Kujtim Hajdari - Bografi & Poezi (Përgatiti Angela Kosta)

Kujtim Hajdari - Bografi & Poezi (Përgatiti Angela Kosta)
KUJTIM HAJDARI
 
Kujtim Hajdari lindi në Hajdaraj, më 10 prill 1956, në qytetin e Lushnjës, Shqipëri. Ai ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme si dhe shkollën e mesme mekanike, dhe më pas ka ndjekur studimet universitare në gjuhë dhe letërsi në Elbasan. Fillimisht ka punuar si mekanik, dhe pasi është diplomuar, punoi mësues i gjuhës dhe letërsisë në shkollat e mesme.
Ai filloi të shkruajë në një moshë të re, me poezitë dhe krijimet e tij duke u botuar në gazetën lokale dhe revistat si "Shkendija," "Drita" dhe "Zëri i rinisë" gjatë viteve të shkollës së mesme dhe të shkollës së lartë. 
Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai përgatiti tre vëllime: një me poezi me titullin "Do të vijë pranvera?", një me tregime të shkurtra me titullin "Violinisti," dhe një dramë me titullin "Netë pa gjumë." 
Por veprat e tij nuk panë dritën e botimit se poeti u akuzua për frymë antiparti.
Pas ndryshimit në sistemin politik, ai u largua në mërgim në Itali, ku kaloi shumë vite e më pas u vendos në SHBA, ku është dhe sot. 
Për një periudhë të gjatë kohë, ai ndaloi shkrimin për shkak të demoralizimit të shkaktuar nga mospublikimi i vëllimeve të tij dhe kërcënimeve që iu përball si shkrimtar i pakënaqur, si dhe sfidave të familjes dhe vështirësive të izolimit. Ai filloi të shkruajë përsëri, pas një pushimi prej rreth 25 vitesh, kryesisht poezi në shqip, italisht, dhe më së fundmi, në anglisht.
Edhe në Itali dhe në SHBA, ai vazhdon të shkruajë dhe të jetë aktiv, duke publikuar rregullisht vëllime poezie, duke marrë pjesë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare të ndryshme, dhe duke ndarë poezinë e tij në shumë platforma online dhe në publikime të ndryshme. Poezitë e tij mbulojnë një gamë të gjerë temash, me një fokus të rëndësishëm në çështjet dhe sfidat e izolimit si dhe veshtirësive të jetës sidomos në mërgim. Ai shkruan kryesisht poezi të strukturuara, por eksperimenton me sukses edhe me poezi me varg të lirë.
 
VËLLIMET POETIKE:
1. "Mbrëmë isha pa ty" në maj 2018, botuar nga "Create Space" në SHBA.
2. "Mbrëmë isha pa ty" një botim tjetër (me ndryshime të vogla), pothuajse autentik, nga "ADA" në Tiranë.
3. "Do të vijë natën" në shtator 2018, botuar nga "Create Space" në SHBA.
4. "Emri i bukur dashuri" në mars 2019, botuar nga "ADA" në Tiranë.
5. "Do t'u them..." në tetor 2019, botuar nga "ADA" në Tiranë.
6. "I dolori del cuore" botuar në janar 2020, në Romë, nga "Aletti Editori," në italisht.
7. "Pse bëjmë kështu" në qershor 2020, botuar nga "ADA" në Tiranë.
8. "Kur shkoj në fshat" në korrik 2021, botuar nga "JOZEF" në Durrës.
9. "Come i fiori di aprile" në italisht, në shtator 2021, botuar nga KDP Amazon në Poloni.
10. "You are everywhere" në anglisht, në nëntor 2021, botuar nga KDP Amazon.
11. "Udhëve të Botës" u botua në janar 2022 nga shtëpia botuese "Botimet Jozef" në Durrës.
12. "Do të vijë natën" ribotim, i ripunuar, në janar 2023, Durrës, Shqipëri.
13. "You are everywhere" në anglisht, i ripunuar, në nëntor 2023, botuar në SHBA.
14. "Through the waves of life" Përkthimi nga shqip në anglisht. (Antologji me poezi të zgjedhura nga 10 vëllimet e botuara), janar 2024, nga KDP Amazon, SHBA.
15. "I ngrita të rënët" 2024, nga shtëpia botuese "Botimet Jozef" në Durrës.
 
