Aziz Mustafa - MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË (pjesa 2)

Aziz Mustafa - MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË (pjesa 2)
MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË
Roman
                                            Pjesa 2
 
2.
Pasi doli nga reparti, dr. Leonard Malaj shkoi në laboratorin qendror të spitalit dhe dha gjakun dhe urinën për biopsinë e nesërme. Kur dolën rezultatet, e thirri në telefon edhe anesteziologun e klinikës dhe i tregoi. Ai u habit. Habia e tij vërehej nëpërmes lidhjes telefonike. Pastaj, edhe pse nuk kishte uri fare, shkoi në restorant. Hëngri një vakt sa për të thënë. Shkoi te parkingu, ndezi veturën dhe shkoi në shtëpi. Mendoi ta merrte në telefon të shoqen por, nuk e bëri. “Pse ta mërzis. Ende nuk e kam diagnozën përfundimtare. Pas biopsisë të shohim. Si të jetë e shkruar” mendonte vetë me vete.
U përplas në kanape dhe ndenji ashtu me orë të tëra, duke menduar për veten, për tumorin në fyt dhe për jetën e tij, ose për atë që kishte mbetur nga jeta e tij. Si nuk qëlluan Suzana dhe Flaka këtu? Sot kishte nevojë më shumë se kurdoherë tjetër për to. Por, bashkëshor-tja me vajzën pesë vjeçe kishin shkuar në Holandë.
Suzana Von Kreems kishte tre vjet që ishte martuar me dr. Leonardin, por mbiemrin s’e kishte ndërruar. Ishin njoftuar gashtë vjet më parë në një konferencë në Japoni. Ajo ishte vajza e një profesori të otologjisë me famë botërore. Ishin dashuruar në shikim të parë dhe, nëntë muaj pas konferencës e pas lidhjes së tyre, kishte lindur Flaka, vajza e tyre. Derisa Flaka mbushi dy vjet, Suzana jetoi me nënën, një pediatre që punon-te dhe jepte mësim në Universitetin e Utrechtit. Pas ditëlindjes së dytë të vajzës, të cilën e festuan me një udhëtim në Maldive, Suzana erdhi në Kosovë, morën një banesë me qira në Prishtinë. Ajo u punësua në një OJQ. Vajza rritej me dy prindërit që i punonin. Në profesion i shkonin punët shumë mirë. Dy herë në vit shkonte në kurse dhe në konferenca. Babai i Suzanës përvojën e vet nuk përtonte t’ia përcillte dhëndrit nga Kosova, madje nja tri-katër herë kishte ardhur në Kosovë për të ndihmuar në repartin e dr. Leonardit. Por, jeta dhe profesioni i tij ishin kthyer kokëposhtë. Një tumor, një kancer në fyt, po e kërcënonte shënde-tin dhe jetën e tij.
E kaloi natën si është më së keqi. Kishte dëshirë të dehej por, për shkak të operacionit të nesërm, nuk piu. Piu vetëm ujë dhe u shtri. Tërë natën nuk fjeti. Disa kotje, me disa ëndrra të tmerrshme, deri në mëngjes e shoqëruan në shtrat. Të nesërmen shkoi në dhomë e u vesh me pizhame të spitalit. Kolegët dhe infermieret e shikonin me dhembshuri. Shkoi në këmbë dhe u shtri në tavolinën operative, në të cilën vetë kishte bërë qindra operacione. Mjekut anesteziolog iu lagën sytë kur i vuri maskën e oksigjenit dhe kur e intuboi. Edhe dr. Luani u mërzit kur ai i futi laringoskopin, pastaj mikroskopin dhe me të mori një copë nga tumori, të cilën e dërguan në Institutin e Patologjisë.
Ora 9:45. Ditë e mërkurë. Dr. Leonard Malaj u zgjua nga anestezioni i parë i marrë në jetën e tij. Kishte dhembje të lehtë në fyt. Kishte parë mjaft ëndrra gjatë anestezionit, por asgjë s’i kujtohej. Kishte nevojë të flinte. Vetëm të flinte dhe të harronte.
 
3.
Rezultati i biopsisë erdhi ashtu si dyshohej: tumori në plikën e majtë të zërit të dr. Leonardit ishte kancer. Në fletën e rezultatit ishte përshkruar pamja mikro-skopike e tumorit. Në zyrën e drejtorit, ku po shiko-nin bashkë rezultatin, dy doktorë, njëri drejtor dhe terapeut, tjetri pacient, po bisedonin të mërzitur. Pastaj biseduan për mënyrën e shërimit. Operacioni ishte opsioni më i mirë, edhe pse mund të mbetej pa zë. Ndoshta duhej të hiqej tërë laringu!
- Më mirë pa zë se pa kokë, apo? Kështu thoshin laringologët e vjetër - tha Leo.
Dr. Luani pohoi me kokë. Por, u mundua t’i shpje-gonte rreth hulumtimeve më të reja shkencore në këtë fushë, por e la krejt sepse e kuptoi se miku, kolegu dhe tash pacienti i tij, zor se do të bindej. Sytë e tij flisnin ndryshe.
Doli me këmbët që mezi e mbanin dhe sapo shkoi te dhoma, e thirri bashkëshorten dhe i kumtoi lajmin e keq. Ajo gati luajti nga mendja. Filloi të qante, të dëneste. Nuk e besonte.
- Duhet të bësh një biopsi tjetër. Nuk u besoj kolegëve tu.
- S’ke si mos t’u besosh. Analiza histopatolo-gjike është e njëjtë kudo.
Leonoardi i shkretë e kuptonte se Suzana nuk dinte se çka po fliste. Kur njeriu merr lajme të këqija, lajme që tregojnë se jeta e njeriut të dashur, më të dashurit, ishte në fije të perit, nuk dinte çka të fliste e çka të mos fliste.
- Zjarri e kalltë! - nëmi Suzana mes lotëve dhe e mbylli telefonin.
Dr. Leo deshi të vazhdonte ta porosiste mos të bënte ndonjë budallallëk, por lidhja u mbyll. Doktori e dinte se e shoqja vuante nga një lloj psikoze maniakale, me tendenca piromanie. Krizën më të madhe e kishte pasur kur kishte mbetur shtatzënë dhe i ishte dashur që gati tërë shtatzëninë të ishte nën kontroll të psi-kiatrit. I shkreti Leo, pak kishte hallin e kancerit të tij në laring, tani duhej të kujdesej se mos e shoqja në krizë pikëllimi do të kallte diçka, do të digjte diçka, kush e di çka.
Menjëherë e thirri prof. dr. Janin, babanë e Suzanës. U lajmërua sekretaresha e cila, kur ky i tregoi se ishte shumë urgjente, e lidhi me të. Me fjalët që i lidheshin në grykë, ia shpjegoi gjendjen. I tregoi për kancerin e fytit dhe i tha të kujdesej për Suzanën në këtë kohë krize, se mos po i ktheheshin krizat e piromanisë. Profesor Jani e ngushëlloi duke i thënë se do ta kalonte, ishte i ri, dyzet e pesë vjeç dhe se karcinoma e laringut kur diagnostikohej me kohë, mund edhe të shërohej. Sa për Suzanën, i tha të mos brengosej. Do të kujdesej ai.
Pas dy ditësh Suzana u kthye në shtëpi. Leo s’kishte vendosur ende çfarë do të bënte. Ku të shërohej. Këtu, te kolegët e vet, në spitalin ku kishte punuar pesëmbë-dhjetë vjet, apo të shkonte diku tjetër. Mundësi kishte.
Suzana erdhi pa Flakën. E kishte lënë te nëna e vet e cila kishte marrë pushim. Derisa po kalonin krizën e sëmundjes së Leos, Suzana kishte vendosur të mos kishte edhe vajzën nëpër këmbë. Leo ishte mërzitur shumë për vajzën. Ishin bërë dy javë që nuk e kishte parë. Kishte nevojë për praninë e saj, për të qeshurat, për pyetjet e saj. Por, ja që tani koha ecte më shpejt se zakonisht. Vetëm ai që ka provuar rast të tillë mund të flasë për të, të tjerët vetëm ia futin kot.
 
4.
Dr. Leonardi dhe bashkëshortja e tij, Suzana, u ulën përballë në tavolinën e kuzhinës së banesës së tyre në lagjen Dardania dhe prej orës gjashtë të mbrëmjes deri në mesnatë biseduan për hapat e mëtejmë. Ku të shkonin? Si të dilnin nga kjo fatkeqësi që i kishte plla-kosur? Ishte e vërtetë se i sëmurë ishte Leo por nëse, larg qoftë, Suzana e humbte atë që e kishte pritur tri-dhjetë e gjashtë vjet, as asaj s’i duhej jeta. Pas njëzet vjetësh burg e kishte takuar njeriun që kishte përballë, e kishte pranuar në jetën e vet, në trupin e vet dhe në shpirtin e vet. E kishte lejuar të hidhte brenda vetes farën e tij dhe të ngjizte një fëmijë që i jepte kuptim gjithçkaje edhe kur s’kishte kuptim. Jeta e Suzanës, nga një ferr, ishte kthyer në parajsë gjatë udhëtimit të saj në Japoni, kurse tani kishte filluar prapë përmby-sja. Por, ajo kishte ardhur aty që t’i ishte pranë njeriut që ia kishte falur dashurinë, njeriut që e donte me shpirt e me zemër.
Pasi i shqyrtuan të gjitha mundësitë, i peshuan të gjitha faktet dhe të dhënat, vendosën që për shërim të shkonin në Stamboll. Leo kundërshtonte. Nuk donte ta anashkalonte dr. Luanin, mikun dhe drejtorin e vet që ishte laringologu më i mirë në vend, që kishte bërë aq shumë trajnime jashtë vendit dhe që kishte rezul-tate aq të mira. I dukej se po e tradhtonte mikun e vet, spitalin e vet dhe atdheun e vet. Çka do të thoshin për të pacientët e shumtë? Ata që nuk kishin mundësi shërimi jashtë shtetit? Por, Suzana ishte kategorike: në Utrecht ose në Stamboll. Për në Utrecht duhej viza. Zgjidhje mbetej Stambolli. Me zemër të thyer, pranoi.
Pasi morën vendimin, ranë të flenë. Për habi, pa marrë parasysh gjendjen ku i kishte sjellë rrota e fatit, atë natë bënë dashuri një kohë të gjatë saqë në disa çaste harronin sëmundjen e Leos dhe dëshirën e Suzanës për të djegur gjëra.
 
(vazhdon)