Laura Ficco - Cikël poetik (Shqipëroi Irma Kurti)
Piktore, poete dhe shkrimtare kjo është artistikisht Laura Ficco, me origjinë gjenoveze dhe banuese në Assemini (Cagliari). Doktoreshë në Letërsi për marrjen e Diplomës Honoris Causa nga Universiteti Constantinian - në shtetin Rhode Island (SHBA) në tetor 2012 për merita në fushën letrare. I është akorduar Çmimi i karrierës, më 28 tetor 2017, për merita në fushën e pikturës dhe të letërsisë, në kuadër të Edicionit të 5-të të konkursit ndërkombëtar të poezisë, prozës dhe arteve figurative, La Finestra Eterea 2017 (Dritarja Qiellore). Ndjeshmëria e saj e lindur del në pah, mbi të gjitha, në tematikat që trajton në vargjet, në të cilat shprehen mesazhet e shpresës dhe të humanizmit të thellë në të gjithë gjerësinë e tyre. Laura Ficco ka shkruar rreth njëzet tregime të shkurtra, të mbledhura pjesërisht në librin “Gishti tregues i dorës së djathtë - J’accuse”, botuar nga A. M. Gentile Edizioni, Lecce, në qershor 2018. Ka botuar tetë libra në poezi dhe prozë si dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme.
...............................................................
PRITJE
Sa pritje mbetet
në gulçimet e tua
të kursyera, të ndaluara
nën pemët e ndrojtura,
në bredhjen time të deformuar
të këtij oqeani të vetmuar
të shpirtit tim
fajtor për dashurinë?
DRURI I GËSHTENJËS
Erë të athët druri gështenje
gulçojnë agimet e vjeshtës,
ngacmohet shqisa e nuhatjes,
një ndjesi ankthi në qenien time,
me esencë të brendshme
malli e nostalgjie.
THËRRIME BUKE
Thërrimet e bukës në sqepin e dallëndysheve
mbi petalet e luleve bien,
si pika limfe në buzët e zbehta, të djegura
nga uria e pafajshme gërryer.
Të qetësosh të qarën e dëshpëruar,
fatin e braktisjes
nga shqisat dhe nga njeriu vetë.
Dallëndyshet fluturojnë të lira,
shtegtim plot dritë,
buzët rozë mirënjohëse për dashurinë.
Bota e urisë është e pasur, pa limit,
thërrime buke le të dhurojmë çdo ditë.
KTHIM
Në kujtim të Gianna Longut
Ja ku je,
kthimi dhuron emocion,
dalloj buzëqeshjen tënde
që pjesën e mbetur të jetës josh.
Unë thith ajër krenarie,
papritur nga zemra ime ike.
Të gjej pranë meje përsëri,
me puthje të bardha më mbush ti.
Mos u largo engjëlli im, asnjëherë,
pranë teje forcoj rrugëtimin tim të krishterë.
DO TË TË DOJA
Do të të doja ende këtu
e megjithatë ti u largove
si fluturimi i një pulëbardhe,
pa më pyetur
nëse kisha nevojë për ty.
Do të të doja ende këtu,
për të të qortuar për vonesat e mia,
për të parë tek më mban inat,
për të të mbushur me puthje
brenda një faljeje pastaj.
Do të të doja ende këtu,
do të të ledhatoja fytyrën
që nga flokët e dendur,
duke rrëshqitur ngadalë
në trupin tënd sensual.
Do të të doja, do të të doja,
por nuk mundem tani,
imazhe, kujtime janë
gjithçka që më mbetet nga ti.
Do të të doja këtu
për të ndalur fatin mizor
që të ka grabitur
pa mëshirë nga unë.
Përktheu nga italishtja: Irma Kurti