Meri Bo – Cikël poetik

Meri Bo – Cikël poetik
Meri Bo
 
PO TE MUNDJA!   
 
1
Nëse do të mundja, 
s'do të të çoja në bukuritë e parajsës
aty ku banojnë engjëjt. 
 
As mbi retë 
ku të flakëronim deri në pafundësi
dashurinë tonë
e të dëgjonim tingujt e harpës së hënës.
 
As të mbillnim zymbyle në kopshtet e shiut,
për të mbledhur engjëjt e përulur
nga ëndrrat e të dashuruarve.
  
Po të mundja,
erë do të bëhesha,
të të kapja nga dora 
e të arratiseshim në bukurinë e flladit 
të poezisë, 
përkundër erës dhe qiejve të kristaltë,
duke adhuruar lindjen e poetëve.
 
Nëse do të mundja,
do të ndërtoja një shtëpi, 
jo mes kupolave qiellore
të stërpikura me yje.
Në një kasolle mes pyllit
do të të çoja,
të vetëburgoseshim,
parajsën ta ngrinim aty!
 
Se Parajsa s'pyet për Ku,
për Pse e Qysh e Si
Parajsa e ka emrin
Dashuri!
 
2
Janë të zbehtë
tepër të zbehtë buzët e shpirtrave.
 
Shiu qe bie dhe fjalët qe dalin
e bën më statike pamjen e tyre.
 
Bojë e kuqe, fjalë që harrohen
vetëm buzët e zbehta kërkojnë pak freski
në rrjedhat e shiut.
 
Sa shumë fjalë
kemi thënë dhe s'kemi thënë
Viteve te heshtura
viteve te ëndrrave.
 
Dhe kur ato na vjetroheshin,
buzëve ju vishnim fjalë të reja
fjalë shprese
asonanca mungesash  
për t’i dhënë çastit tone
disa ngjyra më tepër.
 
Buzët tona tashmë
si kanë më emocionet e para
e megjithatë
përsëri e kanë një dridhje
dhe një nerv qe i çon fjalët
gjer tek shpirti.
 
Shiu qe i freskoi
dhe vaditi me një mijë hije
i ka bërë të artikulojnë
pambarimisht fjalë të gëzuara.
 
O zot sa vite kishin heshtur ato.
 
3
Vallëzim emocionesh !
 
Universet
janë gjunjëzuar në prekje
Gishtat, që gërvishten në trup varur nga epshi
dhe buzët rozë duke u dridhur.
 
Zemrat e pabindura
me goditje të gabuara, me hapa të zhurmshëm
dhe ritme të çuditshme.
 
Fjalët,
bëhen pikat e nxehta të ndezjes
Gjuhët,
shkrihen nga puthjet
Orët e humbura,
shpërndajnë lot gëzimi.
 
Hënat,
anojnë në folenë e gjinjve të larë në djersë 
Dashuria e yjeve, venat kërcejnë
Shpirtrat lëkunden dhe rezistencat avullojnë.
 
I pashtershëm pasion!
 
Janë disa net
te cilat, agimin shfuqizojnë.!
 
4
Kur ëndërron poeti !
 
Në qetësinë e natës
Ai..
po shkruan
Penën e ngjyen në dritë yjesh,
atje ku fluturojnë ëndrrat dhe hijet rriten.
 
Një poezi yjore i rrjedh butë
si mjegullnajë galaktike,
deri sa llampës së hënës
t'i mbarojë vajguri
e ëndrra e poetit të shtrihet e lumtur
në agimin e bardhë!
 
pastaj
e zë gjumi, në krahët e kohës së pakohë,
nëpër rreshta,
me stilolaps në dorë,
pikturon ëndrrën e radhës
e dremit mbi qylymin magjik të fjalëve!
 
Botë e lindur nga fjalët, ëndrra e një poeti!