Jahja Lluka - ME RASTIN E DITËS SE KTHIMIT NGA EKSODI 17 QERSHORI '99
ME RASTIN E DITËS SE KTHIMIT NGA EKSODI 17 QERSHORI 1999
Eksodi në këtë pjesë të Ballkanit, i orkestruar nga pushtetarët e dhunshëm, ishte tragjedi që ka përcjellë gjeneratat gjatë shekujve. Shumë viktima të kësaj tragjedie sot bredhin në detin e pafund të dhimbjes së quajtur refugjat.
Siç e bën jo shpesh historia, ndodhi një mrekulli biblike. Mrekullia e mureve të ujërave të Detit të Madh përmbytën ’’engjëjt’’ e djallit. Pyesim, athua ende bredhin ’’engjëjt’’ pasues të tij?
Sapo u mbushën 21 vjet nga përfundimi i luftës çlirimtare të UÇK-së, qershor 1999-2020, dhe po aq nga kthimi biblik, dramatik dhe fenomenal i shqiptarëve të Kosovës, të cilët, para dhunës, krimeve dhe shfarosjes siç e kishte planifikuar neofashismi serb ndaj shqiptarëve, të cilët u detyruan të shpërngulen në mënyrë dramatike, pothuajse në të njëjtën mënyrë edhe u kthyen.
Lufta e fundit e viteve 1997-1999 për çlirim nga robëria shekullore serbe nxori në pah të vërtetën, sfidat dhe përpjekjet e pandërprera të shqiptarëve kundër pushtuesit kolonialist serb për 90 vjet rresht, që nga viti 1912, kur Kosova u okupua nga Serbia.
Lufta e fundit çlirimtare e udhëhequr nga UÇK-ja vulosi edhe një etapë tjetër të lavdishme të historisë sonë më të re. Çlirimin e Kosovës nga hordhitë gjenocidiale serbe në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar, NATO-në, dhe me përkrahjen e pakursyer të SHBA-vë.
Planet shekullore për asgjësimin dhe shfarosjen, etnocidin, gjenocidin, kulturocidin dhe shpopullimin total sipas planit 610-2000 që ishte pjellë e Kishës Ortodokse Serbe, e Akademisë Serbe t Shkencave e të Arteve, e Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë etj, e që nuk do t’ia dalin, falë dashurisë mitike për atdhe dhe gjuhë, deri në flijim pothuajse kolektiv.
Lëvizja e një popullsie të tërë, largimi nga Kosova e afro një milion shqiptarëve, vendosja në trojet e tjera etnike rreth e përqark Kosovës, lëvizja e pjesës tjetër të popullsisë brenda përbrenda Kosovës nëpër male apo pika të ndryshme, gjithashtu ishte një fenomen i qëndresës përjashtimisht jashtë çdo skenari, fenomen që dëshmoi ndërdijen, optimizmin dhe dashurinë për atdhe, që ai të mos shpopullohet, apo serbizohet, siç e kishte planifikuar makineria vrastare serbe në bashkëpunim me të gjitha institucionet e saj.
Populli i ndjekur jashtë Kosovës ishte i përgatitur që, në rast nevoje. të gjithë meshkujt e aftë të rikthehen e t’u bashkëngjiten forcave të UÇK-së për të vazhduar luftën deri në fitoren e plotë, për çka ka dëshmi nga numri më i madh i kampeve të refugjatëve, e sidomos nga ai i Kukësit dhe i Çegranit .
Dashuria për ata që kishin mbetur në atdhe, për UÇK-në dhe për fatin e atyre që ishin peng në disa pika kyçe të Kosovës, bëri që popullsia milionëshe të ishte në korrent me ngjarjet dhe të kthehet në mënyrë mitike.
Procesi i rikthimit është njëra ndër dramat më mitike të ndodhura në mijëvjeçarin e fundit. Ky proces dramatik-mitik dëshmon për atdhedashurinë e madhe ndaj tokës, varreve, viktimave dhe Kosovës qoftë ajo edhe Albanidë e zjarrtë, apo tokë e djegur.
E Kosova ishte e djegur. Ku po kthehet ky popull, pyeste bota e habitur.
Fatkeqësisht, populli shqiptar ende përballet me bredhje refugjatesh. Ata edhe më tutje bredhin nëpër viset e tyre etnike, brendapërbrenda tokës së tyre mëmë në Ballkan, Evropë dhe në botë. Nga 20 milionë refugjatë, sa ka aktualisht në bredhje, pa plan dhe atdhe, mbi një milion janë shqiptarë!
Po pse, kush është fajtor për këtë?! Sigurisht se shqiptarët jo!
Ne sot mendojmë dhe qëndrojmë fuqishëm në vizionin mbi kthimin e njerëzve vullnetmirë, kthimin e të gjithëve që e duan Kosovën si shtëpi të veten, e jo Kosovën si ’’shtëpi zjarri” të ’’gazdallarëve’’ pa tapi, jo Kosovën e ndarë me gardhiqe të panevojshme.
Kosovës nuk i duhen ata që vijnë për ta këputur copën e saj e për të ikur matanë. Kosovës i nevojiten ata që vijnë për ta bërë atë mu ashtu siç duhet.
’’Të krijojmë për secilin prej nesh një bashkësi në të cilën fuqia, mirëqenia dhe mundësia të jenë në duart e të shumtëve e jo në duart e të paktëve, ku të drejtat që i gëzojmë reflektohen me detyrat që kemi /posedojmë’’, thotë i shkëlqyeri Tonny Blair.