Idriz Berisha – Xhixhi (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Idriz Berisha – Xhixhi (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
CIKËL POETIK DHE DISA VEPRA ARTI NGA ARTISTI IDRIZ BERISHA (XHIXHI) - (KOSOVË)
 
Idriz Berisha lindi në Dobërdol të Klinës (Kosovë) nëvitin 1953.
Shkollën e Artit e kreu në Pejë ndërsa Akademinë e Arteve në Prishtinë. Nga viti 1972 - 1999, punoi si Profesor në disa shkolla në Komunën e Klinës si dhe zyrtar për kulturën në Drejtorinë e Kulturës DKRS derisa doli në pension në vitin 2017.
Si piktor përfshihet në rrjedhat e Artit Shqiptar nga vitet e 80-të përmes ekspozitave të përbashkëta e personale në SHAFAK (Shoqata e Artistëve Figurativ e Aplikativ të Kosovës dhe në shoqata të shumta kulturore, si në: Kosovë, Shqipëri, Itali, Austri, Zvicër, Francë, Gjermani, etj. Idriz Berisha është fitues i shumë Çmimeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare:

- Piktor i Vitit (2013)
-Artist i Shquar nga (AAP) PEGASI Albania
- Salloni i Nëntorit - Prishtinë
- Flaka e Janarit - Gjilan, etj...

 

Për artin e Berishës kanë shkruar studiues:
Prof. Dr. Hivzi Muharremi, Mustafa Ferizi, Nebih Muriqi, Prend Buzhala, Mr. Ishim Aliu, Gerhard Fitsh, Franca Cazarini, etj...
Përveçse me pikturë, Idriz Berisha (Xhixhi) merret edhe me poezi. Deri tani ka botuar 5 libra me poezi:
- BINDI I DHEUT (Poezi, 2012)
- UDHËTIM MES DY DRINASH (Poezi, 2014)
- NË Ç'KOHË TË GJETA (Poezi, 2015)
- NË CEP NATE (Poezi, 2019)
- VILARËT E BARDHË (Poezi, 2024)
 Idrizi është i përfshirë në disa antologji dhe në dy Enciklopedi (Fjalori Enciklopedik i AASHK) si dhe në atë të Akademisë së Shkencave Shqiptaro - Amerikane...
Idrizi është vlerësuar në disa konkurse letrare:
BARDI I, nga LSHK si dhe nga shumë konkurse të tjera, nga shoqatat letrare në hapësirat shqiptare.
 
VARGU I AMSHUAR
 
Kur dallgët godasin shkëmbinjtë
Vargu i amshuar çel lule
Mbi mure të dashurisë
Ditëve të vetmisë
Atë ditë kënga nis fluturim
Me ty e diellin tim.
 
Mëkatuan edhe muret e kalasë
Si hajdut që zemra vjedhin
I lajnë e i thajnë
 
I vranë e i shajnë
I qeshin e i qajnë.
 
Kështu vargu bëhet det
Sirenë, kep me kep
Varkë që detin tund
Me fytyrën tënde të bardhë
Prap të bardha mbesin valët
Me kujtime të rilindur
 
Simfoni harresash ishujve të gjelbëruara
Me dashuri të munguar
Pyll me statuja bareshash
Me aromë kujtimesh!
 
BRENGAT E JETËS
 
Kjo jetë si magji Përrenjasi
Me fytyrë të mistershme nate
Herë e bardhë si borë, herë futë e zezë
Si kafka të shpuara anë përtej
Grimcuara si lecka lypsari. 
 
Këto dyer të drunjta që era i lëviz
Herë kah lindja e herë kah perëndimi
Ngjajnë në rebelim matesh
Eh...
Jetë që rri pezull, as në tokë as në qiell
Frymon si mushkëri i vdekuri
Po shpirt nuk jep!
 
Foshnja kur mbrëmjeve qan
Nuk dihet u lind a po vdes?!
 
Një dorë dashurie rri e zgjuar
Ngjanë në bjeshkët e vrara barinjtë
Flakë shpirti, zjarr zemra e saj
Udhëton përtej gjumit të natës
E ëndrrave të kuqe.
 
Jeta është brengë në ecje
Si dashuri nëne që gjumin përkund!
 
PORTRET NËNE
 
Më fal për rrudhat, që t'i bëra Nënë!
Mbrëmjeve në dimër
Mbylle zemërimin tënd
Rrethuar me ne fëmijtë e tu
Zëra prushi në dritë vatre
Zemër nëne, zemër hëne.
 
Më fal për rrudhat poshtë syve!
Si harta t'atdheut të ndrydhur
Mallko vetminë nënëloke !
 
Zemër nëne, zemër hëne
Më fal për flokët e thinjur!
Pikturë Baroku me sfond gri
Rrugëve t'pluhurosura 
Ëndrra e rënda rinore 
Zvarrë ngrehin hijet e skamjeve
 
Zemër nëne, zemër hëne.
Me fal për fjalët e rënda plumb!
Me lër t'i puth rrudhat e vuajtjet!
Zemër nëne, zemër Herë.
 
PIKTURA IME
 
Pikturës sime që kaq gjatë rri varur
I kam borxh dy fjalë
Ti që kalëron imagjinatave të mia
M'i tret spektrit horizontal
E diku mes faqesh të bardha librash
E trazuar vjen në syrin tim.
 
Ti pikturë
Që kështu varur rri në mur
M'i ngjet rrudhave të ballit të nëntokës
Si diell pas malit shkëlqen 
Je muzë, je valë e dallgë n'kraharor
Ke aromë fushe
Ke bardhësi gushti.
Pikturë e shtrirë n'telajo
Merr mallin e vendlindjes
Andej bjeshkësh, fushash, kodrash e krojesh
Hap dyer e dritare, të futet ajri i përrenjve
Dhe kështu e varur pikturë
Prit agunë ditëve të bardha.
 
SYTË E DASHURISË
 
Dashuritë nuk mplaken
As nuk vdesin dashuritë
Ato frymojnë
Qoftë edhe në pllaka guri.
 
Kur zogu në lis hesht
Ajo këngë thahet e vritet.
 
Udhëtimi yt i fundit
Më mori në krah te porta pa emër
Pa emër, pa adresë, as pendesë
Me tha era:
Mbaje fjalën konstantinçe!
Dëshifro kode dashurie
Ëndrrave të bardha këndoju!
 
Të dielën e parë
Kambanat heshtën uratën
U përzien me ngjyra gjethesh
U mbyllën n'kuti zemrash
Si dhuratë lotësh
Ujëvarë malli që rrjedh bardhësive.
 
Porta e bardhë hapet pa njeri
Mësuar me krisma shekujsh
Pranverave sërish pëllumbat
Zbardhojnë çatitë e kuqe gjak
Pikturon krenarinë
Me të kuqe e të zezë.
 
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese