Meri Bo - Cikël poetik

Meri Bo - Cikël poetik
POEZI E ËNDËRRT!
 
Unë e dua poezinë nga e pamundura.
 
Poeti është shërbëtor i plagëve të mëdha,
i një ëndrre që kufij s'ka!
 
Dua fundin qorr,
atë trandjen mes dashurisë dhe vdekjes,
nostalgjinë e pathënë të njerëzve të rraskapitur
që me dhembje kërkojnë një fillim të ri.
  
Poezia heroinë edhe në disfatë,
përgjak zemra në fushëbetejën e letrës
me luftëtarë prej fjalësh magjike.
 
Eshtë dhembja e përjetësisë,
lindja e çasteve të rilindur!
 
Fluturimi i saj në eter
është shkaku i shërimit tënd
nga e përkohshmja, nga vargojtë e kohës.
 
Poeti përqafon njerinë dhe sheshet me baltë
i bën oborre mrekullie
ku ti të përjetosh pavdekësinë,
atë gjendjen e përjetshme
ku ëndrra bëhet romancë.
 
Poezia e ëndrrës ka krahë të pakufijtë,
valëzon djerrinave të fitores si heroinë.
 
Bota është e saja,
e saja dhe koha që do të vijë,
është çelësi i derës së shtëpisë 
që hap zemra dhe i bën ëndrra!
 
NË PASQYRËN E REVE
 
Shikoje trupin tënd të zhveshur
në pasqyrën e reve,
duke pritur të kalojnë
çastet që përjetuam.
 
Skaji i heshtjes
ka të njëjtën ngjyrë
dhe një kohë pa kufij,
dominuar nga fjalët.
 
Prek buzët
dhe mendimet e mia të lagura,
duke ndjekur gjurmët e heshtura të dëshirës.
 
E papritura e mbrëmjes
është ky horizont ëndërrimtar,
i larë nga drita.
 
Në veshët tanë
jehojnë ende britmat e orgazmave të tua,
gjurmonin vijat e pashlyeshme të ëndrrave
që tani rigjallen në dritë.
 
VALS ME VJESHTËN.
 
Gjithçka është zverdhur 
si një kujtim që tretet
në pasqyrën e një dite pa diell.
Zëra shpirtrash 
flutura drite
këndojnë në heshtje këngë shprese
nën hijen e një qielli të ngrirë.
 
Zogjtë,
pianistë të një simfonie të harruar,
na përshëndesin me nota të lagështa
duke luajtur fshehurazi
me petale të humbura të verës.
Në qiell kërkojnë shkretëtirën 
aty ku prehen stinët e vjetra.
 
Shirat e parë 
letra të padërguara
bien në dritare,
ndërsa agimi zhvesh ngjyrat
si një pikturë që qan.
Era,
frymë e perëndive të buta,
vallëzon me gjethet
si me kujtime të shkundura nga raftet e zemrës.
 
Ne shkruajmë poezi
me bojë që rrjedh nga heshtja 
për verën që iku
si një dashuri pa adresë,
për ndjenja që nuk u thanë kurrë
nga frika se mos bëheshin pluhur
në ajrin e një fundi.
 
PËRTEJ RASTËSISË
 
Ne
u takuam atëherë krejt rastësisht,
siç takohet hëna me yjet,
dhe pranvera me gjethet.
 
Krejtësisht rastësisht u bëra dielli yt,
ndërsa ti një det malli.
 
Ngjyra e yjeve atë natë
nuk ishte e rastësishme;
vetëm pranvera i bashkoi në një.
 
Shpirtrat tanë dhe ëndrrat u bënë më reale.
Ti më kishe thënë
që dashuria është një magji 
por unë isha përhumbur brenda teje,
duke jetuar një romancë të gëzuar.
 
Bota, atë çast, kishte ndërruar pamje,
ndërsa ndjenjat tona
bënë rrëmujë syprinën e kalter të mallit.
 
Ndonjëherë, mund të takohemi sërish
por kurrë më rastësisht!
 
PËRRALLORE
 
Ajo dëshiron të zhduket 
qoftë edhe për një çast 
në rrudhat e fustanit të Hirushes,
ku koha zbret shkallët me këpucë qelqi
dhe zemra rreh në ritmin e një valsi të harruar.
 
Synon një aventurë
si ajo e një fluture që zgjohet brenda një petale,
dhe një princ që lind nga mjegulla,
me sy si hëna kur tretet në liqene.
 
Ajo e kërkon atë çast 
një çast që shijon si frymë bore mbi lëkurë të nxehur,
një dashuri që flet në gjuhën e dallgëve
dhe puth si muzgu plazhet e virgjër të Mesdheut,
në një dimër që s’ka emër.
 
Vështrimi i tij 
duhet të jetë penel që pikturon mbi shpirtin e saj,
njëmijë ëndrra me ngjyra që s’i ka parë as ylberi.
 
Një dashuri prej uji,
e trazuar si harpa e një sirene,
e brishtë si kujtimi në fund të një gjetheje.
 
Një pafajësi që vërtitet 
si një vorbull e padukshme,
që lind nga një prekje
dhe vdes nga një pritje.