Germain Droogenbroodt - poeti belg
Germain Droogenbroodt -i ka lindur në Rollegem të Belgjikës. Ai është poet, përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer rreth tridhjetë libra me poezi gjermane, angleze, franceze dhe kastiliane, duke përfshirë veprat e autorëve Bertold Brecht, Reiner Kunze, Peter Huchel, Miguel Hernández, José Ángel Valente, Francisco Brines, Juan Gil-Albert, si dhe ka bërë përshtatje të poezive në gjuhët kineze dhe koreane. Shtëpia botuese POINT (POesía INTernational), e themeluar nga ai vetë, ka botuar më shumë se tetëdhjetë libra me poezi nga vende të ndryshme të botës. Droogenbroodt-i është zëvendëspresident i Akademisë Mihai Eminescu dhe bashkëthemelues i Shoqatës Universale të Poetëve të Japonisë. Po ashtu, ka qenë konsulent letrar i “Encuentro de Poetas del Arco Mediterráneo” dhe sekretar i Kongresit Mundial de Literatura.
Krijimtaria e tij poetike është e shumanshme. Për shkak të karakterit universal të veprës së tij - poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në 30 vende - si dhe personalitetit të tij, ai është ftuar shpeshherë në lexime dhe konferenca në shumë vende, si në Austri, Çeki, Sllovaki, Egjipt, Rumani, po edhe në Kore, Kinë, Tajvan, Nepal, Japoni e Meksikë. Në Egjipt ai është nderuar me titullin Doktor honoris causa në letërsi, për meritat e tij si poet, përkthyes dhe botues i poezisë ndërkombëtare. Po ashtu, është nominuar për çmimin Nobel për letërsinë në vitin 2017.
MEDITIM
Dëgjoje heshtjen
derisa heshtja
ta thyejë heshtjen
dhe të flasë me fjalë
që vetëm heshtja di
sesi t’i shprehë.
BURIM I PASHTERSHËM
Të arrish fundin
e pafundësisë
të lexosh orët e humbura
në vorbullën e kohës
ta përjetosh heshtjen
jo si zbrazëti,
por si plotësi
ta shpalosësh dritën
me hijet e natës.
SHKËLQIM
Me floririn e yjeve
të largosh hijet e natës,
të rivendosësh heshtjen
me fjalë drite
për të mos e përjetuar kohën
si humbje apo vegim,
por si shkëlqim kalimtar
të çdo çasti.
Përktheu Irma Kurti