Dr. Nikollë Loka, Punim shkencor - NJË VËSHTRIM KRAHASUES MBI AUTONOMINË E MIRDITËS DHE TË MALIT TË ZI
Punim shkencor
NJË VËSHTRIM KRAHASUES MBI AUTONOMINË E MIRDITËS DHE TË MALIT TË ZI
Si toka shqiptare ashtu edhe ajo malazeze, nga gjysma e dytë e shekullit XIV, ishin në zonën e rrezikut nga Perandoria Osmane. Fillimi i depërtimit turk në Shqipëri konsiderohet të jetë ngritja e një kryeure në gadishullin e Galipolit në vitet 1352-1354. Konsolidimi vendimtar i pozicionit të osmanëve u bë pas betejës në fushat e Savrës më 18 shtator 1385, kur trupat e sundimtarit shqiptar Balsha II u shtypën nga turqit dhe ai vetë u vra.[1]Pas marrjes së Gadishullit Ballkanik, Perandoria Osmane u nda në dy vilajete: Rumeli (Ballkani) dhe Anadoll. Autoritetet turke, pasi u përforcuan në territoret e pushtuara, formuan një sanxhak që mbulonte zonat Mali i Zi i sotëm dhe Shqipëria Veriore, duke përfshirë pjesën veriperëndimore të Kosovës. Megjithatë, në vitin 1496, Mali i Zi u përfshi në Perandorinë Osmane si një vilajet më vete, nën mbikëqyrjen e sanxhakbeut me administratën e tij, selia e të cilit ishte në Zhabljak, nën djalin e Ivan Crnojeviqit - Staniša "Skenderbeg" Crnojeviq, që ishte islamizuar. Pas vdekjes së tij (rreth vitit 1523), Mali i Zi u përfshi përsëri në sanxhakun e Shkodrës.[2]
Territoret që më vonë do të quheshin Mirditë nuk u përfshinë brenda një sanxhaku dhe kanë qëndruar pothuajse gjatë pesë shekujve të ndarë. Në përbërje të sanxhakut të Ohrit ishte Selita, Kthella, e Rraza, në sanxhakun e Shkodrës, Manatia, Bulgri, Kryezezi dhe Vela, ndërsa në sanxhakun e Dukagjinit Mirdita, Fandi i Vogël, Fandi i Madh dhe Dibrri. Synimi ishte i qartë; të pengoheshin organizimet e përbashkëta dhe ashtu, pjesë-pjesë, ta nënshtronin këtë trevë luftarake.
Kryengritjet e para të armatosura antiosmane në popullsinë malazezo-shqiptare u zhvilluan relativisht vonë. Në vitin 1515 banorët e krahinës që, më vonë u quajt Mirditë, nuk pranuan t’iu dorëzonin eminëve turq taksën e xhizjes, rrokën armët kundër tyre dhe ushtrive që i shoqëronin.[3] Mirditasit zhvilluan kryengritje në vitet 1560-1570 dhe 1648, 1670-1690. Në Malin e Zi, kryengritjet e para midis kuçëve u zhvilluan vetëm në vitet 1532, 1541 dhe 1545, ndërsa fiset e Hercegovinës iu kundërvunë turqve me forcë vetëm në vitet 1593 dhe 1597. Si kryengritjet n♪7 Malësitë shqipatre dhe ato malazeze kishin si pikënisje rritjen e taksave nga autoritetet osmane.[4]
Me krijimin e bajrakut u krijuan disa elemente të reja administrative dhe ndonjë ndryshim në procedurën pleqnore, më tepër si një zëvëndësim i atyre, që rregullonin marrëdhëniet feudale para pushtimit osman. Mirdita për një kohë të gjatë u var nga sanxhaku i Dukagjinit me qendër në Pejë. Me ardhjen e Bushatllinjëve u përfshi në Pashallëkun e Shkodrës, megjithatë, për shumicën e kohës nuk i përfshiu të dymbëdhjetë bajrakët. Formimi i Mirditës lidhet drejtpërdrejt me rolin e familjes së Gjomarkajve. Nga shtëpia e Gjomarkut e fisit Markolaj dilnin sundimtarë me të drejtë trashëgimie. Megjithëse Kapidani-qeveritar për veprimtarinë e tij administrative dhe politike përgjigjej para sundimtarit të Shkodrës. Si qeveritar ai njihej nga autoritetet si mbajtësi i pozitës më të lartë administrative dhe shoqërore në Mirditë. Në të vërtetë, përfshirja e Mirditës në administratën osmane ekzistonte vetëm në letër, pasi atje qeverisej në bazë të Kanunit dhe Kapidani-Qeveritar nuk mund të vendoste asgjë pa pëlqimin e kuvendit të krenëve, apo të popullit të Krahinës. Pas rënjes së pashallëqeve të mëdha shqiptare, Kapidanët për të ruajtur dhe forcuar pozitën e tyre në Mirditë i forcuan lidhjet me Portën e lartë dhe u dalluan në shumë luftra.
Në shekullin XVIII, pati ndryshime të dukshme politike në Mal të Zi. Në vitin 1697 sundimtar u bë Danilo I Petroviq-Njegosh, i cili nisi procesin e centralizimit të vendit. Krerët malazezë nuk pranuan të integrohen në sistemin perandorak Osman, duke nisur procesin e pavarësimit të vendit. Por realizimi I këtij objektivi madhor do të lidhej me rolin e Rusisë në rajon. Në vitin 1712, si hakmarrje për mbështetjen e Rusisë gjatë luftës së saj me Portën, turqit dërguan një ushtri të fortë në Mal të Zi, e cila pushtoi dhe shkatërroi manastirin në Cetinje. Megjithatë, sundimtari malazez nuk u përul dhe udhëhoqi disa beteja kundër turqve. Si rezultat, në vitin 1714, veziri boshnjak Numan-pashë Ćuprilić hyri në Mal të Zi dhe e shkatërroi plotësisht vendin. Vetë Danilo i plagosur, u strehua në Rusi.[5]
Ndonëse dy krahina luftarake me autonomi, por edhe të lidhura me fuqi të ndryshme, malazezët dhe mirditasit më shumë ishin armiq se miq. Historia e marrëdhënieve në mes të tyre është e mbushur me luftra. Në nënshtrimin e Malit të Zi kishte marrë pjesë dy herë Kapidan Prengë Lleshi në vitet 1790 dhe 1795 dhe pas tij Bibë Doda në vitin 1852.[6]
Ndërkohë që Mirdita u afrua me Portën e Lartë, pas betejës së Grahovecit në vitin 1858 (një nga fitoret më të famshme), Mali i Zi funksionoi de fakto si një ent politik i pavarur, pavarësisht se de jure nuk ekzistonte si një entitet i veçantë në skenën ndërkombëtare. Perandoria Osmane, duke shfrytëzuar koniukturat ndërkombëtare, nuk ua njohu për një kohë të gjatë autonominë malazezëve. Sipas Slobodan Tomović “pas vitit 1859, nën presionin e Fuqive të Mëdha, qeveria osmane më në fund vendosi të bënte një demarkacion praktik me Malin e Zi”.[7]
Ndërkohë që maalzezët e ndjenin nga afër mbështetjen ruse, mirditasit nuk e kishin një aleat qartësisht të përcaktuar për aspiratat e tyre. Në kuadrin e lëvizjeve nacionaliste që shpërthyen në Europë, intelektualët arbëreshë në Itali dhe ata shqiptarë e shikuan mundësinë për të organizuar një kryengritje në Shqipëri, sipas shembullit të revolucionit italian. U mendua të krijohet një zonë të lirë që do të shërbente si bërthamë e shtetit të ardhshëm shqiptar, siç kishte shërbyer Piemonti për Italinë. Këtë rol duhet ta kryente Mirdita, duke patur parasyshë se ishte një krahinë e vetëqeverisur, ku ideja e lirisë kishte mbijetuar edhe disa shekuj pas pushtimit osman. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në Mirditë shpërthyen dy kryengritje. Gjatë kryengritjes së vitit 1862, përgatitjet u bënë nën drejtimin e një grupi intelektualësh si: Zef Jubani, Pashko Vasa, Gaspër Krasniqi, Pal Dodmasej, etj. Sipas mendimit të këtyre intelektualëve, Kapidani i Mirditës, Bibë Doda, duhet të ngrinte flamurin e kryengritjes dhe të shpallte në Mirditë një principatë autonome ose të pavarur, rreth të cilës do të bashkoheshin pastaj krahinat e tjera shqiptare.[8] Katërmbëdhjetë vjet më vonë shpërtheu kryengritja tjetër, e udhëhequr nga Prengë Bibë Doda, djali i Bibë Dodës, i sapokthyer nga internimi.[9] Austria që kishin protektoratin mbi popullsinë katolike, nuk e ndihmoi lëvizjen dhe bëri çmos që në Mirditë të vazhdonte status quo-ja. Për arsyet e veta, Austria e pengoi kryengritjen, duke e larguar Prengën nga ndikimi i Malit të Zi. [10]
Si rezultat i humbjes së Turqisë në luftën me Rusinë (1877-1878) në kongresin e Shën Stefanit u ra dakord që disa troje të banuara kryesisht nga shqiptarët t’i kalonin Malit të Zi, të cilit në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, iu njoh pavarësia e plotë. Konsulli i Përgjithshëm i Austrisë Lippih, i ardhur nga Vjena me udhëzime krejt të freskëta, e këshilloi Prengën, që me një kontigjent mirditasish t’i ofronte Turqisë ndihmën e tij kundër malazezëve.[11]
Nën shembullin malazez, pavarësisht se ishin mobilizuar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit, krerët e Mirditës dhe të zonave përreth edhe zyrtarisht kërkuan krijimin e “Principatës Katolike të Veriut”. Miratimi i autonomisë së Mirditës nga Kongresi i Berlinit sipas kërkesës së kontit francez Saint Vallier nuk i plotësoi të gjitha kërkesat e nënshkruesve të peticionit. “Principata” nuk u krijua dhe problemi i Mirditës u shtrua vetëm në kuadër të respektimit të venomeneve tradicionale.[12]
Ndryshimet në strukturën e pushtetit evropian dhe rënia e Perandorisë Osmane përkoi me ardhjen në pushtet të Princ-peshkopit Petar II, ose Petar Petrovich Njegosh, i cili e detyroi Malin e Zi të dilte nga statusi i tij primitiv në vitet 1830. Njegoshi ishte një sundimtar modernizues që hodhi themelet për modernizimin dhe i mundësoi vendit të tij të përballonte dominimin e shteteve të tjera më moderne kombëtare.[13] Njegoshi, sundimtari i një populli anarkik, analfabet dhe të izoluar, si dhe mirditasit, ishte i vendosur të ndryshonte statusin e Malit të Zi, duke e sjellë popullin dhe shtetin në një gjendje të rregullt, të ditur dhe të qëndrueshme civile dhe politike. Ndikimi i njohurive të reja, të prezantuara nga ai, ndryshoi funksionet e institucioneve tradicionale të klaneve, vëllazërive dhe elitës sunduese; ndryshoi gjithashtu statusin politik, duke prekur kështu të gjitha aspektet njerëzore të veprimtarisë dhe institucionet tradicionale të Malit të Zi.[14]
Njegoshi nuk donte ta perëndimorizonte popullin e tij, as ta europianizonte. Ai donte t’i mësonte njerëzit dhe t'u jepte mjetet, me të cilat mund të drejtonin punët e tyre si nëpunës civilë, mësues, avokatë dhe mjekë etj. Njegoshi e ndjente se kur vlerave të qëndrueshme të popullit të tij t'u shtohej shkrim-leximi dhe kompetenca, atëherë populli do të mbijetonte. Ai donte t'i mësonte qytetarët malazezë ta kuptonin veten, të përballonin problemet, të arrinin një sens të përbashkët identiteti dhe qëllimi.[15] Pasardhësi i tij, Krajl Nikolla e ruajti aristokracinë e lindur dhe krijoi një aristokraci të meritave për udhëheqjen politike në Mal të Zi. Por ai, si disa reformatorë të tjerë, nuk ishte vërtet i përgatitur për t’i shkuar procesit deri në fund., duke e kuptuar shumë vonë se kishte vënë në lëvizje një proces që përfundimisht do ta minonte.[16]
Zhvillimet arsimore në Mirditë nuk u zhvilluan, për shkak të marrëdhënieve të kufizuara shoqërore dhe ekonomike që ngadalësuan zhvillimin e arsimit. Përpjekjet për hapjen e shkollave ishin rezultat i nismave të intelektualëve dhe klerit, me mbështetjen e Austro-Hungarisë,[17] e cila synonte jo në krijimin e një bërthame kombëtare, por të bashkonte shqiptarët rreth vlerave të përbashkëta, histories, traditave dhe gjuhës shqipe, duke e lënë autonominë dhe paavrësinë për një faze tjetër.
