Zeqir Bekolli - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99"

Zeqir Bekolli - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99"
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99" - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
UNË “ARKITEKT” I TENDËS SË PARË NË BLLACË
 
Zeqir Bekolli
 
Mbarimi i vitit 1998 dhe fillimi i vitit 1999, Kosovën po e çonte drejt një përshkallëzimi edhe më të madh të luftës, në njërën anë, por edhe drejt një zgjimi më serioz të diplomacisë evropiane e botërore për të parandaluar gjenocidin, që vazhdonte ta bënte Serbia dhe makineria e saj ushtarake policore, mbi popullatën e pafajshme shqiptare në Kosovë, me synimin për ta bërë spastrimin etnik të vendit tonë. Përshkallëzimi i dhunës, që shoqërohej me vrasje masive, dëbime e shkatërrime të ekonomisë dhe djegiet anë e kënd Kosovës krijuan një situatë tejet alarmante. Konferenca e Rambujesë, vendimet e saja dhe fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, jo vetëm në Kosovë, shtuan hakmarrjen serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës…
…Lëvizjet nëpër qytet ishin të pamundura dhe plot rreziqe, ndaj duhej të përdoreshin rrugicat për të shkuar deri te ambulanca për ta vizituar gruan, kur lindi dhe për ta marrë e transportuar bashkë me foshnjën deri në vendin ku ishim strehuar. Foshnja, Leutrimi, që lindi më 21 mars 1999 në Kodrën e Trimave, nuk e kishte marrë as vaksinën e lindjes. Kur nisën bombardimet e NATO-s nuk dinim si të vepronim dhe nga të shkonim. Vazhdonim të kujdestaronim net dhe ditë. Madje edhe kur binim për të fjetur flinim veshur dhe me valixhe të bëra gati ku kishim vendosur gjërat më elementare që na duheshin në rast largimi. Nëpër rrugën afër shtëpisë, ku ishim vendosur, defilonin civilë serbë me automatikë, kurse në mbrëmje dëgjoheshin krismat e xhamave e dyqaneve të shqiptarëve, që thyheshin dhe plaçkiteshin nga këta njerëz të armatosur . Nën këtë ankth qëndruam deri më 2 prill të vitit 1999, kur fare afër bodrumit ku ishim u dëgjuan të shtënat e automatikut…
…Kur iu afruam Fushë-Kosovës, pashë shumë shtëpi të djegura e trupa njerëzish të vrarë në rrugë. Nga vajzat e mia kërkova të ndalonin këngën se tashmë ishte rrezik se po i afroheshim stacionit të trenit në Fushë-Kosovë. Treni u ndal për disa çaste, në stacionin ku hipën edhe shumë njerëz. Në stacion shiheshin policë e romë civilë të armatosur. Për fatin tonë asaj radhe policët nuk u futën në tren, mbase ishin të kënaqur se neve po na dëbonin. Nuk vonoi shumë e treni mori rrugën drejt Bllacës. Në dalje të Fushë-Kosovës, kishin dalë familje rome nga shtëpitë, brohorisnin, duartrokisnin dhe i gëzoheshin
dëbimit tonë…
…Kur u zbarkuam në Bllacë, pranë lumit të rrëmbyeshëm Lepenc dhe kërcënimit, që na vinte nga një re e zezë e cila veçsa nuk kishte nisur ta zbrazte shiun mbi njerëzit, që për shtrojë kishin tokën e mbulojë qiellin, u ndiemë paksa të lehtësuar. Tashmë ndodheshim në zonën neutrale dhe nën vëzhgimin e mediave të huaja edhe pse në të dyja anët e kufirit gjendeshim në rrethim të hekurt…
…Unë, kisha qëndruar nëpër male me banorët e zhvendosur gjatë luftës, si gazetar, dhe kisha një përvojë për ngritjen e tendave. Por e keqja ishte se nuk mund të gjeja as një brisk të vetëm për ta prerë plastmasin. Kur njëri në mesin e njerëzve, që më rrethuan më tha se e kishte një teh të vogël. U gëzova shumë dhe nisa punën. I porosita disa të rinj të ngjiteshin në trupat e plepave t'i thyenin degët dhe t'i sillnin tek unë. Pasi e preva një pjesë të plastmastit, rinia i sollën degët dhe disa kërpnaja, me të cilat ngrita tendën e parë...