Poezi nga Panajot Boli

Poezi nga Panajot Boli
DOJA SONTE...
 
Të shtrihesha në breg doja sonte, pranë detit tim
Të vinin valët e të më përqafonin herë pas here
Të kuvendoja me yjet e të fletorja me të bukurin
Të dridhem në Qiellin e shtatë, kur t’i bie asaj dere
 
Kur përgjumja do  më vinte nga nanuritja e valëve
Vajzën Pulëbardhë do ta rrëmbeja nga krahët e tyre
Me një varkë të bardhë do të arratiseshim mes nate
Në mbretërinë blu të dashurisë të gjeja të tjera gjire
 
Kur do të puth agu malet, e yjet do më lenë shëndet
Buzët e një herë të vajzës kërkoj, por ajo s’është aty
Puhizat më shpupurisin flokët e deti  më lan sytë
Pulëbardhat qeshin me gaz e mbi valët bëjnë dashuri
 
SA HERË QË...
 
Nuk e di pse
Sa herë qielli jep shfaqje
Me retë e vrazhda gladiatorë
Unë bëhem
I çuditshmi spektator, misterioz
 
Dhe sot dita u bë gri..
Qielli kish shfaqje me shi
 
Dy zogj shoh
Me dylbinë e stërmadh
Si kapiten në kabinë, buzë dritares
Të ngrihen lart
Nga shkulmat e erës, në fundin e arës
 
Dhe në qiellin e shpirtit tim
Ca re mblidhen me nxitim
 
I shoh, ja, fluturojnë
Retë i presin krahëhapur
T’u prijnë në betejë  si borizanë
Me krrokëritje
Në fushën e nxirë, kasaphanë
 
Dhe retë në shpirtin tim
Presin një shenjë për shpërthim
 
Trimërohen zogjtë
E kokat mbështetin tek rrufetë
Si zgalemat e patrembur të Gorkit ngjajnë
Vallëzojnë me vdekjen
Mbi furtunën e frikshme oqean, të paanë
 
Dhe ndjej dridhjet, fluturim
Në korridoret e shpirtit tim..
 
Qielli tash mister
Me vringëllima shpatash të reve
Që muzgun e frikshëm herë herë ndriçon
Me flakërime zjarri
Si dyluftim  i egër bajlozësh ritmon
 
Qielli bubullin.. thellë rënkon
Befas një dritëzë në shpirtin tim rigon
 
Pres...shfaqja mbaroi
Retë e lodhura u tërhoqën kokulura
Dhe tashmë  fytyra  kaltëroshe e qiellit
Ndriti e rinuar
E larë me rrekëza drite të diellit
 
Në xhamin e dritares një sumbullë shiu
Me ngjyrat  e ylberit.....Nga mbiu?
 
U THINJ EDHE NOSTALGJIA
 
Shpesh, dhe më shpesh, më troket nostalgjia në derë
Më shkund nga supet, më thotë, na dil një copë herë.
 
Psherëtin natën vetmia dhe unë e vetme në vatër
Arkitektet merimangat endin, një skenë për teatër
 
Dhimbje jeshile në tjegulla, trarët harkuar nga peshat
Një kollë të thatë, të çjerrë, si pleq, nxjerrin menteshat.
 
Thellëzat vijnë në ag, dritares së dashur, dhomës ku flije
Ia thonë një serenate me zëra të ngjirur, një funebër zije
 
Nga dritarja gjysmë e hapur futet një fluturë e verdhë
Seç i thotë nënës sate në fotografi e ca puthje i hedh.
 
-Mos u mërzit- i thotë babit-në krah, me sy melankolik
Do vij djali me çantën plot, do  bëj kafet me shije në ibrik
 
-Hajde, ngrihu, më nxit nostalgjia, malli u mpiks, u bë gur
Ti, vizitor i trishtuar në galerinë shurdhe, shtëpinë pikturë