Bukurie Buçpapaj – Cikël poetik (Redaktoi: Angela Kosta)

Bukurie Buçpapaj – Cikël poetik (Redaktoi: Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA BUKURIE BUÇPAPAJ 
 
Bukurie Buçpapaj u lind më 3 korrik 1974, në Fierzë, Bajram Curr, Tropojë. Shkollën e ciklit të ulët dhe atë 8 - vjeçare e ka kryer në shkollën ”Matosh Uka” në Fierzë, Tropojë. Më pas, vijoi studimet e mesme në Shkollën Teknologjike, në degën Ushqimore, në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe shkollore ka marrë pjesë në veprimtari të shumta letraro-kulturore. Po ashtu, është aktivizuar në rrethin letrar të shkollës, falë talentit të saj. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ushtroi profesionin e saj si teknologe. Ka bashkëpunuar me gazeta dhe revista letrare, si me revistën “Pionieri’’, ku poezitë e saj janë publikuar dhe mirëpritur nga lexuesit e vegjël. Sidomos gjatë plurimendimit, krijimet e saj janë prezantuar dhe kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve, si në gazetat: “Bota Sot” dhe “Nacional”. Krijimet e saj janë publikuar edhe te revista ndërkombëtare “POLEART” e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA , gazeta “Labëria“, faqet ueb “Politologjia”, etjer. Gjatë kësaj periudhe, Bukuria ka qenë pjesëmarrëse në shumë veprimtari kombëtare ku është vlerësuar me çmime në Kosovë. Ajo është anëtare e LSHK, LNPSHA “PEGASI” ALBANIA. Jeton dhe vazhdon veprimtarinë krijuese në qytetin e Kamenicës.
Gjithashtu është tekstshkruese dhe interpretuese e tri këngëve si dhe autore e disa teksteve të këngëve popullore.
Botimet e saj letrare janë:
1. “Poezia e shpirtit tim’’ vëllim poetik, Shtëpia Botuese “Meshari” (Prishtinë, 2020)
2. "Bëhu diell i shpirtit tim" - poezi
3. “Vrullojnë bisqesh” - vëllim poetik 
4. "Mos i vrisni ëndrrat"
 5. "Pasthirrma shpirti"
6. Dritëhijet e Henëzës
7. Plejada tropojane
Ka në proces botimi edhe një vëllim tjetër poetik, i cili, përveç poezive lirike në gjuhën shqipe, përfshin edhe poezi të përkthyera në: anglisht, portugalisht, italisht, kroatisht, gjermanisht, greqisht, arabisht dhe maqedonisht. Ka në proces edhe një roman nga jeta reale, si dhe një libër me skica dhe tregime.
Bukuria merr pjesë në Antologjinë Ndërkombëtare "Korsi e Hapur" (Open Lane - 6 LNPSHA “PEGASI” Albania, e gjithashtu edhe në disa antologji të tjera.
 
DIALOG LULNAJASH
 
U gjenda
 në një dialogim me lulen,
 çelëse petalesh në çdo stinë.
 
E përkëdhela,
 atë shpërthyese të jetës,
Sythin e saj treguese të fuqisë.
Lehtë e lehtazi iu afrova,
 duke thënë me melodi të vërtetën.
Ne femrat ngjajmë me lulet,
 ngjasojmë tejskajsisht me to.
A mund, ta marrë me mend
e bukura lule,
 ku qenka me to ngjashmëria?!
Jemi të bukura,
të ndieshme,
 të arsyeshme,
se nga sythat rrisim “botën”
 nga dashuria...
Pakëz kujdes,
pak respekt,
 lëshojnë
copëza ndjenjash dashurie...
Ashtu, si ju,
thahemi pa ujë,
pa dritë,
pa ngrohtësi...
Jemi ekzistencë,
një planet i qëndrueshëm
në dy kahje temperaturash,
shndërrohemi në bukuri ngjyrash...
Aty, ku gjethi bëhet varg,
petalet me nota
në pentagrame melodish.
Çfarë ngjasi e ndritshme lulesh
në lulnajën e jetës me frymë!
 
