Fatmir Kelmendi
Fatmir Kelmendi lindi me 20.04.1966 në Fshatin Balincë të Malishevës. Shkollën fillore e kreu në Kijevë. Dy vite të shkollës së mesme i kreu në Gjimnazin "Luigj Gurakuqi" në Kijevë,ndërsa dy vite tjera në Gjimnazin "Gjin Gazulli" në Prishtinë. Ka studiuar në FIEK në Universitetin "Hasan Prishtina" në Prishtinë në Drejtimin e Telekomunikacionit të cilin e përfundoj me sukses. Ishte Shef i Ndërlidhjes në Brigadën 122 "Ymer Krasniqi" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas lufte Punoj në Qendren Simulative të Trupave Mbrojtëse të Kosovës si Asistent i trajnimeve dhe si ekspert i IT..Në vitin 2023 mori rrugën e mërgimit. Tani jeton dhe punon në Lörrach të Gjermanisë.
DREJTË LIRISË
Ishte koha më e mirë,
Ishte koha më e vështirë,
Kur nata kalohej në mal,
Dhe shpresa s’kishte asnjë fjalë.
Mbi supet e mi, armët e luftës,
Mbi zemrën time, betimi i UÇK-së,
Një flamur kuq e zi, një ëndërr e vjetër,
Një atdhe që s’duhej i robëruar të mbetej.
Dimri më gjeti me pushkë në dorë,
Pranvera erdhi mes gjakut e luleve,
Shokët u shuan si flakë mbi dhe,
Por zëri i tyre jehon ende.
Ishte koha më e mirë,
Ishte koha më e vështirë,
Por ne ecëm drejt lirisë,
Me plagë në trup, por jo në shpirt
VETERANI NË LIRI
Ditët e mia nisin pa zhurmë,
si hija e një lufte që s’ka mbaruar,
mbi supet e mi rëndojnë kujtime,
por jo për lavdi, as për t’u krenuar.
S’kërkoj medalje, as duartrokitje,
s’mbaj fjalime për çfarë kam bërë,
zemra më flet me zë të ulët,
lufta s’është fjalë, është plagë e rëndë.
Më zgjon era e mëngjesit herët,
si dikur në malet e Kosovës,
kur hapat tanë çanin terrin,
dhe shpresat ndrinin mbi barut e lotë.
Shokët e mi flasin në heshtje,
në rrudha balli, në gurë varresh,
në sytë e fëmijëve që sot rriten nën qiellin tonë,
pa frikë e pranga.
Dhe unë eci, pa bujë, pa kërkesa,
me plagë që s’duken, por digjen në shpirt,
çlirimtar prej së vërteti, s’kërkoj asgjë,
veç të mos harrohet kurrë amaneti për bashkim kombëtar.
FJALË E MIRË
(Ameneti nënës)
Më fol një fjalë sa jam gjallë,
një fjalë të ëmbël, një fjalë të mirë.
Se kur të shkoj në dhe të ftohtë,
s'ka kush më ndjen, s'ka kush ma thotë.
Një fjalë e mirë bën dritë në shpirt,
si rreze dielli në mëngjes të ngrirë.
Mos ma kurse sa ende marr frymë,
se nesër loti s'ka më kuptim.
Më thuaj sot, me zë të butë,
një fjalë që shpirtin ma ngroh
Një fjalë tani vlen sa një jetë,
si dritë në zemër, si diell në det.
Më thuaj sot, jo kur të jem hije,
se pas një varri s'ka më përgjigje.
Një fjalë e mirë është dritë dhe zjarr,
më thuaj tani, jo nesër mbi varr