Nexhat Ajdini (dy poezi)

Nexhat Ajdini (dy poezi)
KUSH MERR MIRËNJOHJE?
(Për të gjithë ata që e meritojnë)
 
Mirënjohja nuk merret me lutje,
as me fjalë që prore reshëtijnë.
Ajo u takon atyre që flijojnë,
dhe frymëzimet brenda u mbijnë.
 
E merr ai që s'di të lëvdohet,
që bën të mira dhe s’krenohet,
që punon me shpirt e me zemër,
jo që të përmendet veç në emër.
 
Mirënjohje merr mësuesi i urtë,
që si qiriri ngadalë harxhohet,
e merr ushtari që flet me pushkë,
kur liria e vendit të rrezikohet.
 
E merr nëna me duar të lodhura,
që rrit fëmijën çdo muaj e vit,
plaku që ruan fjalët e moçme,
që na mëson t'mos humbim traditë.
 
Mirënjohje merr edhe poeti,
që shkrimin në dritë e kthen,
që nxjerr nga zemra vargun e ndjeshëm,
vuajtjen e shpirtit në vargje e gjen.
 
E merr edhe ai me mendje të bardhë,
që diturinë nuk e mban për vete,
por e ndan me të rinj e me pleq,
si flladi veror që mrizon mbi dete.
 
Nuk ka nevojë t'përshkruhet pa nda,
as për shumë tituj e fjalë boshe,
mirënjohja ndonjëherë i jepet plakut,
që tregon urtësitë ulur në qoshe.
 
Mirënjohja të rinon në çdo moshë,
mirënjohja të shtyn të shkruash, 
artin poetik ta derdhësh në letër,
dhe krenarinë ndër vite ta ruash.
 
MANTEL BARDHA
 
Me mantel të bardhë, si bora maje mali,
ecja jote, shpirtbardhë, hapin nuk e ndali.
Në sy ka dritë, në fjalë ka butësi,
në çdo hap të saj, buron një dashuri.
 
Përrallore si hëna në netët e qeta
kulturën e lartë ta ka falur jeta.
Pacientët i pret me zemër e durim,
e buzëqeshur gjithnjë, je vesë në agim.
 
Nuk flet me zë, por fjala të peshon,
më shumë se barërat, ngrohtësia shëron.
Në ordinancën e bardhë, mes dhimbjes plot shpresë,
të dhuron qetësinë, pa ankth e pa stres.
 
Motra që shërben me përkushtim të rrallë,
është dritë në errësirë, është shpëtim në hall.
Të tillët si ti, me vargje i madhëroj,
prandaj me nderim, këtë vjershë ta kushtoj.
 
Përgatiti për botim Miftar Tërshnjaku