AURORA CANTINI
Aurora Cantini me profesion mësuese është një poete dhe shkrimtare italiane. Udhëtimi i saj letrar fillon me botimin e tre përmbledhjeve poetike gjatë viteve 1993 - 2007. “Lule fushe”, ribotuar në 2011, “Në shtegtim të ditëve”, botuar në vitin 2000 dhe “Një sënduk është dashuria” në 2007. Në 2009 boton librin e parë në prozë, titulluar “Atje lart ku prekej qielli”. Në 2012, botohet romani “Si thërrime të shpërndara në botë” nga Aletti Editore mbi tragjedinë e kullave binjake në Neë York. Vazhdon veprimtarinë poetike me librin: “Përtej harkut të perëndimit” botuar nga Shtëpia Botuese LietoColle Editore për të vijuar me botime të tjera në poezi e prozë.
Aurora Cantini është fituese e shumë çmimeve të para në konkurse letrare, e dy medaljeve të arta (në poezi dhe prozë) dhe vargjet e saj janë pjesë e antologjive të ndryshme të poetëve bashkëkohorë. Organizon takime me nxënësit e shkollave me temë poezinë si dhe bashkëpunon me revista letrare online.
A mund të bëni një përshkrim të shkurtër për veten tuaj si njeri dhe më pas si autore?
Jam e lidhur me tokën dhe malet e mia ashtu si një rrënjë e varur dhe e ndjej të dridhet tek unë në çdo frymë ere, në çdo fëshfërimë gjetheje, në çdo shteg të fshehur. Kam dëgjuar poezitë e pemëve plot me gjethe që, duke u lëkundur në muzgun e ëmbël të verës, përkundnin ëndrrat e mia të fëmijërisë, ose të ngarkuara me borë, ngriheshin në qiell dhe më çonin në kaltërsi, me gishtat e tyre të gjatë prej diamanti. Ato më tregonin histori, më ngushëllonin, më dehnin me jetë, më donin me butësi, në heshtje dhe përgjithmonë. Tani që shkruaj poezi dhe tregime, e di se i kam borxh Tokës, Maleve të mia, teksa ndjej përkëdheljet e të gjithë paraardhësve të mi që jetojnë ende dhe përgjithmonë, tek unë.
Për mua të shkruarit është një nevojë jetike e shpirtit, pa të cilën s’mund të bëj dot. Kam frymuar dashurinë për jetën dhe natyrën duke vrapuar në livadhet e Amora-s sime të dashur, nën Cornagera, rrafshnaltën e Selvinos, në Luginat e Bergamos.
Në vitin 2021 festova 50-vjetorin e karrierës time letrare, që fillonte me poezinë time të parë të shkruar në klasën e tretë dhe që u lexua në publik nga mësuesja ime. Viti 2023 ishte një vit plot emocione për mua, sepse kanë kaluar saktësisht 30 vjet nga botimi im i parë, libri me poezi “Fiori di campo”, të cilin e prezantova në edicionin e gjashtë të Panairit të Librit të Torinos më 23 maj 1993.
Si dhe kur filloi pasioni juaj për të shkruar?
Qysh fëmijë kam jetuar në shoqërinë e librave dhe historive që i shkruaja vetë. Poezia, rrëfimet e mia, lindin nga vetë qenia ime, si një forcë së cilës nuk mund t’i shpëtoj. Poezia më ka tërhequr gjithmonë, ashtu si edhe të shkruarit. Në fakt, që në shkollë fillore shkruaja poezi me kërkesën e shokëve të klasës, ose kopjoja nga revista ime e preferuar “Pranvera” ato më domethënëset. Unë jam poete thellë në shpirt si dhe rrëfyese e tregimeve të krijuara nëpër udhët me kalldrëm qysh në fëmijëri.
Qysh në moshën gjashtëvjeçare e kam ndjerë thirrjen munduese të poezisë dhe me kalimin e viteve kjo nevojë shpirtërore mori formë duke u modeluar gradualisht në strukturën e botës, përgjatë rrugëtimit tim si grua.
Kur ndodh diçka që më emocionon, brenda zemrës sime krijohet një liqen ku përqendrohet i gjithë emocioni im, duke më shtypur dhe duke dashur të shpërthejë përmes fjalëve, deri në atë pikë sa të më asgjësojë krejtësisht dhe të më bëjë njësh me botën që më rrethon; atëherë unë ndihem edhe më e lehtë.
Unë nuk e kam çelësin për të interpretuar dhimbjen e të jetuarit që ne të gjithë mbajmë me vete, por jam vetëm zëdhënëse e një dhuntie, një dhurate që më është bërë dhe shpresoj të gjej njerëz me të cilët mund ta ndaj këtë. Nuk s’jemi kurrë vetëm, udhëtimi është i gjatë, gjithmonë ndodhet dikush pranë nesh. Ne duhet vetëm të dimë të shohim përtej. Sot flitet shumë pak për poezinë, por megjithatë ajo mund të jetë një mënyrë për të transmetuar më shumë dashuri në botë.
Ju jeni fituese e shumë çmimeve letrare. Ç’janë për ju këto vlerësime?
Fitorja e një çmimi letrar për një poet është e barabartë me fitimin e një Olimpiade. Do të thotë të dalësh nga heshtja, nga harresa. Do të thotë të dalësh, qoftë edhe për pak çaste, nga errësira në të cilën është mbyllur poezia. Shumë çmime që kam fituar janë prestigjioze, si çmimi ndërkombëtar Seneca, ose çmimi Walter Bonatti, Ossi di Seppia, si dhe Giorgio La Pira... Të gjitha këto janë vitrina shumë të rëndësishme nga të cilat përhapet poezia, dashuria për të bukurën, vëllazëria, universaliteti i qëllimit, por edhe për t'u bërë e njohur, për të krijuar shikueshmëri pozitive. Ne, shkrimtarët dhe poetët jo profesionistë, që s’e kemi të shkruarin mjet jetese, kemi plot gjëra për të thënë, pikërisht sepse nuk jemi të detyruar nga afatet, kontratat, angazhimet dhe detyrimet... Jemi të vërtetë, të mirëfilltë, flasim për jetën e përditshme me spontanitetin e atyre që e bëjnë ekskluzivisht për pasion.
Keni botuar libra të shumtë. A ka ndonjë libër me të cilin ndiheni më e lidhur?
Kam botuar 21 libra duke filluar nga ato me poezi, prozë, roman historik, ese, kujtime, biografi, libra muzikorë, libra për fëmijë... I dua të gjithë, sepse për secilin kam dhënë gjithçka nga vetja, çdo çast të lirë, çdo moment reflektimi... Orë, javë, muaj, vite. Kam shkruar, edhe natën nën pushtetin e frymëzimit. Dhe më pas vjen rishikimi, përpunimi i çdo faqeje, shtimi i materialit, lëmimi i frazës. Unë kam qarë me protagonistët, jam gëzuar me ta, i kam dashur. Kam vuajtur brenda meje kur më është dashur t’i braktis.
Cila është tematika e poezive tuaja?
Mendoj se ëndrra e çdo njeriu është të lërë gjurmë të vetvetes, për të gjetur pavdekësinë. Kur shkruaj, unë u jap zë atyre që kalojnë në këtë tokë si rërë e padukshme, fjalëve pa zë, të qarave pa lot, pra, atyre që janë të padukshëm. Kur shkruaj, unë gjej gjurmët e pavdekësisë.
Zemra ime është një derë përballë me horizontin. Kujtimet, jeta dhe transformimi im janë gjithmonë me mua. Ç’ndjesi e lehtë më kap kur zbuloj çdo herë që edhe era është e mbushur me fjalë. Unë i kap ato në letër dhe si tullumbace i bëj të fluturojnë në zemrat e njerëzve.
Kam patur gjithmonë një ide popullore për poezinë, me të cilën thur emocionet dhe ndjenjat, për një afërsi kulturore, por mbi të gjitha afektive dhe emocionale. Duhet t'i rikthehemi përhapjes së poezisë, i vetmi çelës që mund të hapë zemrën e njerëzimit dhe të dhurojë lehtësim e ngushëllim.
Si nisët të shkruanit në prozë?
Fillova të shkruaj tregime pothuajse në të njëjtën kohë me poezitë e mia të para, me historitë e shkruara në rrugë dhe në livadhet e zonës malore, ku unë jetoj. Botimi i parë në prozë erdhi në vitin 2009, pas 3 librave me poezi. Nuk më mjaftonte më poezia, më duhej një poezi e “zgjatur”, një rrëfim më i thelluar. Unë e quaj prozë poetike.
