Cikël poetik
Alma Zenellari lindur rritur ne Kuçovë. Ka mbaruar studimet e larta dega psikologji. Krijimtaria letrare e botuar ne gazeta dhe revista letrare. Librat e botuar ne vite: "Pak dashuri", "Qirinjte e shpirtit i mbaj ndezur për ty", "Te ndjej", "100 te puthura", "Stine gruaje", "Prush dashurie", "Atehere kur ti " dhe një libër për fëmijë me titull ,"Një libër për yjet”, kandidat për çmimin e letërsisë për fëmijë në vitin 2020.
Krijimtaria si ne poezi, prozë, kritikë është vlerësuar ne shumë manifestime letrare në Shqipëri dhe jashtë saj. Ambasadore e paqes në vitin 2021. Punon me pasion në bibliotekën e qytetit të saj të lindjes, Kuçovë.
LIRIKË MALLI
Do të pres,
Ja këtu,
Tek ky kënd, tek kjo dritare
Ku vjen butë një rreze diell
Ku më puth pak dritëz hëne.
Ja këtu
Do të pres!
Pranë selvisë ku fryn një erë
Era degët ia përkul,
por selvia zë nuk nxjerrë.
Mos vono!
Brenda zemrës klith një mjelmë,
unë e tëra sy që qan.
Unë e tëra mall e breng,
Dallgë që vdes mbi oqean!
Ja këtu ku çel një ëndërr,
Nuk do të lodhem
Do të pres!
Ti nga larg pa fjalë, pa duar
Si një pemë në vjeshtë, më zhvesh.
BABUSH
Sa herë ulem pranë teje,
reja e shikimit tënd
bie në fund të shpirtit tim,
trazon nyjet e mpleksura të dhimbjes sime…
Ti bën gati një tufë rrëfenjash të përmallta,
me aromë ftonjsh e vadhëzash,
për mua.
M’i lë në prehër si yje,
zbritur nga qiejtë e zhurmshëm
të fëminisë.
Unë dëgjoj rrëfenjën tënde,
që s’më lodh kurrë,
Dëgjoj si rrëzohen
gjethet e mendimeve të tua,
i mbledh një nga një,
si thesare brenda kraharorit,
si prush, si zjarr i ndezur në vatër.
Më duhet ky thesar, ati im
(rrëfenja jote më duhet),
për të përballuar të gjitha stinët e jetës sime,
sepse pa ty, ato s’do të jenë më katër…
Sa herë vij tek ti,
flasim nga pak ashtu thjeshtë,
Sepse nuk dua fjalët të rrallohen,
si lejlekët që ikin në fundvjeshtë…
JAM GRUA PRILLI
Ti më ke pritur dhe më pret
Në të gjitha ditët,
Në të gjitha muajt,
Në të gjitha stinët. .
(Të gjitha pritjet mbajnë emrin tim..)
Luleborave u këndoje këngën që këndoja unë. .
Lutja jote djegur buzëve "mos shko mos ik"
yjezjarri rrëzonte nën qerpik .
Ti më ke dashur sa s'thuhet
Por unë jam grua prilli
Vij vetëm me lulet !
Por unë jam grua prilli
Vij me dallëndyshet !
Me sqepin e tyre thurr këngën e mëngjesit. .
Vij dhe sjell pranverë!
(Nën këmishën e pranverës të
nxjerrin krye lulevjollcat)
Ti më ke dashur sa s'thuhet
Ti më ke pritur një jetë...
Në zemrën tënde tani e di,
dallëndyshe tjetër s' mund të ketë.
PÉRSHPIRTJE
Sonte,
më zgjoi vaji i trishtë i një zogu.
Klithma e fundit,
varur në krahët e ngrirë të natës,
mbeti.
Në terr,
sytë si yje të veckël,
shigjetuan qiellin e përflaktë.
Nata e verbër
përgjon shpirtin e tij në ikje.
Përshpirtje!
QEPARIS I THYER
Sot pashë lotët e një burri
si binin në heshtje.
E unë s'munda t'i ndal.
Ndjeva peshën e tyre mbi buzë,
shpirti im klithte në heshtje,
zemra ime dridhej nga shikimi lutës,
yti.
(Oh, mos më shih )
Nuk kam përgjigje për pse-t e tua,
nuk gjej dot fjalë.
Ti qeparis i thyer,
më plagos gjymtimi yt.
Loti yt i stërmadh
lëkund botën time
dhe ndjej si zvogëlohem e tretem
bashkë me shpresën.
Si mund ta përtyp.
Si mund ta ndal këtë dhimbje.
Koha ecën.
akrepat ulërijnë,
shtyjnë me furri çastin e fundit
(nuk dua të mbërrijë,
nuk dua ta njoh atë çast)
Ra në gjunjë dhe qeparisi i fundit
zogjtë fluturuan të trembur nëpër qiell,
me krahë goditën retë.
Shi i ftohtë binte
mbi qepallën e rëndë të një burri.
MOS!
Mos e provoko lotin tim
zemrën time shpirtin tim.
Sepse një pikë lot,
është orteku i dhimbjeve të mia
fshehur shtegut të parrëfyer.
Është rrufeja e zjarrtë,
që godet lumturinë
brenda qiellit të syve të mi.
Është shtrëngata,
që prek cakun e fundit të zemërimit.
Është furtunë hidhërimi,
që shkul themelet e ekzistencës sime.
Ndaj… MOS