POEZI NGA KUJTIM R HAJDARI
Kujtim R Hajdari është poet, shkrimtar, përkthyes, botues, kritik letrar dhe promovues shqiptar. Ai shkruan në shqip, italisht dhe së fundmi në anglisht. Tani jeton në SHBA.
Ai është finalist për "AUTORI I VITIT 2025" në Hollywood, SHBA, me librin e tij të poezisë ”Përmes dallgëve të jetës". Ceremonia për këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare u mbajt më 4 tetor 2025, në Hollywood Salon në Kaliforni, SHBA. Ky është çmimi i tij i dytë i madh pas fitores në "INTERNATIONAL IMPACT BOOK AWARDS" në 2024, ne Arizona, SHBA.
Deri tani, ai ka botuar 18 përmbledhje poezish, 3 novela, 2 vëllime me kritikë letrare dhe 4 romane si dhe ka përkthyer vëllime të shumta.
Ai ka marrë pjesë në mbi 60 konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë çmime të shumta në pothuajse në të gjitha ato, duke përfshirë kupa, diploma, çertifikata dhe shumë vlerësime të tjera.
Ka marrë pjesë në rreth 300 antologji kombëtare dhe ndërkombëtare në tre gjuhë: shqip, italisht dhe anglisht. Poezia e tij është përkthyer dhe botuar në mbi 25 vende.
Ai është botuesi i antologjisë "All Together" në Amazon, e cila paraqet krijues nga e gjithë bota dhe deri më sot janë botuar 10 vëllime.
PAQJA RËNKON
Dhoma të bardha,
Qetësi që zhurmon.
Një dorë fëmije e hapur.
Një klithmë që mbyt veten.
Ofshama, gati me lutje,
Era rreh mbi muret e plagosur.
Zogjtë kthehen sërish,
Mbi emrat që u harruan,
Vendosin dafina.
Një dritare rri hapur,
Pa sirena fton erën.
Mëngjesi i vonuar,
Mëson veten,
Si të qaj e të qesh.
Në erërat që rrahin globin,
Paqja nusëron trishtë.
S’dëgjohet asnjë bori,
Nuk shihet asnjë kurorë.
Vetëm qetësia,
Pasi frika,
Ka lëshuar thikën.
Psheretima dhimbjesh,
Mbysin pëllumbat e bardhë.
U NGOPA
U ngopa me ajrin e heshtjes,
Ku fjalët mbeten pezull - kufoma pa jetë,
Mendimet enden si re kaotike,
Në një qiell të pafund, të errët,
Me njolla e shenja mistike.
U ngopa me kujtime të vjetra,
Që si jehona të trembura në netë të frikshme,
Kthehen me zërat e mekur të së shkuarës,
Dhe ende më thërrasin si jetimë pa shpresë,
Si shpirtëra të përçudnuar, në mallkim.
U ngopa me çastet e humbura,
Që koha i mbyt në ujëra të turbullta,
Dhe unë i lodhur, i këputur
Tretem në brigjet e saj të frikshëm,
Duke pritur një valë të re,
Të më fshijë epitafin e dhimbjes,
Mbi gurin mortor të gëzimit.
U ngopa e prapë mbeta në kërkim,
Për një dritë që të më ndezi natën e ftohtë të mendjes,
Për një ndjenjë - t’më ngroh zemrën e akullt,
Dhe për një shpresë që t’më çojë diku,
Qoftë dhe në rrugë pa krye, qorre të së ardhmes,
Veç të ndjej se po lëviz, po bëj përpara.
PLAGË LUFTE
Qielli ka humbur blunë në tymë e flakë,
Struket nga gjëmime e lidh plagë vetëtimash,
Skifter çeliku që enden rrotull për gjak,
Mbjellin hekur në tokë e në zemra viktimash.
Toka dridhet e qan si zemër e trembur në arrati,
Ninullat heshtin e humbin në terr përgjithnjë,
Bijë që bien e kthehen në vaje e në elegji,
Nëna që presin me dhimbje e fshijnë lotët pa zë.
Era kreh barin me dhëmbë hekuri të përgjakur,
Gjen lodra që qajnë ku duhej të ishin rrënjë bimësh,
Toka ka humbur aromën e ëmbël të stinës së saj,
Nga lotë fëmijësh, britma nënash, dhimbje brinjësh.
Këto sjell lufta.
NDOSHTA NJË DITË…
(Një derë rri kyçur prej vitesh,
dikush nga larg paguan detyrimet
por s’behet i gjallë kurrë.)
Përpara meje rri heshtur, braktisur
E shikoj me frikë e me dhimbje,
Sa gjatë do të qëndrojë pa trokitur?
Sa gjatë për dikë do të jetë në pritje?
Hije të thella e sekrete që flenë,
Qëndrojnë shtangur, nën psherëtimë,
Nën heshtjen shurdhe që vitet kanë lënë,
Hesht e kaluara, asnjë regëtimë.
Rrjeta merimangash, pëlhurë e endur,
Rreth kornizës, një histori e pikëlluar,
Ç’ëndrra apo frikë rrinë aty fshehur,
Përtej atij pragu, memec, të errësuar?
Në çdo frymëmarrje, ajri rri mbytur,
A do gjejë guximi forcën dhe njëherë,
Këtë pyetje që varet e në mistere zhytur
T’i ndezi një dritë, të hapi këtë derë?
Rri heshtur porta e merimangat qetë,
Thurin rrjetat e ruajnë fshehtësitë.
Ndoshta një ditë koha humb durimin e flet,
E zbulon gjithshka: të fshehtat, marrëzitë.
Ndoshta një ditë…