Agim Vinca – Recension për librin poetik të autorit Arif Bizaxhi

Agim Vinca – Recension për librin poetik të autorit Arif Bizaxhi
Prirja për të qenë konciz
 
Një tipar tjetër i poezisë së Arif Bozaxhiut, veçanërisht i vjershave të këtij libri, është prirja për të qenë konciz, për t’i artikuluar në mënyrë sa më të ngjeshur idetë dhe mesazhet poetike. Pjesa dërmuese e poezive të këtij libri janë të shkurtra; disa sosh miniatura. Marrë në përgjithësi autorin e karakterizon prirja për ta herrur tekstin poetik nga elementet e tepërta; nga narracioni e deskripcioni, me çka ta kujton porosinë e poetit të mirënjohur Martin Camaj, i cili, për të gjallë të tij, e këshillonte një poet të ri shqiptar në diasporë, që të qëndronte larg deskripcionit dhe konvencionalitetit në poezi. Nuk do mend se kjo kërkesë shpreh një nga tiparet dalluese të poezisë moderne, të cilën provon dhe arrin ta shkruajë autori i këtij libri.
Arif Bozaxhiu është ithtar i vargut konciz, eliptik e sugjestiv, të cilin e kultivon me sukses. Lirika e tij mëton të jetë sintezë e fenomeneve jetësore dhe të vërë një baraspeshë mes figurës dhe përmbajtjes, duke e mbështetur efektin poetik te ritmi, rima, metafora dhe mjetet e tjera gjuhësore e stilistike të poezisë lirike.
Bozaxhiu është poet që nuk i mungon, pos talentit, as sensi poetik. Vargu i tij është metaforik dhe tingëllon bukur edhe në shqip. Krahas poezisë së angazhuar me fatin historik të Kosovës dhe Ballkanit, ai krijon edhe lirikën e çasteve intime jetësore – të dashurisë dhe të frymëzimit poetik.
 
Poezia e poetit, sublim i shpirtit krijues
 
Për vlerat e poezisë së Arif Bozaxhiut kanë folur krijues eminentë si Azem Shkreli, Xhevahir Spahiu etj. “Një timbër i hollë e i ndjeshëm, një çiltërsi si e fëmijës – janë cilësitë që e veçojnë lirikën e Bozaxhiut” – thotë i pari (Shkreli); “një metaforë poetike sa e tejpashme, aq edhe e prekshme, që i flet mendjes dhe zemrës” – shton i dyti (Spahiu).
Shkurtësia është veçori e poezisë së Arif Bozaxhiut. Ai i përmbahet parimit të njohur, që me pak të thotë shumë.
Asnjëra nga poezitë e tij nuk e kalon gjatësinë prej një faqeje të librit, madje shumica syresh përbëhen nga vetëm disa vargje. Arifi nuk abuzon me fjalën dhe aq më pak me durimin e lexuesve, siç ndodh jo rrallë në kohën në të cilën jetojmë. Arti i tij, poetik është himn i së mirës dhe i së bukurës.
Poezia e Arif Bozaxhiut është sublimim i shpirtit të tij krijues si njeri dhe poet. Si e tillë, ajo ka arritur të komunikojë me lexuesit dhe të jetë e pranishme në mënyrë aktive në mjedisin tonë kulturor.