NË KËNGËN E YJEVE
 
Je, apo nuk je, në këngën e yjeve?!
E di... je çelës i muzikës atje.
Brenda meje luajnë
fjalët lidhur nyje,
madje, dhembja psherëtimë nuk lë.
 
Je lamtumirë e pashkruar në ndjenjë,
retorikë ligjëruese e qiellit dashunor.
Unë matëse kohore e ditëve
të diellta a me shi,
Ti , lozonjar, Don Zhuan, në stilin "epror".
 
Ca pikëza,
ca pikëpyetje,
ca e sa,
dora i shkroi, shpirti i qau,
goja i interpretoi.
Vargëzat më zunë befasisht në pritë,
vashës yllnore deshe apo nuk deshe ti.
Ikjet - ardhjet, muzërim bëhen,
me dhembje poezish.
 
SIMFONIA “TI”....
 
Ti je muza,
 të puth te buza.
 Ti je ndjenja
 fle në zemra.
 Ti je fymëzimi,
 tatuazh mendimi...
Ti je dehje
 je zjarr,
 je prehje.
Je marrëzi
 me emrin: "Dashuri "...
 Aty, dua të rri...
 Në qerpik të syrit,
më fle ëndrra,
ti je mëkat,
 ma ka ënda.
 Sythëzat e shpirtit
 i çel tek Unë (A thua)?
 Loz me violinë nazesh,
por, “Të dua!"
 Koha ndalet,
 kur më kundron,
 Bota më shëmbet,
 kur bie mbi “kokë”....
 
BOTA E MAGJISË
 
Dy gjysma hëne në një qiell,
Dy rreze të artë në një diell,
Dy zemra në panteon të lumnimit,
Bota tjetërsuar në krahë të dashunimit.
Rrahje të shpeshtuara zemre,
Tik- take të orës, matin magji,
Parajsa zbret në sytë e një femre...
Ku jam, ku je ti, më thuaj, s’e di?!
E dimë, e dimë, jemi aty, ku kemi rininë,
si një pranverë e vonuar,
që deh logjikën, ndez marrinë.
Në oazin e pemës së ndaluar,
Fle ëndrra mëkatare e pajetuar.
 
SHPIRTI S'PASKËRKA AS FJETJE, AS VDEKJE!
 
Natë e paqetë, pa yje, pa hënë,
Gjinkallat këngëbukurojnë,
Tutje, fare tutje, fjalëlehin qentë në lëmë,
Bretkosat në kor hidhen e gëzojnë.
Po ç'është kjo natë e “llahtaruar”,
orkestër mes natës e zhurmuar?
Vapë e “torturtë”, ajri “zjarr”, goja “flakë”...
Oh, si qenka kështu: zhurmë e vapë!
Përpëlitem shtratit, s’kam gjumë,
Ditë plot ngarkesa, më presin,
Si i ika gjumit? Gjumi plot naze,
Ngrihem dhe vargjet, si burbuqe “çelin”...
Sa të bukura vargjet, në këtë natë çudi,
Kur të gjithë flenë, zgjuar jam vetëm unë,
Në pentagram vargjesh ndjej melodi...
Sa kam të dëshirë t’i mbyll
 me ninullë këta dy sy...
Pas pak, agu i mëngjesit zbardh mbi letër,
Muzgu i muzës mori pamje tjetër,
 Ç’ndjenja të vrullshme!...
Dua të të puth buzë e sy,
Prek magjinë... Ti ndodhesh aty!
Ç’dëlirësi! Ç’mirësi në sytë e mi!
Muza mori pamjen që desha,
Vargëzoj, tashmë, e qetë në heshtje:Shpirti s’paskërka as fjetje, as vdekje!
  
Redaktoi: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese