Dibran Fylli - ASHTU MË QUAJNË

Dibran Fylli - ASHTU MË QUAJNË
ASHTU MË QUAJNË
 
...edhe andej e këtej urës më quajnë shqiptar
edhe në kodrat e larta të Shalës
edhe në Brezovicën e bardhësive
edhe në Pashtrikun plak
edhe në maje Qyqavice
 
edhe kur lind e përvëlon
edhe kur perëndon dielli më quajnë shqiptar
edhe stinët e motit
edhe dimrat e gjatë
edhe në errësirën e natës ashtu më quajnë
 
lakmitarëve të tokave të huaja
ora po iu numëron mbrapsht
se mua edhe para ardhjes së tyre
edhe para lindjes së stërgjyshërve të tyre
edhe në historinë e tyre ashtu më quajnë
edhe miku
edhe armiku
edhe vet zoti më quan shqiptar...