyros gjithfarësh fjalët.
Atdheu ky binom
Si batica e zbatica
Si shkuma e ngjizur me valën
Atdheu është brenda meje
Në zemër kaq ngrohtë, kaq afër.
 
KY SHIU I VJESHTËS
 
Hedh hapat udhëtimit të tij të gjatë
Kujdesshëm, shtruar, ngadalë
Si një plak i mençur vjeshtës së tij
Bën bilançin e ditëve,netëve,stinëve.
Asnjëra e njëjtë,njësoj të gjitha.
Një jetë, një lumë ,një oqean
 
Shtratit të tij ,ka lënë pantoflat
Shtruar ky shiu i vjeshtës e ka marrë…
 
NË NJË * LAPS DE TEMPS 
 
Perspektiva e largët
Afrohet,
Zmadhohet
Hap krahët e pritjes së hershme
 
E ti ndjehesh si një zog i trembur
Zvogëluar
Përballë fundit të një kureshtje
Përplasjes se iluzionit dhe mirazhit
Para realitetit të mistershëm.
 
Ajo pikë dikur e largët
Shndërrohet në portën e lartë
Të një kështjelle gjer në qiell
Mbyllur pa mëshirë
Në një « laps de temps ».
 
*laps de temps = laps dœ tã- interval ose hapësirë kohe
 
MBI LUFTRAT DASHURINË !
(Fëmijëve, viktima të pafajshme të luftës)
 
Ju ishit njësoj, fëmijë, lojën ndanit
Bashkë
Me buzëqeshjen
E ç’rëndësi kishte urrejtja për ju, politika, kufijtë
Për ju nuk kishte barriera,
Bota ishte e bukur,
Qielli i pastër plot dritë.
Papritmas hëna u nxi, ëndrrat
Mbetën përgjysmë
Mëngjesi erdhi i ftohtë i ngrirë.
Të rriturit janë çmendur
Vrasin jetën në pafajësi.
Luftërat, vjellin urrejtjen
Ju mbillni dashurinë.
Mbi sytë tuaj përgjithmonë të
Mbyllur
Si mund të buzëqeshë dielli
Sërish ?!…