PUBLIKIMET NË ANTOLOGJI TË NDRYSHME:
Deri më tani, ka marrë pjesë në 62 antologji, 12 kombëtare dhe 50 ndërkombëtare në tre gjuhë: shqip, italisht dhe anglisht.
Antologji me pjesëmarrjen e poetëve të njohur nga shumë vende të botës.
Poezitë e tij janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, SHBA, India, Rumani, Marok, Egjipt, Danimarkë, Pakistan, Bangladesh, etj 
Ka marrë pjesë në shumë kompeticione kombëtare e ndërkombëtare ku ka fituar çmime të shumta në vende të ndryshme të botës.
Në gusht të 2024 fitoi në SHBA çmimin INTERNATIONAL MPACT BOOK AWARDS.
 
IKËN DUKE NAPRITUR ME LOTË NË SY
 
Të vjetërit prehen në heshtje këtu, në kënd,
Në këtë pyll mermerësh, nën ullinjtë e lashtë,
Ndoshta e ndjejnë sot dhe hapin tim të rëndë,
Dhimbjen që fshikullon e më ngrin këtu jashtë.
 
Të afërm e të njohur përreth, kudo i ndesh,
Shëtis dhimbjen time e mallin shpërndaj,
Ndjej se gjithë mermerët i kam si peshë,
Kur kujtoj se na kanë pritur me syrin në vaj.
 
Një copë rè shoh të grisur mbi gjineshtra,
Si një shami lotësh të djegur e copëtuar,
Afrohem ngadalë sikur shkel mbi eshtra,
Të lexoj amanetet në blu-në e vjetëruar.
 
Të dëgjoj një fjalë nga pemët që flenë,
(Me siguri kanë folur kur s'na prisnin dot më,)
Thonë se pema e vjetër jehonat i kthen,
Sa do të çmallesha t'u dëgjoja pak zë!
 
UDHËVE TË BOTËS
(Duke zbritur në New York, SHBA)
 
I madh aeroporti, i bukur,i pafund,
Në këtë vend të largët e plot zhurmë, këtë natë,
Këmbët, nuk di pse po më rëndojnë kaq shumë,
Drejt daljes, kur shkoj, gati i tërheq zvarrë.
 
Mendime të ndryshme seç më vijnë e bluaj,
Për njerëzit e mi, që rrinë diku, atje larg,
S'do t'më prisnin si këtu, ky vend i huaj,
Do të bënin festë, kur t'më shihnin në prag.
 
Xixëllonjat, nën ngjyrat e pranverës,
Do të hapnin e do të mbyllnin sytë e zjarrtë,
Dhe mbrëmja, nën puhizën e lehtë të erës, 
Do të më qeraste me polenin e artë.
 
Do të më shihnin të dehur, sigurisht,
Rrugët e qeta e të dashura të fshatit tim,
Si bir do të më përqafonin ëmbëlsisht,
"S'ka gjë, do thonin, njeriu dehet dhe me gëzim. 
 
Këtu s'më vë rè asnjeri, kush jam unë,
Humbas mes turmës si pikë uji në oqean,
Me një barrë hallesh vij rrotull botës për punë,
Dhe shtrëngoj zemrën në kraharor që qan.
 
PO TË PRES
 
Në çmendurinë e saj dhe koha fluturon,
Diçka shkon e zhduket e diçka perëndon,
Ti kohën sfidove e s'mbete një kujtim,
Ta trazonte si gjethet vjesht'e shpirtit tim.
 
T'i mbete një këngë që vjen të pushojë,
Në mallin tim, për kohën që shkoi,
Me flladin e luleve këndon mbi tastierë,
Dhe gjithnjë më sjell të ëmblën pranverë.
 
Me zërin e bilbilit më thërret çdo mëngjes,
Nga lulet e lara me të bukurën vesë.
Më shfaqesh me rrezet e agimit përtej,
Dhe unë mbaj zemrën që të mos shpërthejë.
 
Kurrë s'do t'krahasoja më bukur një diell,
Me gazin tënd që aq pranë më ndjell,
Je larg, po ti afër më vjen kaq shumë,
Sa nuk di ç'të bëj, veç hap krahët dhe unë.
 
Përgatiti Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese