Emir Shola - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Emir Shola - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
PARAMILITARËT SERBË NA KËRCËNONIN ME THIKA
 
Emir Sholla,
nxënës i klasës VI, Sh f "Zija Prishtina", Vushtrri
 
Unë isha duke shkuar në shkollë. Për një çast u dëgjua një krismë, pastaj edhe një tjetër. Policët serbë filluan menjëherë ta bllokojnë rrugën. Kur arrita në shkollë, kujdestari më tha se nuk mbahet mësim. Kur pyeta për shkakun, më tha se policia serbe po i granaton fshatrat e Vushtrrisë. U ktheva në shtëpi. Babai nuk kishte shkuar në punë. Ishte shumë i mërzitur. Ai na tha të shkojmë tek xhaxhai që të jemi të gjithë bashkë. Krisma kishte të pandërprera. Tri ditë
kemi qëndruar pa dalë jashtë shtëpie. Vëllai im i vogël qante, nuk kishte ushqim të mjaftueshëm. Ne ishim më të rritur, duronim disi.
Xhaxhai më i vjetër tha se do të nisemi për Maqedoni. Mori në telefon komshiun e parë dhe i tregoi qëllimin, edhe ai u pajtua.
Sapo ra terri, filluan krismat dhe ne u detyruam që të zbresim në bodrum. Policia serbe vetëm shtinte me automatikë. Shitores sonë që e kishim, policia ia theu dyer dhe dritare dhe filloi të plaçkiste çdo gjë që kishte brenda.
...Rrugës për Maqedoni ushtarët serbë jashtë makinës i thanë diçka babait, por ai asgjë nuk fliste. Ishte diçka i mërzitur. Kur u kthye në makinë, ne e pyetëm se çka i thanë ushtarët serbë, kurse ai
na tregoi se i kishin thënë se: Rugova ka nënshkruar marrëveshjen se “Kosova është Serbi!”
Kolona ishte shumë e gjatë dhe udhëtimi u bënte shumë i ngadalshëm.
Në një vend babai ndezi edhe një zjarr që të ngroheshim. Disa nga fëmijët flinin në makinë.
Filloi të keqësohej moti, binte edhe borë, ishte kohë e ftohtë.
Pasi zbardhi drita, pikërisht në orën 7 të mëngjesit, ne u nisëm të ecim në këmbë drejt kufirit maqedonas. Përreth nesh kishte ushtarë serbë, që na thoshin: “...shkoni në Maqedoni dhe mos u ktheni kurrë në Kosovën serbe!...