Intervistë Saimir Strati (Intervistoi Fatmir Gjata)

Intervistë Saimir Strati (Intervistoi Fatmir Gjata)
INTERVISTË ME PIKTORIN E NJOHUR SAIMIR STRATI
 
F. Gjata: Përshëndetje Z. Saimir, ju falenderoj për intervistën! Ju jeni jo vetëm një piktor i jashtëzakonshëm, por edhe një personazh në mjediset artistike jo vetëm të Shqipërisë, por edhe jashtë saj, tashmë i mirënjohur dhe i mirëpritur nga artdashësit ballkanikë, evropianë edhe më tej. Është kënaqësi e veçantë të bashkëbisedoj me ju, pasi ju kam njohur në rininë time edhe fakti që po rishihemi pas kaq kohësh, më bën të zbuloj rrugëtimin tuaj në këto vite.
Saimir. S: Përshëndetje Fatmir. Faleminderit për konsideratën dhe mundësinë që më jepni të komunikoj me ju dhe nëpërmjet jush edhe me artdashësit!
Për mua Arti është një mundësi shumë e veçantë komunikimi, për ata që më njohin, por më e rëndësishme, për ata që më perceptojnë nëpërmjet veprave të artit. Siç ju e dini mozaiku -  gjinia e artit që unë preferoj dhe lëvroj së shumti - përbëhet nga pjesë të vendosura afër njëra-tjetrës. Duhet shumë dashuri dhe delikatesë, që këto pjesë në perfundim të veprës, të krijojnë një harmoni për sytë e shikuesit. Dhe kështu gjatë procesit të krijimit të veprave në mozaik, unë kam krijuar një mënyrë personale: çdo pjesë të vendosur në mozaik, ia dedikoj një miku. Një mënyrë kjo që të mund të kujtoj miqtë, sado larg janë ata dhe vepra në përfundim të ketë mirënjohje. Kështu, i dashur mik, në disa nga pjesëzat e mozaikut do të gjesh edhe ti veten.
F. Gjata: Dëshiroj që artdashësit dhe koleksionistët që nuk ju njohin ende, të mësojnë diçka për formimin tuaj. Si lindi Saimiri piktor?

