Letër frëngjisht e Faik Konicës dërguar Baron Goluchovski, Ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë.
ZOTI BARON
Kam nderin t’ia prezantoj Shkëlqesisë suaj, përmes kësaj letre, një rezyme të shkurtër për takimin që kemi pasur dje.
Të gjitha çështjet tjera që na preokupojnë duhet të shtrohen në pikëpamje të trefishtë :
-Synimi që duhet të përcillet;
-Mjetet e nevojshme për ta arritur;
-Pengesat me të cilat ballafaqohemi këtu dhe që duhet t’i mbizotërojmë.
Qëllimi që duhet të arrihet është ky: 1. Zhvillimi i ndjenjës nacionale shqiptare dhe t’i bëjmë të gjithë shqiptarët e vetëdijshëm për dallimet radikale me turqit. 2. Të grupohen të gjitha forcat përreth një sfere të vetme, në mënyrë që veprimi i përbashkët, i cilës do natyrë qoftë ai, të bëhet i mundshëm; 3. Të bëhet e ditur se shqiptarët e kuptojnë vetë duke qëndruar në limitet legale dhe të respektit ndaj autoriteteve të vendosura, ku ata duhet, nëse ngjarje të papritura e shpejtojnë situatën e çështjes së Lindjes, të drejtojnë aspiratat e tyre për interesat e tyre ekonomike dhe intelektuale.
Mjetet që duhet të përdoren janë : a) Gazeta, e shkruar në toskë, në gegë dhe në frëngjisht do të botojë : këngë popullore, kronika historike, poezi patriotike, çështje ekonomike, nota politike të paraqitura në forma të ndryshme, në atë mënyrë që të mos ngjallet përbuzja e Portës së Lartë nga komentimet armiqësore dhe as të mos shndërrohen shqiptarët në favor të Portës me komentime që e ngrenë në qiell atë, korrespondenca nga të gjitha këndet e Shqipërisë, si dhe të vendosen lidhjet konstante dhe të rregullta në mes të gjitha qyteteve shqiptare; letra nga Serbia, Bullgaria, Greqia, Bosnja; indikacionet e reformave të nevojshme; në secilin numër një kronikë dashamirëse mbi të gjitha religjionet e Shqipërisë, me qëllim të zhdukjes se paragjykimeve tek shumica e shqiptarëve që feja atyre ua mbron gjuhën e tyre kombëtare; e tjera, e tjera. b) shtypja dy apo tre herë në vit i broshurave në mijëra ekzemplarë, në të dy dialektet, në format të thjeshtë, ku ndjenja kombëtare do të zhvillohet me pyetje dhe përgjigje dhe ku politika direkte do të përjashtohet. c) Krijimi i një shoqate të përgjithshme (“Rilindja shqiptare”), anëtarët e së cilës do të ushtrojnë veprimtaritë e tyre faktike duke u mbështetur në atë që gazeta bën përmes pendës dhe statuti i së cilës do të përpunohet dhe nuk do t’u bëhet i njohur shqiptarëve para se të merr dritën e gjelbër nga Ju Shkëlqesi .
d) Korrespondencat duhet të vihen në lidhje të rregullta dhe të përcillen nga të gjithë shqiptarët të cilët do të mund të ushtronin një ndikim, cilido qoftë në drejtimin e dëshiruar. e) Dërgimi periodik i korrespondencës në Serbi dhe gjithandej ku ka shqiptarë të cilët kalojnë në Shqipëri gjysmën e vitit, me qëllim që atje të organizojnë degët e Shoqatës, t’u mësohet njerëzve të lexojnë, të shpërndajnë broshurat dhe sipas nevojës të organizojnë konferenca. f) Shkollat: këto duhet të jenë preokupimi ynë më aktiv, kur dihet që shqiptarët e duan krijimin e tyre shpirtërisht, por nga njëra anë mungojnë iniciativat e nevojshme, nga ana tjetër, profesorët. Do të duhej të dërgohen peticione ku të thuhet se sa janë të nevojshme shkollat që kanë bazën e edukimit, por duhet edhe një lëndë e turqishtes për t’i qetësuar shqetësimet e Portës dhe një lëndë e frëngjishtes dhe e gjermanishtes sepse kjo risi, jam i sigurt që do t’i entuziazmonte të gjithë shqiptarët. Shkollat do të pranojnë një drejtori të “Rilindjes Shqiptare”, e vendosur në Shqipëri, me qëllim që asnjë ndikim tjetër të mos zhvillohet nga profesorët për nxënësit dhe nga nxënësit në familje.
g) Religjionet : duhet të vihemi në relacion miqësor me të gjithë prijësit religjiozë dhe në veçanti me Bektashinjtë, ndikimi i të cilëve do të jetë i nevojshëm tani dhe për çdo kohë, pasi që ata janë një grup i kulturuar dhe i lidhur me drejtimin e tendencave autonomiste.
Pengesat që duhet tejkaluar : 1) më e rrezikshmja është mosbesimi tradicional dhe gjithnjë e më i madh i Portës ; (do të duhej të evitohej miklimi i qeverisë turke çfarë do të kishte një ndikim negativ në mendjen e shqiptarëve) të evitohen të gjitha kritikat, të merret një qëndrim korrekt dhe pothuajse miqësor dhe të luhet me një politikë të zonjë, të besohet që kemi të bëjmë me një lëvizje paqësore, thjeshtë intelektuale, pa qëllime politike. 2) një pengesë tjetër është urrejtja e krijuar në mes të shqiptarëve nga dallimet religjioze; por kjo pengesë do të zhduket me pajtimet, miqësitë e prijësve fetarë. 3) Propagandat e huaja, veprimet e tyre do të anulohen, nëse në mënyrë konstante dhe të vendosur, por pa pasione, ne do të vejmë në sytë e shqiptarëve faktet që do t’i denonconin këto intriga dhe nëse ua vejmë konsekuencat që do të përcillnin realizimin e tyre. 4) Shqiptarët jashtë vendit : është më se e nevojshme që autoriteti i tyre moral mbi shqiptarët të asgjësohet. Ne do t’ia dalim kësaj duke provuar me dokumente, që një pjesë punojnë për Italinë; të tjerët për Bullgarinë ose Greqinë dhe grupi i fundit për vetveten. Nga këtu, ne do të pajtojmë vullnetin e mirë të Portës e cila, kam arsye ta besoj, i kushton një rëndësi të madhe propagandës që vjen nga Bukureshti. Një domosdoshmëri tjetër e këtij veprimi kundër shqiptaro-italianëve dhe shqiptaro-rumunëve, është shtypi sepse pastaj opinioni publik evropian do të mësohet pak nga pak që t’i konsiderojnë si përfaqësues të shqiptarëve, çfarë do të ishte e gabuar, pasi që disa ortodoksë vetë dhe disa katolikë kanë ndikim që të dëgjohet zëri i tyre nga Bukureshti dhe muhamedanët shumicë në vend, nuk kanë dhënë prova që ta pranojnë vetëm “Albania-n “, por ky gabim i shtypit mund të pezullohet në momentin e caktuar dhe mund të zhbëhet.
Më në fund duhet të thuhet, në mënyrë vendimtare që të gjitha përpjekjet tona do të duhej të dominohen nga këto dy mendime: E para, të mos krijohet një parti, por të grupohen TË GJITHË shqiptarët rreth një qëllimi të vetëm ; e Dyta, gazeta, shoqëritë, shkollat, propaganda të gjitha duhet të bartin shenjat e një lëvizjeje spontane, ku asnjë mbrojtje, miqësi ose simpati nuk kontribuojnë në inkurajimin tonë.
Zotëri Baron, në rreshta paksa të gjerë është rezymeja e takimit që patëm dje. Kam menduar për të gjitha pikat dhe i kam studiuar me kujdes të gjitha detajet. Një raport periodik mbi atë çfarë kemi bërë do t’JU dërgohet Ju Shkëlqesi, përmes Legatës Mbretërore të Brukselit.
Ju lus Shkëlqesia Juaj, Zotëri Baron të pranoni përshëndetjet më të respektueshme.
Faik Beu i Konicës
(Trank Spiro Bej)
Vjenë, më 26 nëntor 1897.
(Nga gjuha frënge Ismail Ismaili)