BAJRAM CARA (MIRDITË)
Bajram Asllan Cara ka lindur më 22 janar 1966 në fshatin Zajs, në rrethin e Mirditës. Bajram ka mbaruar arsimin e lartë dega juridik. Bajrami ka qenë i punësuar për 30 vjet si oficer në policinë e shtetit shqiptar në disa rrethe të ndryshme të vendit. Me krijimtari letrare është marrë shumë herët. Fillimisht është angazhuar në përgatitje tekstesh të këngëve, të cilat janë muzikuar nga kompozitorë prestigjioz vendas dhe kënduar nga këngëtarë të njohur. Prej disa vitesh, Bajrami merret edhe me poezi, disa prej të cilave janë botuar më së shumti nëpër revista dhe përkatësisht në Revistën "Mirdita". Gjithashtu, Bajram boton rregullisht edhe në portalin e tij elektronik. Deri tani ka botuar dy libra vëllimesh me poezi si: ”Aromë malli” dhe “Andërr e Bardhë". Në përgatitje e sipër për botim ka vëllimin e tretë poetik. Aktualisht Bajrami punon si Inspektor i Mbrojtjes Territorit në Tiranë.
MREKULLI ALPINE
Male të thepisun Alpet arbnore
Mbush me fllad pranvere
Pjalmi i hanës
Ledhaton petalet e luleve të harlisuna
Teksa krojet e kristaltë në rranjët e ahishtës
Rrjedhin në lugjet e ditëve të ikuna.
Bukuri verbuese, qafë e kalit
Ku aroma e shpatinave të vjetra
Kundërmon lulnajë
E zgjatet me hir e madhështi
Të ushqehet me tërfilin e egër
Lulen dashni të kuajve...
Ma tej, cucat dialogojnë me flladet
Tek lozin në tapetin e blertë të livadheve
E sytë e drenave alpine
Ngrijnë në gazmendin e tyne...
Palloi, me bishtin kometë
Ikën nëpër ahishte
Ku dremit dashnia...
Që cucat e lanë në udhë
E ikën duke verbue hanën...
DY FJALË DIKUSH TË M'I THOTË
Kur të iki, pa kthim nga kjo botë
Dua të iki në heshtje, pa vajtim
Çfarë kisha për të bërë e bëra siç munda
Nuk do kem brengë, nuk do kem pendim.
E desha jetën, njerëzit shumë i desha
Gjithkujt i fala vetëm mirësi
Nuk jam Omer Kajami, me cuca e kupa
Por dhe unë dikujt i fala dashuri.
Kur të mos jem unë ma në këtë botë
Askush të mos qajë, të mos derdhë lot
Kur sytë e mi të kenë maru
Çdo vaj e hidhërin asht i kotë...
Nuk do të shoh ma kroje, livadhe e gurra
Nuk do ndiej fjalën në kulla guri
Sa isha gjallë ndenjta hijshëm me burra
Në oda fisnike, ku rrinte burri...
Aty ku m'u forcue koci e shtati
Ku hodha hapa në fëmijëri
Do endet shpirti im i trazuem
Nji grimcë kohë ka mbetun aty.
Meqë shkrova me laps e lashë dy fjalë
Dy fjalë ke vorri dikush me mi thane
Drita e shpirtit tim mes jush do jetë gjallë
Në vargje ku fryn erë dhe mallë...
Kur të shuhet i fundit imazh
Dhe fryma ime të jetë ba ujëvarë
Me kohën e fjalës udhët do t'i mas
Dy fjalë dikush të m'i thotë mbi varr...
.............................................................................
Redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese