LAURA FICCO
Laura Ficco banon në Assemini në provincën e Cagliarit në Itali. Ajo është poete, shkrimtare dhe piktore. Fillimet artistike i ka në vitet tetëdhjetë si piktore krijuese në zhanre të ndryshme. Në 2003 i dedikohet shprehjes së ndjenjave shpirtërore, të kultivuara që në adoleshencë, duke shkruajtur lirika dhe duke u dalluar në mënyrë të veçantë për tematikat e ndjeshmërinë njerëzore.
Është anëtare e jurisë në konkurse të poezisë dhe prozës në nivel kombëtar. Ka shkruar mbi 700 lirika (të përfshira në mbi 80 antologji të çmimeve letrare), gjithashtu pjesë e përmbledhjeve të saj poetike. Është fituese e çmimeve dhe vlerësimeve prestigjoze në konkurse letrare ndërkombëtare. Ka botuar libra në poezi dhe prozë.
IRMA KURTI: A mund të na bëni një prezantim të shkurtër tuajin si njeri dhe më pas si autore?
LAURA FICCO: Më quajnë Laura Ficco, jam italiane dhe jetoj në ishullin e Sardenjës. Jam poete, shkrimtare dhe piktore. Kam një karakter të hapur, jam bujare dhe aktive. Kam qenë një fëmijë e ndrojtur, por me kalimin e viteve u bëra e guximshme dhe luftëtare për të luftuar betejat e vështira të jetës. Vlerësoj mbi të gjitha sinqeritetin dhe respektin, etikë kjo e fituar në edukimin rigoroz që kam marrë në familje. Adoleshente, kisha një shpirt melankolik, të vuajtur dhe altruist, i cili më izolonte në vetminë e dhomës sime për të kërkuar strehë mes rreshtave të një ditari. Situatat e dhimbshme dhe të trishtuara më shkaktonin vuajtje të thella, andaj isha gjithmonë e gatshme për të lehtësuar shqetësimet e të tjerëve.
IRMA KURTI: Si dhe kur filloi pasioni juaj për të shkruar?
LAURA FICCO: Në kontekstin e përmendur më sipër, pasioni u shfaq me qartësi në një shpirt që rrëmon në thellësi përvojat e jetës, duke u përcaktuar pa mëdyshje në dëshirën për të shkruar, qysh në moshën shkollore, për ta kultivuar më pas gjatë studimeve me një përkushtim të madh si dhe me rezultate shumë të mira.
IRMA KURTI: Kur e kuptuat se ishit e apasionuar për letërsinë? A kishte ndonjë poet apo shkrimtar që ju frymëzoi për ta ndërmarrë këtë rrugë?
LAURA FICCO: Interesi dhe pasioni për letërsinë u zhvillua sigurisht në studimet e shkollës tetëvjeçare, veçanërisht për veprat poetike të Giovanni Pascolit, të Giacomo Leopardit dhe Giosuè Carduccit. Nuk mërzitesha kurrë së mësuari përmendësh poezi, përkundrazi, kjo më magjepste, sidomos aktrimi. Më pas, erdhi koha e shkollës së mesme me veprat letrare të shkrimtarëve të mëdhenj në periudha të ndryshme kohore si: Alessandro Manzoni, Dante Alighieri, Francesco Petrarca, Homeri me poemat epike (Iliada dhe Odisea), Publio Virgilio Marone etj. Frymëzimi dhe pasioni ndaj magjisë së botës letrare lindën qysh atëherë, pa u shuar kurrë.
IRMA KURTI: Si veproni kur shkruani, ndiqni një projekt apo e lini veten të tërhiqeni nga dallga emocionale?
LAURA FICCO: Zakonisht, nuk ndjek asnjë projekt, pasi frymëzimi dhe emocioni më transportojnë brenda një konteksti të caktuar. Muza frymëzuese më çon në një dimension ëndrrash, që janë të prekshme dhe përcaktojnë lindjen e veprave, të krijesave të mia.
IRMA KURTI: Cilat janë vështirësitë që keni hasur në rrugëtimin tuaj letrar?
LAURA FICCO: Në fushën krijuese asnjë, ndërsa në sferën e botimeve vështirësitë ekzistojnë, pasi poezia është një art jo për të gjithë dhe si institucionet publike ashtu dhe botuesit nuk u ofrojnë autorëve mundësi të shumta për botimin dhe shpërndarjen. Ky është një limit për të arritur publikun e gjerë. Shtatë botimet e mia letrare (pesë me poezi dhe dy në prozë, si dhe një kalendar artistik poetik) që kam në arkivin krijues, janë rezultat i sakrificave, por dhe i kënaqësisë prej çmimeve të shumta të fituara në konkurse dhe manifestime të panumërta, duke përfshirë këtu çmimin e dytë në Çikago.
IRMA KURTI: A është e vërtetë që të shkruarit ka një vlerë të fortë terapeutike?
LAURA FICCO: Sigurisht, të shkruarit ka një forcë shëruese për zemrën; ajo i zbut shqetësimet, brengat, duke zgjidhur kështu nyjen e ankthit sa herë që mbi një fletë të bardhë hedhim frymëzimin dhe eksperiencat e dhimbshme në jetë.
IRMA KURTI: Jeni duke punuar në një projekt të ri? A mund të na flisni për këtë?
LAURA FICCO: Po, sapo kam përfunduar një roman me një bashkautor, të cilin e kam botuar së fundi. Ndërkohë, po shqyrtoj propozime të tjera për projekte interesante artistike - kulturore në të ardhmen.
IRMA KURTI: A mund të ndani një mendim, një opinion, një këshillë me lexuesit apo me vetë krijuesit shqiptarë?
LAURA FICCO: Ndihem e nderuar për vëmendjen dhe vlerësimin që më është rezervuar nga revista “Orfeu”. Ishte një emocion t’i përcjell mesazhet e mia poetike lexuesit shqiptar.
Kur shkruaj, unë zhytem në një botë fantastike që vetëm poeti zotëron, e ngjashme me një ilaç që lehtëson plagët e thella duke lejuar mbijetesën e qenies.
U drejtohem kolegëve, krijuesve shqiptarë që të mos reshtin së shkruari, për të krijuar pena të shkëlqyera që pasurojnë skenarin letrar, për të ndërtuar një botë të ngjyrosur me vargje, si një trëndafil i kuq në univers.
Falënderoj “Orfeu”, për botimin e vargjeve të mia të përkthyera me mjeshtëri në shqip nga poetja e talentuar Irma Kurti, si dhe për këtë intervistë të prezantimit të artit tim poetik duke më bërë pjesë të kësaj bote magjike artistike.
INTERVISTOI: IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
ITALI