Fatmir Gjata - Biografia & Cikël poetik (Përgatiti Angela Kosta)
Fatmir R Gjata ka lindur në Fier, Shqipëri më 3 mars 1966. Ai e kreu shkollën në vendlindjen e tij dhe më pas punoi në uzinat e naftës si menaxher grupi për shfrytëzimin e puseve të naftës dhe gazit. Fatmiri ka qenë aktiv në politikë qëkur ishte i ri dhe në vitin 1990 u bë thesarmbajtësi i Partisë Republikane të qytetit të Fierit, një nga më të rëndësishmet në vend. Ai ka shkruar shpesh për gazetat e kohës, dhe ndryshimet politike në vend e gjetën në rradhët e para. Në vitin '91 Fatmiri largohet nga Shqipëria për të ardhur dhe jetuar në Itali ku jeton ende sot në Castelnuovo Don Bosco. Këtu ka punuar për 25 vjet në Pino D'Asti si kujdestar i kështjellës së të njëjtit qytet dhe ndërkohë vazhdoi studimet në Universitetin e Torinos për Shkenca Politike. Teksa ndërpreu studimet, ai u përqendrua në aktivitetet letrare, duke u bërë një zë i njohur i letërsisë shqipe. Me 9 librat e shkruara me poezi Gjata u bë protagonist i panoramës letrare të vendit. Fatmiri ka marrë shumë çmime në vende të ndryshme të botës si në: Gjermani, Kosovë, Shqipëri, Itali, e gjithashtu ka marrë edhe titullin si Ambasador i Paqes dhe i Kulturës.
TRE LUMENJ
Tre lumenj më sillen rreth,
vorbullojnë në çmenduri
Dy janë bërë me valë të bardhë,
një sjell vetëm ujë të zi
Një është ndarë hatër mbetur,
ikën thjesht i turbulluar
Në mes pishash të ngrehosur,
në mes shelgjesh të lotuar.
Tre lumenj më sillen rreth,
më përpijnë me grykësi
Vijnë nga larg e të malluar,
puthin detin përsëri
Edhe ikin të çuditur,
mbushur dallgë e mbushur shpresë
Duke u tundur madhërishëm
nëpër djep të Myzeqesë.
Tre lumenj më kanë rrethuar,
e më marin të më çojnë
Të shikoj se ku po ikin,
të shikoj se nga burojnë
Të më shuajnë etjen e verës,
duke ikur me rrëmbim
Në mos qofsha vetë i gjallë,
do jetë vetëm shpirti im.
KUKUVAJKË
Është një zog në errësirë
që vajton çdo natë të qetë
Kur dhe dielli shkon të flejë
edhe zhytet nëpër det
Unë s'e di për kë vajton
por e ndiej këngë të tij
Ndoshta shkul pendët e bardha
ndoshta veshur është në zi.
Kukuvajkë për kë po qan?
Mbase lotët të janë tharë
Nën pemë ku po këndon,
puthen dy dashnorë të marrë
E më tej ca njerëz të dehur,
nga një festë po vijnë me sherr
Kë po qan o zog i bukur,
nën yje nëpër terr?
Kukuvajkë më le pa gjumë,
është i kotë çdo lot që derdh
Shko të marrtë ora e ligë,
mbi një shkurre a mbi një bredh
Se më mbyti këngë e vajit,
po më zgjon me ngashërimë
Lërmë të fle edhe të zgjohem,
të mendoj për shpirtin tim.
Ah ta dish nuk ngrihen dot,
as të gjallë e as të vrarë
Mjaft këndove kot më kot,
lëri të vdekurit në varr!
Kukuvajkë gëzo ç'ka mbetur,
nga kjo jetë që kush se di
S'kemi lindur për të vuajtur,
jemi bërë për dashuri.
ASAJ
Më mirë mos kisha njohur,
më mirë mos kisha parë
Një ëngjëll perëndie,
më la me zemër të vrarë
Po zoti nuk e dinte
kur e bëri vetë me dorë
I bëri flokë të artë
e nuk i dha kurorë.
Më mirë të kisha ikur
i kthyer pas me shpinë
Mos i dëgjoja zënë,
kur ëmbël cicërinë
O Zot po ti ku ishe?
Në gur m'i shkrove fjalë
Mos dëshiro një tjetër
përndryshe nuk të fal!
Më mirë të më plagosje,
të dilte gjak i zi
Që kurrë më të besoja,
në besë e dashuri
Në flakë të ferrit digjmë,
se ndoshta është më mirë
Se sa të digjem gjallë,
me trup e shpirt të shkrirë.
Më mirë të mos besoj,
në ëngjëll të bekuar
Ajo ish thjesht një vajzë,
e mbeta shpartalluar
Është faj më thotë dikush,
një tjetër është mëkat
Por është lëkurë me dritë,
të veshur pak me natë.
Më mirë të mbyllja sytë,
e mos shikoja dot
Pse e bëre aq të bukur,
përse...përse o Zot?
Mjaftonte dhe një shenjë,
të shkruar qiellit vonë
Por jo të mbes i marrë
pse Zoti ekziston...