Mësuesia është mision
Më datën 06/03/2024, në Fushë Kosovë u ndodha në aktivitetin kushtuar veteranëve arsimtarë e, sidomos kontribuuesve të cilët nuk reshten asnjë dekik për të përcjellë ndër breza mësimin e gjuhës shqipe. Ky aktivitet u organizua nga shoqata Plus Kult me kryetar Përparim Uka! Mësuesia është mision, u ndjeva me fat që isha e pranishme në këtë aktivitet ku spikatet thjeshtësia dhe urtësia. Kjo plejadë mësuesish janë pjesë e gjallë e historisë. Kohërat janë sjellë keq me historinë, po, politika Evropianë dhe jo vetëm, i ka borxh këtij kënd globi. Lavdi ZOT-it që ky kënd globi është burim i vetëmohimit për të mbajtur të ndezur dëshirën për liri, për dituri. Kosova është djep i lirisë, Kosova është burim frymëzimi i atdhedashurisë, këtë e kanë vulosur me praktikën e tyre mësuesit që edhe pse në kushte kritike për jetën, ata nuk braktisën kurrë mësimdhënien. Kaq e kaq histori kam dëgjuar dhe lexuar, është mahnitëse të dëgjosh rrëfenja nga jeta e tyre nga rrugëtimi i tyre profesional. Dita e mësuesit është festë mbarëkombëtare e pra, pata nderin të jem edhe unë e pranishme në zemrën e Dardanisë antike.
Më takon të falënderoj kryetarin e shoqatës PLUS KULT, dua të përcjell mendimin tim për këtë aktivitet. Sinqerisht ndjehem e vogël të shkruaj për këtë manifestim letrar e kulturor. Pjesëmarrja ishte mbresëlënëse. Organizimi mjaft i denjë. Hapja e aktivitetit u krye me himnin kombëtar, të gjithë të pranishmit e shoqëruan himnin duke qëndruar në këmbë në shenjë respekti. Në foltore mësuesit shpalosën me krenari legjitime, rrugëtimin e tyre historik. Po vitet 1990-1999, janë vite që do të rrëfehen brez pas brezi!
Faleminderit MËSUES!
Faleminderit Shoqata Plus Kult!
Faleminderit zoti kryetar Përparim Uka!
Nga Dodona Qose