Eduart Veli - Cikël poetik (Redaktoi Angela Kosta)

Eduart Veli - Cikël poetik (Redaktoi Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA EDUART VELI 
 
Eduart Veli banon në Ksamil. Librin e tij të parë e botoi nga fundi i viteve 70- të. Është autor i 5 vëllimeve me poezi:
- NE BIJTË E SHQIPES (1979)
- PLANETI I DASHURISË (2019)
- BISEDË ME VITET (2021)
- KUR TI BUZËQESH (2023)
- KELI MË I BUKURI YLL (2024)
 
BURIM QË PRODHON VEÇ DASHURI
 
Mos e prek në shpirt një poet!
Mos lëndoni poetin në zemër!
Poeti shkretëtirën kthen në det
poeti, mes ëngjëjsh ka një emër.
 
Lëreni poetin, në botën magjike
Të shëtisë globit ndër galaktika...
të marrë pjesë në dasma e rite
Vetëm poeti, s'e di ç'është frika.
 
Poetit plumbat i bëhen karamele 
poeti vargun e ka oshëtimë topi
poeti qiellin e mbjell me luledele 
Poetin në gji e mban vetë Zoti.
 
Kurrë mos e përgojoni një poet!
A përgojohen vallë Zotat në qiell?
Poeti mes vargjesh të keqen e tret 
Fjala e poetit, është e ngrohtë diell.
 
Nuk ka ç'i duhet pasuria një poeti
bija e biri, për poetin është vargu 
në vargje është më lart se mbreti
Veç ato e presin përditë tek pragu.
 
Poetët dashurojnë fort, si të marrë
të duash një poet, është e vështirë 
dashuria e poetit është si një ujvarë
puthja e poetit është si ëmbëlsirë.
 
Mos e prek në shpirt poetin, o njeri!
Shpirti i poetit djeg si llavë vullkani
krater gjigant, lum plot me mirësi
që s'e shuan dot shiu, rrebeshi, tufani!
 
Dashuro një poet e s'plakesh kurrë!
Dashuro një poet dhe rilind përsëri!
Është si flladi i lehtë e zjarri në furrë 
burim drite që prodhon veç dashuri!
 
ME DASHURI FLUTURON ME KRAHË MBI RE
 
Kush dashuron, këtë ndjenjë e njeh mirë
Dashuria të heq trurin dashuria të çmend.
Dashura është helm është dhe ëmbëlsirë.
Dashuria, tension i lartë, dashuria... dhemb!
 
Dashuria, mjaltë e ëmbël, lumi i rrëmbyer
është dielli i ngrohtë, deti që shkumbëzon,
është puthja, në mushtin e zemrave ngjyer
flladi i lehtë, uragani që çdo gjë shkatërron!
 
Dashuria, sy që ndrijnë, buzë që përvëlojnë
trupa të bërë njëshe fjalë që pëshpërijnë.
Dashuria... balli i menduar, sytë që kërkojnë,
flokë të bardhë dëbore, mimoza në lëndinë!
 
Mëngjes i përgjumur, natë e gjatë, dritëzuar
duar që lehtazi pushtojnë gjokse që gufojnë
dashuria, strehëza shpirti që pikojnë malluar
epshe vullkanike që djegin dhe përvëlojnë.
 
Lumenj që rendin, pushtojnë të virgjërat brigje,
dashuria, gurra që s'shtreron e etjen të shuan,
anije që lundron, që kalon në dhjetëra shtigje
mokra e mullirit që drithërat qetësisht i bluan.
 
Dashuria, shiu që natyrën lan dhe e gjallëron
lule manushaqja, që çel e lajmëron pranverën,
dallëndyshja që në vendet e ngrohta shtegëton
dashuria, shoqe me yllin e mëngjesit Venerën.
 
Askush nga dashuria kurrë mos të ketë frikë
lindi me njeriun, dashuria është lule menekshe
veç për dashurinë njeriu jeton edhe në Artikë.
Eh... dashuria të bën të fluturosh me krahë, 
mbi re!
 
DO RILIND NË DHJETËRA YLBERE
 
Përgjithmonë s'do të vdes asnjëherë
do rilind mes bisqesh në pranverë
do të më shohin mes filizash, në ara
do të rifilloj rishtazi jetën nga e para.
 
Në regjistrat gjallë le të mos figuroj
në rrezen e parë të dritës do të jetoj.
Le të mos jem në borderotë që s'flasin
pragjet prapë në emër do më thërrasin!
 
Mes njerëzve s'do të jem unë dikur
përhumbur rrugësh lisash dhe drurë
do të thërras maleve si dikur fëmijë:
eheej, priteni poetin, prapë do të vijë!
 
Dikur, do t'i mungoj drenushës sime
një jetë si përrallë me halle e gëzime
tek loti i syrit që zbret në faqe e gushë
lehtë do t'i pëshpëris:"U ktheva drenushë"!
 
Larg... s'do jem më pranë valëve në det
do pyesin: "Ku je, ku shkove poet"?
S'ka dhe që i tret vargjet e pashkruara
do rilind sërish nga këngët e kënduara!
 
S'do të jem në dasma, ku do ngrihet dollia
për mua ama do të ulet këmbëkryq poezia.
Do rilind në valle, ku kërcehet napoloni
jam mes jush... rilinda... do ju them:
Dëgjoni?
 
Do rilind brazdave në tokën bukëvalë
do rilind unë ndër pyje, në bisqet e gjethit.
Do rilind në këngë, do rilind në valle
do rilind në agime në vesën e mëngjesit!
 
Poeti s'vdes kurrë, poetin s'e mban dheu
vargjet janë uragan më të fortë se Anteu.
Unë dhe nëse iki nga kjo botë ndonjëherë
do rilind sërish në qiell në dhjetëra ylbere!
 
Redaktoi: Angela Kosta