MARISA ASHIKU
Marisa Ashiku ka lindur më 2 tetor 1981 në Lushnjë. Aktualisht dhe përkohësisht banon në Voghera të Italisë. Marisa ka punuar në arsim për 9-të vite si edukatore në një kopsht privat, të krishterë dhe 6 vjet si terapiste zhvillimi me fëmijët ndryshe të spektrit autik, të cilët i ndihmon edhe sot e kësaj dite.
KAM PARË...
Kam parë si ndriçon trishtimi
në ditë festash,
si tërheq kuaj prej reje të bardhë
arratisur qiellit,
kam dëgjuar njerëz të falenderojnë
për bukën mbi tryezë,
të njëjtët
bekojnë dhe shpërndajnë
ushqimin e shpirtit...
Kam ndier buzë
që puthin një hënë të ngrënë,
që ngrohin një hënë të ftohtë
për ta plotësuar me shpresën e përgjysmuar
natën e vallëzimit të ujqërve,
por kurrë s'kisha parë
sy që bëjnë dashuri,
me yje të harruar në një grusht lutje...
derisa të takova ty...
***
Në njërin gji
shtrydhet dielli,
e në tjetrin ngrihet stuhi...
Shigjeta rrezesh bien n'lëkurë
dhe shtrihen në gjoksin,
ku rrjedh shi...
***
A mund të
të shohësh fytyrën
e një shpirti të brishtë,
kur nën lëkurë
vibrojnë ndjesitë,
si rrahjet e zemrës së detit,
mbi shkëmb
e të mos ndjesh
si ngrihet prej ëndrrës
zemra në grykë,
e gulçon
mes klithmave të pulëbardhave
që spërkasin ajrin
me grimca lumturie...
E të dallosh
sa shumë i përngjan fëmijës,
që pikturon ëndrrat në sy...
në ata sy të qeshur
që ushqejnë pulëbardhat
me copëza qielli të pambukta,
ku kanë derdhur gjithë gëzimin
e jetës sublime...
****
Shkëputur prej hijes
shikoj nga lart, mbi re
si shtrihet qielli të flejë
në supet e një skulpture...
***
Ke ndierë ndonjëherë
qytetin e zhurmshëm,
të mos pipëtij askund
në ty,
koha të t'mbesë peng
nën tingujt e zërit,
të t'mbesë
brenda dritës në sy?
Ke ndierë ndonjëhere
erën e shpejtë,
të t'ngatërrohet
mbi hapa
kur nisur je
për tek unë?
Të të shtyjë, dorë e mallit
në mijëra rrugë të panjohura,
që kryqëzohen me mua gjithkund?
E të zgjatësh duart në asgjë
e të prekësh gjithçka jam...
Të thërrasësh, duke mbyt zë
të duash të heshtësh,
të qeshësh,
të qash,
si ndodh në një lutje për shpëtim
kur në altar je gjunjëzuar,
për pak pranverë në gishtërinj,
për frymën time, mbajtur në duar,
e të veshësh me të, rrugët e qytetit...
Ja, kështu të ndiej...
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese