DIL E ÇIL LULE TË SHPIRTIT
Dil nga ai zhguall hezitimesh
që të majmën e u bëre kaba
apo invalid dyshimesh
i ke mbyllë ndjesitë fyshtave të butë të indeve
dhomat me ajër të burgosur e u zë frymën mushkërive
rreth rrotullimeve të ideve shterpa sikur veja-vesë
Dil
mos e prit zgjatjen e dorës së fshehtë
as për prarime stinësh
as prillin, derisa t`i çel metaforat e luleve të egra
nën majat plis bardhë
se si të rri ajo kokë mes ngritje-rëniesh
të valëve të gjakut prore
Dil
çil lulet tua të shkrolave
bëju së paku një karafil
shijo këndshëm kthjelltësinë e lëngshme
njëzohu me shpërfaqjet e buzëve
puthjeve të ajrit të majës
Dil gjithsesi
se mund t`i këputësh vargonjtë e lidhur në nyja
magjish pamundësie
shpërfill bidonin me ujin e nxehtë
të gomës shpinës nën këmbë vibron një gejzer
nuk do t`i presësh a do t`i riçojnë dhuntitë
ngjyrat në vetvete i ke
veçse gjeje vendndodhjen e shqisës
Dil
dil edhe në rrënojat e një tume
e të një legjende sy-verbër e dhëmbërënë
vendos një gur në kalendarin e stinëve
teshat e bukura mos i ruaj do të jenë demoduar
bari mbi kokë të thinjet model thinjosh
reuma nuk ka sy, por ka vesh
e para e ndien kristalizimin e pikës
erë-ëndjet bulëzimet e zverdhjet
ti shpalo pa i kapërcyer fletët e librit të jetës
dil në log
po mos iu dorëzo dijes mbi shtylla të avullta
të përshtypjes
të paska gënjyer, sikurse dje mahnitja
pa ngurrime sot vrullshëm të mohuaka dinamika
Dil
dhe mos iu shtang mësymjes
e ke dhe ti bukurinë tënde
jo vetëm dhimbjen
Përse më pyet:
a mund të përftoj nga shkrepjet
e armëve të mia metaforike
kundruall botës ngadhënjimtare
veçse mes përmes një pjellorie të ngastrës së pakët
dhe një maje plugu të kaltër
Dil
lutjet e tua sapo formësuan
harkun rrotullor të zeros
ndoshta u mjaftove t`ua prekësh shqisat ëndjeve
mos të jesh një dru me gishta pandjesie
në pikë-prekjet e majë gonxheve
mbi pore lëkurë avullore
mbi gjemba që i hap e shkrin harlisja
Dil
tej asaj (rr)jete vrimash për dalje apo mbetje
sprovohu të këputësh pranga të ndryshkura paragjykimi
pritave të zëna andej mbulesave me të zeza të bukurisë
fito, po munde mëshirën e Zotit të grabitur
apo statusin e invalidit
Dil
dhe shtjere majin të tërin në arkivin e shqisave
e shqisat le të derdhen në ngastra të shpaluara
mbill vjel e pjek guxim majë mendje e plug lapsi të kaltër
mandej le të pikojë mbi buzët tua të rreshkura
si luleshtrydhe lumturia
Dil
vil gjithë ato barishte Shën Gjergji
për rruazat e baraspeshuara të gjakut
përderisa nuk i ka shtrirë kthetrat përpirëse
kuçedër e lustruar prej katrorësh betoni e pllakash qeramike
futi në shqisat e pa topitura Bleroret ekologjike
larg menysë së gatimit prej miellit ëndërrimtar
po bien kallinjtë e pritjeve të dhuntive
po bien e përpihen plasaritjeve prej frymës
ajo që sjell çmendurinë e lumturisë
tashmë dil e bëja fora frymës së stinës