Saimir. S: Mendoj se çdo njeri që nga lindja e tij, e ka artistin brenda vetes, por me kalimin e kohës kjo dhunti braktiset, për t’ia lënë vendin disa dëshirave ose ëndrrave që njerëzit mendojnë se do t'i plotësojnë në jetë. Unë s’e kam braktisur kurrë artin - edhe në ditët më të vështira - dhe tashmë, pas dyzet e pesë vitesh përvojë profesionale, ndihem i plotësuar artistikisht dhe gjithmonë në kërkim të risive në fushën e mozaikut.
F. Gjata: Antikonformizmin tuaj e kam njohur shpejt, atëherë kur të ishe i tillë, ishte e rrezikshme për shkak të rrethanave politike. Ishte inkoshencë apo modus vivendi e menduar?
Saimir S: Sipas meje, antikonformizmi është koncept paksa idealist dhe subjektiv. Gjatë gjithë karieres sime, pas shumë studimeve dhe hulumtimeve për artin, dhe sidomos për gjininë e mozaikut, shumë e rëndësishme për një artist është të krijojë individualitetin e tij artistik, të sjellë risi në fushën që ai krijon. Shumë e rëndësishme është të qenit bashkëkohor. Kjo nuk do të thotë që artisti nëpërmjet veprave të tij të ilustrojë ditët që jeton.
Sipas meje ILUSTRIMI ËSHTË ART, POR ARTI NUK ËSHTË ILUSTRIM.
F. Gjata: Në një pikë të caktuar të jetës suaj, ju kërkuat me ngulm edhe ia dolët të futeshit në Guines dei Primati dhe më vonë e keni thyer disa herë atë. Si ju lindi dëshira dhe sa i mundimshëm ka qenë ky rrugëtim për ju?
Saimir. S: Mendoj se çdo njeri në botë,  ëndërron të jetë së paku një herë i regjistruar në enciklopedinë më të madhe botërore GUINNESS WORLD REKORD. Unë ndihem i lumtur dhe krenar që jam registruar 11 herë në këtë enciklopedi të famshme dhe për t’u theksuar është fakti se nga 11 rekordet e mi në fushën e mozaikut, 8 prej tyre janë kategori të reja në Rekordet Guinness. Që do të thotë se nuk kanë ekzistuar kurrë më parë.
Sigurisht, kur je fëmijë ëndërron të jesh pjesë e Rekordeve Guinness, por më pas është jeta ajo që të rrëmben dhe kjo ëndërr ngelet ne sirtar.  Për herë të parë unë jam registruar në Rekordet Guinness në vitin 2006, me një mozaik gjigand të realizuar me gozhdë, në një siperfaqe prej 8 metër katrorë, me subjekt autoportretin e Leonardo da Vinci -t.
I përfshirë gjatë gjithë kohës në krijimtari, nuk e kam pasur qëllim në vetvete regjistrimin në Rekordet Guinness, edhe pse ia kisha borxh fëmijërisë. Në fakt, shkak u bë një dokumentar televiziv ku thuhej se teknologjia kishte arritur të shpikte një printer që mund të printonte Monalizën e Da Vinci -t në një cilësi të lartë. Nënqesha dhe thashë “e paskan gozhduar Da Vinci -n”.  Aty më lindi ideja që të realizoja një vepër arti, dedikuar Leonardo da Vinci - t, që të mos riprodhohej apo printohej nga industria. Shpirti nuk printohet.
Më pas, në të 11- të rekordet e mi Guinness, unë kam përdorur materiale industriale për të bërë art, për të qenë në “luftë” me sëmundjen industriale sot në botë, që kërkon të industrializojë Artin.
F. Gjata: Ju keni bashkëshorte një artiste të mrekullueshme - Aurora Strati. Ju ndihmon shkëmbimi i ideve me gruan tuaj në krijimtari? Dhe sa i rëndësishëm është ky fakt?
Saimir. S: Aurora është një bashkëshorte dhe një artiste që më ka qëndruar pranë gjatë gjithë karrierës sime artistike Saramago thotë “Janë disa gjëra që nuk thuhen me fjalë”. Ne kemi një jetë bashkë dhe çdo moment është si ato pjesët e mozaikut, që të gjitha së bashku krijojnë një vepër arti në mozaik. Ndihem me fat që Auroren e kam në krah në çdo çast. Unë mund te jem talent, por jo i përsosur. Aurora më ndihmon që të krijojmë dicka sublime: dashurinë.
F. Gjata: Keni ndonjë autor për të cilin do thoshit se ju ka ngacmuar apo shoqëruar, në të cilin jeni frymëzuar në fillimet tuaja apo më vonë?
Saimir. S: Arti është magji. Që në fillimet e mia kam lexuar dhe përcjellë historinë e artit. Artistët që më kanë frymëzuar me gjenialitetin e tyre janë: Leonardo da Vinci dhe Antonio Gaudi.
Ata që më kanë bërë përshtypje në fillimet e mia dhe më pas si profesionist, kanë qenë mozaikët e antikitetit. Gjithmonë pyesja veten me habi, si ka mundësi që mijëra vite më parë të jenë realizuar ato mozaikë të mrekullueshëm? Sot e kuptoj: është pasioni, durimi dhe më së shumti dashuria për të krijuar dhe lënë gjurmë në përjetësi.

F. Gjata: Duke parë që në fillimet tuaja kishit njohuri klasike, si dhe sa ndikoi njohja e pikturës moderne mbas viteve ‘90?
Saimir. S: Mendoj se për çdo artist të ri është shumë e rëndësishme njohja e historisë së artit, ku përfshihet edhe periudha klasike. Kjo shërben për të qenë i plotësuar si artist dhe i gatshëm për t'u përfshirë në artin bashkëkohor botëror. Unë, prej vitit 2004 jam anëtar i Shoqates Britanike të Mozaikut Modern ( BAMM ) dhe sot një nga katër artistët që udhëheqin Mozaikun Modern në botë, kjo për shkak të risive të sjella në fushën e mozaikut.
 F. Gjata: Çfarë planesh keni për të ardhmen? A mund të na flisni diçka për to?
Saimir. S: Jam në çdo moment në krijim e sipër dhe në kërkim të risive në mozaik. Gjatë vitit 2025 do të jem me disa ekspozita personale në Itali, me disa nga krijimet e mia dhe pjesmarrës në disa vende të botës me ekspozita kolektive. Në studio eksperimentoj vazhdimisht për të prekur të “pamundurën”.
F. Gjata: Ju falenderoj për intervistën dhe shpresoj të kem bërë diçka të bukur për publikun, që me anë të kësaj po njeh një autor dhe personazh të rëndësishëm të artit evropian.
Saimir. S: Faleminderit juve dhe gjithë kolegëve e artdashësve kudo që ndodhen!
 
Intervistoi: Fatmir Gjata, mars 2025