Ndryshimi në Mirditë, ndryshe nga si ndodhi në Malin e Zi, nuk u nxit nga Brenda. Krahina e vetëqeverisur e Mirditës, në kushtet e pushtimit osman, I bëri rezistencë çdo ndryshimi, qoftë edhe pozitiv. Sipas konsullit frëng Hecquart (2008): “Me përjashtime të rralla, shqiptarët nuk e ndjejnë nevojën për të mësuar, nuk e kuptojnë jetën intelektuale dhe e përbuzin atë te tjetri”.[18] Ndonëse Mirdita kishte traditë të arsimit fetar, ai lloj arsimi nuk kishte ndikuar në ndryshimin e konceptit për shkollën, pasi mirditasit, të lidhur fort me familjen dhe trashëgiminë, nuk e pëlqenin shumë profesionin e klerikut. Sidoqoftë, pranë kishave dhe kuvendeve në Mirditë, gjatë gjithë kohës vazhduan të mbaheshin fëmijë të talentuar, disa prej të cilëve u përgatitën për klerikë.[19] Nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, udhëheqësit tradicionalë të Mirditës dhe klerikët e saj, nën shembullin e Malit të Zi, e kuptuan dobinë e shkollës dhe u interesuan për zhvillimin e arsimit, ndërkohë që në vend kishte filluar hapja e një rrjeti të gjërë shkollash të huaja, Por, në këtë periudhë, Mirdita kishte mbetur e vetmja trevë në vend pa asnjë shkollë. Që në vitin 1851, njëri nga krerët, që në një dokument të Selisë së Shenjtë del si Princi Mark, kishte kërkuar Vatikanit hapjen e një shkolle shqipe në Mirditë, duke e lidhur shkollimin me përpjekjet për të qëndruar në besimin katolik, duke e parë kështu arsimin si mjet mbrojtës kundër asimilimit.[20] Por përpjekjet për të shfrytëzuar mundësitë që ofronte kasha mungun. Elita drejtuese e Mirditës e pa arsimin si një dhuratë që do t’i vinte nga jashtë, duke mos bërë asnjë përpjekje për të shfrytëzuar mundësitë e shumta që u krijuan. Deri në vitet 1870, kur nisi shkollimin Prengë Bibë Doda, asnjë nga krerët e Mirditës nuk mori dije dhe arsim, ndryshe nga malazezët që vazhduan shkolla dhe kurse, duke e pare arsimin si vlerë të shoqërisë, si një përpjekje të elitave dhe njerëzve të tjerë për t’iu përshtatur situatave të reja.
Pavarësisht nga veçoritë e zhvillimit në të dy trevat, të cilat diktuan edhe nivele të ndryshme autonomie, duhet thënë se pavarësismi i Malit të Zi erdhi si rezultat i fitoreve ruse dhe i presionit që ushtroi Shën Petërburgu. Ndërsa në trevat shqiptare, ku ndikimin më të madh e kishte Austro-Hungaria, interesi i këtij shteti deri në prag të shpalljes së pavarësisë mbeti ruajtja e status-quo-së. Vjena po përgatiste kushtet që territoret shqiptare të kalonin në sferën austriake të ndikimit. Siç e treguan ngjarjet e mëvonëshme, Vjena nuk do ta krijonte në Mirditë embrionin e një shteti shqiptar dhe u angazhua drejtpërdrejt dhe me sukses në pengimin e tij, project që intelektualët arbëreshë e kishin hartuar në bashkëpunim me qarqet qeveritare italiane. Edhe vonesat në lidhje me hapjen e shkollave fillore shqipe në Mirditë lidhen me mungesën e dëshirës së Vjenës për ta avancuar statusin e Mirditës në kuadrin e Perandorisë Osmane. Elitat politike në Mirditë u treguan shumë konservatore, pasi e panë arsimin si kërcënim për privilegjet që gëzonin deri atëherë, duke mos e përgatitur popullësinë as për ndryshimet e ardhëshme. Si zgjidhje e dobishme dhe atdhetare, në prag të shpalljes së pavarësisë ishte lufta e përbashkët e shqipatrëvce kundër pushtuesve osmanë, por me atë zhvillim të shoqërisë vetë elita politike dhe njerëzit e tjerë paten vështirësi në integrimin e tyre në shtetin shqiptar.
[1] . Filip Bojović, (Praca magisterska)Koegzistencija crnogorskijeh i albanskijeh plemena. Prošlost i sadašnjost, Uniëersytet Jana Kochanoëskiego, Ëydział Praëa, Administracji i ZarządzaniaKielce 2019, 41.
[2] Filip Bojović, (Praca magisterska)Koegzistencija… , 44
[3]. Selami Pulaha, Pronësia feudale në tokat shqiptare, shekulli XV-XVI, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 1988.
[4] Filip Bojović, (Praca magisterska)Koegzistencija…, 47-48.
[5] Filip Bojović, (Praca magisterska)Koegzistencija… 59
[6] Prengë Bibë Doda, Dritëhijet e një burrëshetasi,, botimet Emal”, Tiranë 2017,f.136.
[7] Filip Bojović, (Praca magisterska)Koegzistencija…. 59
[8] Nikollë Loka, Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit shqiptar, botimet “”Okult-HIPVKA”, Tiranë 2011, f. 49-52
[9] Ligor Mile, Kryengritja e malësorëve të Veriut në prag të Lidhjes së Prizrenit, shih, Mbi lëvizjen Kombetare Shqiptare, Tiranë 1962, f.20
[10] Prengë Bibë Doda, Dritëhijet e… ,f.128.
[11] Prengë Bibë Doda, Dritëhijet…,f.128.
[12] Prengë Bibë Doda, Dritëhijet e… ,f.159.
[13] Pavichevich, Helen A., "Education and Modernization in Montenegro, 1831-1918" (1976). Dissertations, Loyola University Chicago, p.2-3, https://ecommons.luc.edu/luc_diss/1561
[14] Pavichevich, Helen A., "Education and Modernization in Montenegro, 1831-1918" (1976). Dissertations, Loyola University Chicago, 1.215, https://ecommons.luc.edu/luc_diss/1561
[15] Pavichevich, Helen A., "Education and Modernization in Montenegro, 1831-1918" (1976). Dissertations, Loyola University Chicago, p.115, https://ecommons.luc.edu/luc_diss/1561
[16] Pavichevich, Helen A., "Education and Modernization in Montenegro, 1831-1918" (1976). Dissertations, Loyola University Chicago, p.150-151,, https://ecommons.luc.edu/luc_diss/1561
[17] Nikollë Loka,(disertacion), Veçoritë e zhvillimit të arsimit në Mirditë, Univertiteti I Tiranës 2021, f.39.
[18] Haycinthe Hecquartd, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, Tiranë, Plejad, Tiranë 2007, f.255.
[19] Nikollë Loka,(disertacion), Veçoritë e zhvillimit të arsimit në Mirditë, Univertiteti I Tiranës 2021, f.42.
[20] Nikollë Loka,(disertacion), Veçoritë e zhvillimit të arsimit në Mirditë, Univertiteti I Tiranës 2021, f.43-44