Begzad Baliu, (poezi)

Begzad Baliu, (poezi)
LUTJE NË SINAGOGËN E MADHE NË BUDAPEST
 
Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë
brenda një shtëpie që e shtynte vala e Cunamit
Është Eni
Lutu për të!
 
Shën Mëri
Sot kam parë në gazetën ditore një fëmijë
të shtrirë për bukën e gojës mes refugjatëve të Afrikës
Është Eni
Lutu për të!
 
Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë në Indi
me duar të shtrira drejt Nënës Tereze
Është Eni
Lutu për të!
 
Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në ëndërr Enin
që përpiqej të më thoshte një fjalë 
Është Eni
Lutu për të!
 
Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV babanë e një fëmije tek lutej në portën e Parajsës
Është babai i Enit
Lutu për të!
 
Budapest, më 12-13. 3. 2011
 
NË KISHËN E SHËN STEFANIT
 
Jam para teje Shën Mëri
Jam burrë tradicional dhe përuljen nuk e duroj
Të shoh e më sheh në sy
Dhe kamera mbi kokë na qëndron
 
Ti mban në dorë Krishtin
Unë mbaj në dorë një qiri
Unë ja po lutem për Krishtin e Shenjtë
Ti lutu për Enin tim
 
Ka kohë s’kam parë një grua
Një grua kështu thellë në sy
Veç jo për një lutje të marrë
Është lutje për ne të dy
 
Ti lutje kërkon me shekuj
Ma fal bekimin shekullor një orë
Një burri të ngurtë, pak ateist, i përlotur
Që sot lutet me qiri në dorë
 
Budapest, më 12. 3. 2011, në Kishën e Sfeti Stefanit
 
FESTIMI I KËRSHËNDELLAVE NË KATEDRALEN “NËNA TEREZE” NË PRISHTINË
 
Festë e Kërshëndellave ka zbritur në Prishtinë
Mes të ftohtit dhe mjegullës së zezë, si futa e përrallave të gjyshërve tanë
Rri strukur katedralja “Nëna Terezë”, si e vrarë në faj
 
Mbretëresha Teutë harruar nga Evropa, pret në karrigen e parë 
Hesht si të kishte dalë nga pikturat naive të Amanda Wite
Pret të vinë brenda politikanë që kurrë nuk i kanë besuar zotit
Ushtarakë që shajnë zotin sa herë japin urdhra
Fqinjët myslimanë që festojnë Ditën e Shëngjergjit më 6 maj!
 
Është natë dhe mjegull e dendur e Prishtinës Katedralen mbulon!
 
Ajo lëvizë ngadalë në të majtë e në të djathtë me sytë e hapur drejt Krishtit
Është ftohtë dhe në errësirën e mjegullës
Katedralja “Nëna Terezë” rrëshqet thellë vertikalisht në errësirë
Një dritë vetëm një dritë duket në fillim të shekullit që hymë
 
Ca zëra të paartikuluar vinë nga jashtë
Zëra që hyjnë nga dera, nga dritarja nga porta e kambanës
Ç’po ndodh
Mbretëreshë, grua, kërcu a fallxheshë
Kush je ti?
 
Mbretëresha Teutë ngrin në vend si një pikturë naive
Dhe nuk e lëvizin dot as rëniet e kambanës
Krismat e kambanës nuk vijnë nga lartë, po nga thellësi e tokës
Zërat shtohen por ende të paartikulueshëm
Gruaja kërcu kthehet nga Porta e madhe
Hapen kanatet e mëdha të Katedrales
Jashtë është ende errësirë dhe mjegullnajë – zi si futa
Zëra të përzier vinë gjithnjë e më shumë
Errësira i bënë më të frikshëm se ç’janë
 
Mbretëresha Teutë kthehet nga Krishti Mbret
Turma lutet: Allah!Allah!Allah!
 
Lutu Madhëri, lutu, edhe këta besimtarë të Zotit janë!
Krishti mbret ngre duart lartë, po zëri nuk i del a nuk i dëgjohet
Qindra njerëz: burra, gra, fëmijë, hyjnë me pisha të ndezura në duar
Hyjnë nga dyert e mëdha, nga dritaret, nga dera e kambanës
 
Paqe! Paqe! Paqe!
Pajtim! Pajtim! Pajtim!
 
Afrohen pranë gruas kërcu, pranë Krishtit Mbret
Për një çast hapet Kupola e Katedrales dhe qielli njëkohësisht
Kambana bie pa pushim dhe zëri vjen nga lart
Të gjithë drejtojnë duart lartë dhe shohin tek fluturojnë shpirtrat e Skënderbeut dhe Nënës Terezë
 
Kambana bie pa pushim
Qytetarët ngrenë duart lart ose bëjnë kryq
Bien në gjunjë e luten si në xhami
Mbretëresha Teutë i drejtohet Krishtit: ç’po ndodh Madhëri
Në vend të pishtarëve qytetarët mbajnë në duar librin e lutjeve
(Ajo afrohet sa te njëri sa te tjetri dhe i shikon me habi)
Krisht nuk e kanë në dorë Bibël, Kuran, Tevrat!
Në vend të tyre paskan romanin e Adem Demaçit, “Gjarpijt e gjakut” dhe librin e “Profeti” të Halil Xhibranit
 
Krishti i Madh, ku je?
Zoti i Im, cili je?
 
Prishtinë, më 31 dhjetor 2015-1 janar 2016