Vladimir Muça - Cikël me poezi

Vladimir Muça - Cikël me poezi
 Cikël me poezi
 
 
SARAJET E LIBOHOVËS
 
Madhështi kanë, por asgjë s’pipëtin,
Oborri ngjeshur nga gjurmë pashallarësh,
Qepenave merimangat endin me nxitim,
Një rrap i tharë nga urinë atllarësh.
 
Pështjellime kujtimesh, sofateve radhë-radhë,
Gjurmë e armëve si hije mbi mur,
Nga emri mbetur si lavdë,
Fisnikëria e fisit si një flamur.
 
Mbi gurë gdhendur buranë e Roshajve,
Ku zonjat mbushnin ujë, ka mbetur ashtu
I virgjër, ngadhnjimtar mes zjarreve,
O lavdë e fisit ku je? Ku?...
 
Ju s’ishit vdekëtarë në asht të kombit,
Në dhomën e madhe qanit hallin tim
Ku rreth sarajeve si Pllajë e Gobit
Frynin erërat me tërsëllimë.
 
O lavdë e fisit ku je?...Ku?...
Në këto saraje s’pipëtin njeri
Unë nipi juaj jam këtu! Këtu!
Si mes një tragjedie Eskili.
 
2018 Libohovë
 
SI VORBULLA E ÇAPONIT
 
Nga mendja s’më shqitet Vorbulla e Çaponit
Më tundon ngahera ëndrrat me vesë,
Shtjellë e saj, gropë e pafund,
S’i zija kurrë besë...
 
Dhe sot masmedia vorbull tjetër
Politikanë e njerëz i vërtit vërdallë,
Ujë i çmendur kthyer në letër
Mua të gjorin më linçon të gjallë.
 
Gjithfarë gjurmimesh si një Jahova
Vorbullohet njerëzia si në përrallë,
Një i çmendur, një popull e bën budalla
Në Foltore si një monark i madh.
 
Viti 2022
 
KORABI
 
Dikur shkova atje! Dimri ishte kryezot.
Nga guvat me borë sqepin nxirrnin përrenjtë
Nga pezmë e gjoksit, avuj flokë bore
Dhe për çudi, ndjesia poet.
 
Nuk kishte udhë mbi bardhësinë,
Shqiponjat qiellin çanin me krakim,
Mbi faqe mali një rrugëvijë
Në gjurmë dreri mora me nxitim.
 
Pyllnajë e bardhë ku koha nuk shterron,
Asgjë s’më vjen nga përshtjellimi i reve,
Ndjesinë poetike, kjo botë e redakton
Me lapsin e zjarrtë të një rrufeje.
 
1974- 2023
 
MANI I KOLZËS
 
Të erdha pranë
Të dy ishim plakur,
Mani kuqlash, i Kolzës që fëmi
Nën hijen tënde,
Me frutin i ngopur,
Pushtoja hijen plor dashuri
 
Të erdha pas vitesh,
Të ndenja pranë,
Shumë u dëshpërova
Kur të pashë të çarë,
Shikoja veten time:
Nuk isha më djalë,
I rrudhur, i thinjur,
Vite pa të parë.