Angela Kosta (Poezi)

Angela Kosta (Poezi)
ANGELA KOSTA
 
RRËFIME TË HESHTURA
 
Rrëfime të heshtura gjëmimesh
në psalme të mallkuara rrethinash
të kryqëzuara në vetë flijimin e botës
ku shpirti çirret dhe kërcen baladën e zullumit
pa ndalur hapin e ziliqarëve të ndëshkimit.
 
Nënat 
me linfën e tyre,
pemën e jetës
kanë harruar të mëkojnë,
gjinjtë iu janë tharë
në tokën shterpë.
 
Muzikantët
nuk luajnë më në piano, nuk kompozojnë 
himne të reja moderne paqeje... 
 
Kuislingët e sotshëm
me vetëtima raketash 
në muret e qiellit të nëmur
vepra palaçosh zhgarravisin,
teksa me përbuzje
tallen me sfondin e racave të gjunjëzuara
me brinjë të thyer 
në koleksionet e lashta historike.
Palcë më nuk u ka mbetur
veç plazmës pa qeliza,
gojës pa dhëmbë
të copëtuara nga kafshata e mjerimit.
 
Me etje  
dejeve të universit 
gjakun gëlltisin 
nën tehun barbar, 
të uritur mizorinë përtypin.
 
Njerëzimin
vetë mëshira e fatit ogurzi e ka braktisur
që heshturazi
të rrëfejë botën hipokrite të mashtrimit.