Së fundi keni botuar libra të ndryshëm për fëmijë. Çfarë ju shtyu t'i përkushtoheni këtij zhanri?
Shkrimi i historive për fëmijë përbën fazën e tretë të rrugëtimit tim letrar. U frymëzova nga shkrimtarja shumë e re Giulia Gabrieli, një vajzë nga Bergamo e cila vdiq në moshën 14 vjeçare nga një tumor i rrallë në vitin 2011. Ne të dyja kishim fituar një konkurs letrar të organizuar nga Parco dei Colli në Bergamo në qershor 2009. Mbeta e befasur nga entuziazmi dhe ëndrra e saj për t'u bërë shkrimtare. Menjëherë pas kësaj, ajo u sëmur. Zbulova botën e heshtur të fëmijëve në spital dhe vendosa të shkruaj një libër për fëmijë me qëllime bamirësie, kushtuar kësaj vajze që ëndërronte të shkruante. Vitet e fundit e kam zgjeruar audiencën duke përfshirë edhe familjet, duke krijuar një trilogji tregimesh nga rrafshnalta Selvino Aviatico, gjithmonë në dobi të fëmijëve në vështirësi ose me aftësi të kufizuara.
Jeni mësuese e shkollës fillore. Si ju ndihmon kjo të përcillni dashurinë për të shkruar te nxënësit?
Poezia është një formë komunikimi me të cilën u përcillen të tjerëve çastet e jetës dhe emocionet. Përmes gjuhës poetike, fëmijët dhe adoleshentët mësojnë gradualisht të njohin veten ashtu siç janë në të vërtetë “brenda” dhe kjo u shërben për të fituar siguri, vetëbesim dhe për të ndërtuar identitetin e tyre.
Nxënësit ndihmohen të zbulojnë se të gjithë janë "poetë në shpirt". Poezia mund të kultivohet që në fëmijëri, por mund të dalë në dritë vetëm përmes të ushtruarit dhe pasionit. Është një përvojë universale, e cila u përket të gjithë popujve dhe kohërave.
Kur prezantoj një tekst poetik, fjala kyçe që përdor është "Krijim", pra, krijimi i emocioneve përmes poezisë. Djemtë hyjnë në një fazë të pubertetit që sjell shumë ndryshime, si fizike dhe mbi të gjitha psikologjike, dhe duke mësuar të lexojnë brenda vetes, duke u dhënë zë anktheve dhe përvojave personale, secili me dyshimet, pasiguritë dhe ankthet e veta, i ndihmon të jetojnë më mirë dhe në mënyrë më paqësore.
Për më tepër, unë përdor lloje të ndryshme pjesësh muzikore për të krijuar një atmosferë që nxit çdo nxënës të dëgjojë brenda vetes, për të dëgjuar më pas të tjerët: në këtë kontekst harmonik dhe të lirë nxënësit angazhohen për të shkruar poezi, si pjesë e iniciativës "edhe unë jam poet".
A mund të ndani një mendim apo këshillë me poetët e rinj?
Kurrë mos u dorëzoni, kurrë mos e braktisni pasionin tuaj dhe mos e lini vetëm Poezinë. Ajo është e brishtë, e pambrojtur, zëri i saj humbet mes zhurmave dhe thirrjeve të rrjeteve sociale dhe të jetës së egër dhe kaotike. Na takon ne t'i japim zë poezisë, sepse vargjet janë ilaç për shpirtin, ngushëllim për kaosin dhe vetminë bashkëkohore. Një varg është po aq i shpejtë sa çdo hap yni dhe na shoqëron në çdo frymëmarrje. Ai mbështet ecjen tonë, mbush netët, largon frikën: çdo poezi është një magjepsje sublime. Mundimet dhe gëzimet kanë ecur gjithmonë përkrah njeriut. Ashtu si një lule fushe, një poezi ka pak kërkesa, por me butësinë e saj ajo e lehtëson dhembjen dhe mund ta bëjë jetën tonë më të bukur, për të rizbuluar kuptimin e përditshmërisë, sinqeritetin e një vështrimi miqësor, ndarjen e ndjesive, solidaritetin në frikën e natës, ngushëllimin dhe keqardhjen: me një fjalë, humanizmin e botës.
Intervistoi: IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali