Adelina Xhaferi, Gostivar
1
TE MANI I THATË
Unë
gruaja jote e ngjizur pas shpinës së djallit
përnatë jetuar kam me dhimbje
siç i bie dhimbja dhe Manit të Thatë
për mungesë duarsh që ledhatojnë fundshpina
atje tek lulëkuqet harrojnë të skuqen
dhe harrojnë të duhen.
(VALLË, HARROHET DASHURIA?)
Unë
gruaja jote që shekujsh i qëndisi ojat
përnatë i flas mendueshëm hënës për Manin e Thatë
siç u flisnin perënditë grave të dhunuara
atje tek lindnin djem që harronin të puthnin
dhe harronin të harronin
lulëkuqet e lëna matanë dëshirave.
(VALLË, LIHEN LARG GRATË QË DUHEN?)
Unë
gruaja jote jetuar këtu tek harrohen gjinjtë
përnatë frymuar kam për ty
te Mani i Thatë.
2
HARRESAT QË VRAS
Tokës nuk i rrjedh më dashuria BABË.
Bën kohë e gjatë tek matanë kanë ikur dhe zotat
e këtu përnatë më duhet t'i vras harresat
për TË
dhe për MUA
në mosrrjedhje të asaj që ti ia le tokës
dhe e piu nëna ditë për ditë.
Netëve hëna nuk u ka më hije BABË.
Betimi se gruas do t’i puthen gjinjtë s'dëgjohet më
e zotat as flokëve që shpinës harroheshin
nuk u thonë më mëkate të moçme burri
se bën kohë e gjatë tek i presin me shpresën
e për TË
dhe MUA
toka nuk rrjedh më dashuri.
Grave s'u ka më hije shamia BABË.
Zotat pak i lanë tokës pas shembjes së Trojës
po UNË
dhe AI
s'jetojmë dot pa dashuri
në këtë tokë që rrjedh dhimbje
në këtë tokë që pjell dhimbje
e në këtë tokë që e vjell dhimbjen
nuk ka as zë BABË.
Toka vdes përnatë.
AI përnatë harrohet dashurie.
UNË përnatë i zë në faj harresat që vras.
BABË!
Bota po vdes në mungesën tonë
e zotat as që kujtohen të na rizgjojnë në Trojë.
3
SË PRAPTHI DREJT GJYSMËS
Ka kohë që të kërkoj në gjysmën e hënës
dhe në gjysmën e zotave që s'u bënë njerëz
dhe pak më larg se kaq
në gjysmën e një trupi të mbetur lakuriq
se
kur të kërkoja në të plotën e natës
në të plotën e burrave
dhe në të plotën e trupit të shtrënguar
më thoshe se s'jeton dot i plotë
siç s'u tha i plotë as psalmi i një dite të bardhë
këtu tek pillet ëndrra
tek bëhet dashuri
dhe tek duhet dhimbja e moçme
se
asgjë s'është më shumë se një natë
më shumë se një zhveshje
më shumë se një çiftëzim
e më shumë se një pjellë që i lihet tokës
si unë dhe ti
pjella të zotave që s'u bënë njerëz
si ne që s'bëhemi dot zota.
E di?!
Ka kohë që të kërkoj në gjysma
në kujtime të mbetura pezull
në epshe që s'e synojnë shtratin
dhe në fjalë që s'janë më të një dashurie.
Ka kohë që i kërkoj gjysmat
veç sa për ta mbytur veten time
me pak ti
me pak dhimbje
dhe me këtë pak janar ditë pas dite
pastaj sërish me ty
nga e para
këtu
andej
matanë e larg
dhe së prapthi për t'i hyrë barkut të grave
për të lindur sërish nesër
dhe për t'i ikur sërish një të plote
kudo ku ka gjysma
kudo ku rrjedhin mëkate
kudo ku zotat s'dinë në ishin a janë zota
sa për të mos u bërë e vdekur.
E di?!
Ka kohë që deri në gjysmë t'i dua dhe kujtimet
po s'bëhemi dot zota.
4
DJEGIET NUK I DUHEN TOKËS
Ti e di
në copëzat e asaj që lanë gjysmënjerëzorët
unë s'i dua netët që e dogjën Trojën
e sot i djegin dashuritë.
Për ty në tokë
të pavdekshme do ta kem jetën
pastaj pak nga pak
orë për ore
e çast pas çasti
do t'i ngjizem brinjës tënde të moçme
asaj të dytës
asaj që u harrua hijesh
që u la në të dielën e meshës ta kishe frymë
e mua vjedhëse dhe për mollët të më thoshin.
Për atë të parën që s'e bëzau toka.
Për atë të parën që s'i dha tokës veç djem
e në dru e gur i la dhimbjet.
Sa keq!
Bota ka kohë që dashurisë nuk i thur psalme
se kanë vdekur gjysmënjerëzorët,
janë harruar dhe zotat
dhe ata që u puthën e s'u puthën
e unë Dhemetra jote e pjelljes së djemve
djegiet nuk i dua në tokë.
Ti e di
unë s'i dua djegiet.
Ka kohë që nuk i njoh as gjysmat,
nuk i ngjizem as lëkurës që digjet jete
e për Trojën nuk i numëroj as hyrje-daljet e zotave që çiftëzohen
se bën kohë e gjatë tek digjen me gratë
edhe ëndrrat e gjysmënjerëzorëve
ditë pas dite
deri në një epsh pa sosje.
Për ty në tokë
të pavdekshme do ta kem dashurinë
e kur brinjën tënde të dytë ta zë në muzg
zotave të mbetur mbi gjinj grash
mëkatin mbi buzë do u them të ma shtojnë.
Djegiet nuk i dua në tokë.
As harresës së zotave nuk u flas përnatë.
Le të rrjedhë mbi ty dhe mëkati im
deri në ngërthim të brinjës tjetër
mbi dru e gur
mbi ty e mua
mbi një dashuri pa sosje
veç për të mos u djegur në tokë!
5
GJATË PUTHJES SË PERËNDIVE
Ti dhe Unë kemi për t'u parë
në fundvite të zjarrta
tek do të puthen perënditë ...
(ka perëndi që puthen më mirë se ne)
... pastaj kam për të të thënë:
-Po perënditë do ta shohin puthjen tonë?!
E di!?
Fundvitet mbi buzë do të na bëjnë dimër
e ne do t’i dimërojmë secilës pranverë.