Kenan Sopa - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Kenan Sopa - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
TYMI E FLAKA PËRFSHINË QYTETE E FSHATRA
 
Kenan Sopa,
klasa VI-2 Shkolla fillore ”Emin Duraku”, Kaçanik
 
... Është vështirë të ëndërrosh, por të përjetosh është edhe më vështirë të gjesh fjalë ta përshkruash gjithë tmerrin. Tymi dhe flaka atë ditë përfshiu qytete e fshatra.
Më 28 shkurt 1999 u mbush një vit nga lufta e Drenicës, atë ditë filloi lufta në Grykë të Kaçanikut. 28 mars 1999 ishte festa e Bajramit, në vend se të zgjohemi të gëzuar, atë ditë na zgjuan granatat.
Ishte ora 5:00 e mëngjesit, as nuk guxonim të flinim nga zhurma e granatave. Unë desha të dal në oborr që të shikoj se nga vinin granatat, por nuk më lenin të dal mos po më vrisnin serbët.
Në orën një të mesditës u vendos që më mirë të dilet në mal, fëmijë, gra, pleq, të sëmurë të gjithë, vetëm t'i shpëtojmë masakrës.
Në mal ishte tmerr, kur dëgjoja vajin e fëmijëve nga frika, të ftohtët e uria. Dy net qëndruam në mal, frikësoheshim të ktheheshim në shtëpi dhe kështu vendosëm të lëmë vendlindjen me shumë të vrarë e të plagosur u nisëm drejt kufirit maqedonas. Në mal takuam ushtarët e UÇK-së, isha shumë i lumtur që pashë Pëllumbat e Kosovës.
Më shumë se 18 orë kemi udhëtuar derisa arritëm në Bllacë. Nga andej erdhëm këtu. Tash gjendem në Haraçinë dhe dëshiroj sa më shpejt të kthehem në Kosovën e lirë.