Për Festivalin Folklorik "Zani i Kombit"

Për Festivalin Folklorik "Zani i Kombit"
PËR FESTIVALIN
 
Nëntë vite më parë, në gjithë këtë aromë lirie në Komoran lindi ideja dhe nisi Festivali Folklorik Kombëtar “Ditët e Kulturës” në Komoran. Aktivitet ky i cili kishte për qëllim ruajtjen e traditave kombëtare, lartësimin e figures së Xheladin Gashit - Komandant Plakut si dhe kultivimin e folklorit kombëtar shqiptar.
Ideator e themelues i Festivalit ishte Avdi Gashi, në koordinim me Familjen e Komandant Plakut, Nait Hasanit dhe regjisorit Dibran Fylli,  si dhe me bashkëluftëtarë të Xheladin Gashit- Plakut.

Për ta përkujtuar, nderuar e lartësuar figurën madhore të njërit nga komandantët më të shquar të Luftës së lavdishme çlirimtare UÇK-së, Xheladin Gashit, u vendos që Çmimi i parë-Çmimi i Festivalit të jepet me emrin e Komandant Plakut.
Kështu lindi ideja për Festivalin Folklorik Kombëtar për t’u mbajtur çdo vit në vendlindjen dhe datëlindjen e Komandant Plakut dhe  për të filluar me defilimin e grupeve folklorike, ansambleve, rapsodëve dhe qytetarëve tjerë nëpër qender të Komoranit, për të vazhduar me mbrëmjen konkurruese, ku do t’i këndohet luftës së UÇK-së dhe  heronjve të kombit shqiptarë ndër shekuj e dekada...
Tash pothuajse për çdo vit marrin pjesë rreth 400 artistë, ku në skenën e festivalit që 9 vjet ngjitën rapsodë, valltarë, instrumentist, ansamble e shoqëri kulturore nga e gjithë hapësira shqiptare, me një kolorit veshjesh e kostumesh, nga tirqit galana të Drenicës, tirqit e bardhë të Rugovës e fustanella labe...

Çdo vit këtu vijnë grupe artistësh nga të gjitha trojet shqiptare; nga Kosova, Shqipëria, Tetova, Medvegja, Kërçova, Çamëria, Tuzi e Ulqini. Vijnë këtu edhe Diaspora shqiptare, duke u shndërruar kështu Komorani në një log të këngës e të valles folklorike burimore nga e gjithë hapësira shqiptare. Festivali ka karakter garues, ku ndahen çmime, këtë vit çmimi kryesor është “Dëshmorët e Kombit”, pastaj ndahen edhe çmime tjera sipas statutit dhe rregullores të Drejtorisë së festivalit. Gjatë rrugëtimit të Festivalit zhvillohen edhe aktivitete të tjera si, promovime librash, tryeza, ekspozita dhe gara në disiplina të ndryshme sportive...
 
Përgatiti
Redaksia e Orfeut