SHIRE DHIMA
Shire Dhima ka lindur më 27 Janar 1963 në Drizë të Kuçovës. Shkollën e mesme të përgjithshme e mbaroi në Kuçovë nga viti 1978 - 1982. Në vitin 2016, Shire emigroi në Greqi ku jeton edhe sot.
Në vitin 2021 ajo botoi librin e saj të parë me poezi: "Dhimbja kërkon unazë" i redaktuar nga Lola Shehi dhe i botuar nga Shtëpia Botuese Lena Grafik në Kosovë.
Shire ka marrë pjese në tre antologji, dy nga të cilat të botuara në Shqipëri dhe një në Kosovë.
NËNA IME
Në nektarin e shpirtit të mbaj moj Nënë!
Nektarin e jetës tënde tek unë e ke dhënë
Ti mbolle jetën time, si yje mbjellë në hënë
Përkunde dashurinë, në të ëmblin prehërin tënd.
Ti e mira ime, ti hoje e zemrës sime
Në vatra trishtimi, ti zbrisje sa agime
Në perëndime ditësh, ti diellin kthen në lindje
Në udhëkryqe humbur, je udhërrefyesja ime.
Ti thesari im, kurrkund si ty s'gjej
Ti lidhje e pazgjidhshme, sa tërheq shkëmbinj
Je adresa ime, nuk mund të shkëmbej
Frymëmarrjen tënde, në ëndrra e ndjej.
Dashuria për ty, është kthyer në mall
Buron brenda shpirtit, llavë e nxehtë si zjarr
Të mbaj brënda zemrës, ti rrjedh në damarë
Gdhihem me ty, ngrysem, brenda meje je gjallë!
MAGJIA E SHPIRTIT!
Mrekullive të shpirtit u dhashë përjetësinë
Në gurin e kohës skalitur me penë
Të frymojnë lirshëm me oksigjenin tim
Në flokët e krehur, asnjë thinj s'i gjen.
Mes shkëmbinjve të virgjër, puhizë mrekullie
Zëra meliodoz, qëndisur aromë
Qënka melodi, një e ëmbël shije
Forca e mrekullisë dhe gurin e shpon.
E pa malin e thatë, dhe u fut në zemër
Në damarë fjalësh, pena bojë lëshoi
Do bëlbëzojë Mali, do thërras në emër
Syri qesh gëzime, loti synë harroi.
Mbi gjethet e vjeshtës shkruan fjalët e erës
Njëherë aguridhe, njëherë pjekur si vjeshta
Mjel pak qumësht hëne, mbush gotat e verës
Mali pi sa dehet, nis dhe këndon bjeshka.
Në sy varfërie, fjala lëshon dhimbje
Po si retë sherrete me nervat e nxirë
Qielli vetëtin nuk duron më grindje
Trupi i enjtur plagë, një pasqyrë e mpirë.
Kapur tokën dridhjet, sa herë afron dimri
Reumatizma e kohës futur në themel
Pena ndryshon gjuhën, ndryshon ngjyrën timbri
Mrekullia e penës, merr tjetër model.
Stinët vijnë me radhë, me tekat e tyre
Pena nuk u ndahet, degë më deg lidh varg
Qan e qesh me to, u zgjidh ndonjë nyje
Me magjinë e shpirtit nis e shëron plagë.
DATOJ NGA LASHTËSIA
Ti nuk e di ditëlindjen time
Pyet gurët
Ata e kanë gdhendur në faqet e tyre
Daton hershëm koha e bizantinëve
Që nga lashtësia kam vrag në fytyrë.
Ti nuk e di se kur kam lindur
Vitet dhe shekujt më kanë shënuar
Jeta me sa dallgë është grindur
Sa herë jeta fundosur nën dallgët harbuar.
S'të kam thënë ty
sa herë me shpatë jam futur mes reve
Drita vetëtimash më vinin në shënjestër
Jeta coptuar nga brirët e reve
Në copa jete shpërthenin sytha të fjetur.
Ti nuk e di sa kam luftuar
Krah për krah isha me Skënderbeun
Penën si armë, prita kish zënë në duar
Ca vargje gjëmojnë për mëmëdheun.
Ty s'të kam thënë
Kohërat kanë kaluar në urën time
Mbi shpatullat e mia kam mbërthyer sa trarë
Rrugë të papërfillshme kishte jeta intime
Autostrada hallesh,
vetëm hallat vinin çdo behar.
Mos më di se kam lindur sot?
Rrudhat e viteve i kam mbushur me gurë
Në vragët ku çukërronte gjak i përzier me lot
Ngrita kështjellë ku jeta të luftoj si burrë.
.............................................................................
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese