Cikël poetik nga Alma Pal Ndoj

Cikël poetik nga Alma Pal Ndoj
ALMA PAL NDOJ

Alma Pal Ndoj ka lindur më 10 tetor 1986 dhe është rritur në Derven, pranë Fushë-Krujës. Shkollën 8-vjeçare e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Fushë-Krujë. Në moshën 19-vjeçare emigroi në Greqi, ku jetoi për 15 vite. Në vitin 2018 u vendos në Belgjikë, ku jeton aktualisht me familjen. Është nënë e dy vajzave dhe e dashuruar me artin. Muzika, kërcimi dhe poezia janë për të burim qetësie dhe shërim shpirtëror. Poezinë e nisi si pasion që në gjimnaz, e riktheu pas disa vitesh falë mbështetjes së artistëve dhe sot e përjeton si pjesë të pandarë të jetës së saj. Belgjika i ka dhënë hapësirën për ta dashur sërish poezinë. Si Peshore, gjen qetësi te deti, qielli, hëna dhe dielli. Beson se bota është e bukur për kë ka sy ta shohë dhe shpirt ta ndjejë. Flet disa gjuhë të huaja: anglisht, italisht, greqisht, spanjisht dhe holandisht. Pas botimit të librit të saj poetik, "Grimca lumturie" , "Pranë detit dhe ëndrrës", vijon libri i saj i dytë.

DISA NJERËZ

Disa janë si pëllumbat,
vijnë vetëm për thërrimet.”
Të tjerë janë si mizat,
gjithmonë rrotullohen rreth asaj
që ka dikush tjetër.”
Të tjerë si hijet,
shfaqen vetëm kur diçka
bie mbi tavolinë.”
Disa janë si orët pa bateri,
funksionojnë vetëm kur dikush
i ndez...

SIKUR...

Sikur të kisha një vend imagjinar,
të strehohesha sa herë të kisha nevojë.
Sikur të kisha një vend për t’u larguar,
prej nga s’do të kthehesha më kurrë.

Sikur të kisha një vend të qetë,
shumë larg zhurmave të botës,
do të mblidhja copëzat e dhimbjes
dhe do t’i zëvendësoja me ato të lumturisë.

Sikur të mundesha të ikja
aty ku jetojnë kujtimet e mia,
do t’i bëja ballë frikës brenda meje
dhe do të thosha: ia dola, me bindje.

Ah, sikur të kisha një fuqi mbinatyrore,
ndjenjën që më pushton brenda vetes
ta shkulja me gjithë rrënjë, një e nga një,
dhe të shijoja lirinë e zemrës sime.

Ah, sikur një ditë zemra ime të ishte e lirë,
sa e lumtur do të jetonte…
s’do të njihte më dhimbje, as lot,
vetëm frymë të lirë do të merrte.

SA MË SHUMË...

Sa më shumë që lexoj,
aq më shumë kuptoj.
Sa më thellë që shkoj,
aq më shumë të vërteta gërmoj.
Është e dhimbshme,
të zbulosh gjithnjë e më shumë
mendimet negative
dhe plagët që ato shkaktojnë.
Lexoj dhe kuptoj botën mbarë,
intrigat dhe manipulimet;
shoh qartë të mirat dhe të këqijat,
fytyrën e vërtetë të njerëzimit.
Të ecësh mbi xhama të thyer,
në një rrugë plot pengesa,
kërkon durim të madh,
që ligësia të mos hyjë brenda teje.
Disa rënkojnë pa u rrëzuar,
e disa, të rrëzuar,
ngrihen pa u ankuar.

SA QETËSI

Nuk më besohet shpirti im
Gjeti përsëri brenda qetësinë
Çdo gjë që për mua s’kishte kuptim
Tani gjithçka u bë më e lehtë.

Mendja ime komplet u kthjellua
Zemra i hapi dyert sërish
Shpirti mori ritmin e duhur që prisja
Trupi u shërua nga lëndimi plotësisht.
Heshtja më përkedhel si erë e re
Në zemër më ngjall qetësi që flet
Si yll më shndrit nata pa re
Dhe çdo ankth tretet ngadalë, lehtë.

Në hapin tim tani ka dritë
Në gjoks më rreh një qetësi
Si det i kthjellët shpirti më ndrit
Dhe çdo plagë kthehet në fuqi.