PORTRETI I NJË DITE
Nderet qetësia në kakofoni lehjesh,
kjo uverturë është mjaft terapeutike,
ku luajnë qentë në skena ballkonesh,
me vrulle zemërimesh sporadike!
Një kat më poshtë dy gjitone pijnë kafe,
bëjnë thashetheme e tregojnë me dorë
nga dritarja e profesoreshë Magdalenës:
“- Pse, s’e di ti!? Ajo e përdala ka dashnor!”
Nënë Sania e varfëra punon me shtiza
triko e çorape për djemtë në kurbet,
vështron celularin që s’bie asnjëherë
dhe flet me vete se s’ka me kë flet!
Po ndjej se po dridhet krejt pallati,
për një çast mendova mos qe tërmet,
ah… jo, jo, është fqinja me trapono,
që po shpon murin në katin e tetë.
Në rrugë duket xha Zequa sarhosh,
si marinar anijeje duke u tundur,
me dorën lart ngre një shishe birre
sytë nga qielli, ndofta, duke u lutur.
Rrotullohem e ngrihem nga shtrati,
si të kem gjumë në këtë zallamahi?!
Në mes të natës po kërcet një dasmë,
qetësia, këngës ia ka marrë tani!
Shami e beqarit po digjet në valle,
kalendarit varur i digjet një fletë,
mes kakofoni lehjesh e këngë dasmorësh,
ditës që shkoi i bëj një portret!